Komuna e Dragashit ka punësuar përkohësisht 37 punëkërkues. Kjo është bërë me ndërmjetësim të Zyrës së punësimit, ka bërë të ditur Fitim Kurtishi, përgjegjës i saj.
Sipas tij, në realizimin e projektit për rinovimin e QKMF-së dhe rregullimin e hapësirave të jashtme të këtij objekti shëndetësor, i cili do të zgjasë 3 muaj, janë angazhuar 37 punëkërkues, me një pagë mesatare prej 180 eurosh.
“Marrë parasysh gjendjen e rëndë të shumë punëkërkuesve të paraqitur në ZP, realizimi i këtij projekti, në të cilin janë angazhuar 37 kryefamiljarë është i mirëseardhur. Ndonëse numri i të punësuarve përkohësisht nuk është edhe aq i madh, megjithatë shpresohet se do të përmirësojë gjendjen e disa prej tyre që vërtet nuk kanë pasur asnjë burim të të ardhurave”, ka thënë Kurtishi, të martën. Sipas tij, me qëllim të zbutjes së papunësisë ekstreme në Dragash, disa kohë më parë edhe 20 punëtorë të tjerë kanë qenë të angazhuar në pastrim pyjesh, ndërkaq duke filluar nga 1 tetori pritet punësimi edhe i 16 punëtorëve të tjerë. “Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, UNDP-ja dhe Zyra e Punësimit në Dragash, nëpërmjet projektit ALMP-2, duke filluar nga 1 tetori, në kompanitë e kësaj komune do të angazhojë edhe 6 punëkërkues, ndërkaq me qëllim të riintegrimit të të kthyerve nga bota e jashtme, së shpejti pritet punësimi edhe i 10 punëkërkuesve tjerë”, ka njoftuar Kurtishi.
Punëkërkuesit e angazhuar, pasi kanë shprehur fjalë miradije për pronarin e kompanisë “ARKITEKT COMPANY”, nga Skenderaj, e cila ka marrë tenderin për ekzekutimin e këtyre punimeve, kanë vlerësuar se realizimi i këtyre projekteve, sadopak ua zbut varfërinë.“Projektet e këtilla kanë pasur një traditë të mirë gjatë viteve të mëhershme. Marrë parasysh gjendjen e popullatës së kësaj komune, e në veçanti të atyre që nuk kanë të ardhura, është mirë që kjo të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke angazhuar numër më të madh të punëtorëve”, ka thënë Rrahim Krasniqi, nga Buqja e Irvin Sejrani nga Shajnja. /Opoja.Net/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.