Futbolli është një nga sportet më masive në botë. Por, ndonëse anglezët mburren se futbolli eshte shpikur nga vete ata, disa fakte dhe gojëdhëna pohojnë të kundërtën.
Duke u referuar në revistën e organit më të lartë të futbollit (FIFA), FIFA Magazine, kjo e fundit ka nxjerr disa fakte historike, sipas të cilave orgjina e futbollit nuk është Anglia.
Sipas kësaj reviste, futbolli e ka orgjinën në kontinentin e Azisë dhe më saktë në Kinë. Loja u zhvillua në këtë vend gjatë civilizimit që pati ky territor në kohën kur në krye ishte perandori Huang-Ti, i njohur ndryshe si “Perandori i Verdhë”.
Loja përfshinte shkelmimin e topit dhe gjithashtu kishte ndarje në ekipe, me rregulla, gara dhe stadiume. Ndeshjet zhvilloheshin kryesisht midis sundimtarëve dhe njerëzve të thjeshtë. Duke e bërë futbollin që në atë kohë, një sport të masave.
Në literaturën e vjetër, loja që zhvillohej në Kinë, njihej me emrin “cuju” që do të thotë, “për të shkelmuar një top”. Në terminologji të tjera të vjetra kineze, loja njihet edhe me termin “taju”, që do të thotë “shkelmimi i sferës ose objektit të rrumbullakët”.
Në Kinën e lashtë, futbolli nuk përdorej vetëm si mënyrë argëtimi, por edhe si mënyrë për të stërvitur trupin dhe mendjen, duke u përdorur nga ushtria për arsyet e mësipërme dhe për të ngritur moralin dhe si një mjet relaksimi. Këto fakte janë të renditura edhe në shtatë mësimet e dijetarit dhe politikanit konfucian, Liu Xin, në vitet 50-23 para lindjes së Krishtit.
Shkrimtari i periudhës 55-135 pas Krishtit, Li You, shkruan se ekipet e futbollit në atë kohë, përbëheshin nga gjashtë lojtarë. Një nga 85 mbishkrimet e këtij autori, që ende ekzistojnë në Kinë, i kushtohet futbollit, dhe mbanë titullin “Jucheng ming” ose “Mbishkrimi në murin e topit”.
“Topi është i rrumbullakët. Duke përdorur 12 hënat, loja ka 12 lojtarë, nga gjashtë për secilin ekip. Emërohet një arbitër dhe një ndihmës. Interpretimet e rregullave duhet të jenë konstante. Nuk duhet të këtë paragjykime…”, kjo është një pjesë e shkrimit të You-s.
Më pas poeti vazhdon duke thënë se: “Loja është pasqyrim i universit, jetës, shoqërisë, ligjit dhe rendit”. Duke përdorur edhe fjalë të tilla, autori u kujton bashkëkohësve të vetë, por edhe brezave të ardhshëm për drejtësinë dhe lojën e ndershme.
Këto janë faktet e gjetura në Kinë rreth futbollit, që rrëzojnë hipotezat e anglezëve. Por, e rëndësishme për çdo njeri që e dashuron futbollin, nuk është orgjina apo koha e shpikjes, rëndësi ka që u shpik si sport.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.