Në rrjedhën e jetës

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Ardhja e njeriut mbi sipërfaqen e lëmshit të dheut është jashtë dëshirës së tij. Po ashtu edhe largimi i tij është jashtë dëshirës së tij. Ardhja dhe largimi janë dy kufij, të cilët mund të shkelen vetëm njëherë dhe kjo është ligjësia e pandryshueshme e jetës. Përgjatë këtyre kufijve përvijohet përkohësia njerë- zore mbi sipërfaqen e tokës, përkohësi e cila është e ndryshme për cilëndo qenie. Kësisoj secila qenie jeton brenda një afati të paracaktuar, afat që as nuk shtyhet e as nuk vonohet, por vjen pikërisht në çastin kur është paracaktuar të vijë. Përbrenda këtij afati rrjedha e jetës së njeriut është kaq dinamike, saqë është pothuajse e pamundur që çdo gjë të ecë sipas dëshirave dhe planifikimeve nga ana e njeriut. Ecuria konstante si dhe ecuria vetëm pozitive apo vetëm negative janë të përjashtuara nga jeta e njeriut. Jeta e njeriut mbi sipërfaqen e tokës i nënshtrohet ndryshimit të ditëve në jetën e tij. Kësisoj njeriut i duhet të përballet me jetën jo në formën të cilën ai ëndërron dhe dëshiron apo shpreson që t’i vijë, por i duhet të përballet me jetën me formën në të cilën ajo vjen. Jeta e njeriut është e mbushur përplot me ngjarje, ngjarje të cilat janë të pashmangshme për të mos qenë të pranishme në jetën e njeriut. Natyrisht që ngjarjet që mbushin përkohësinë e njeriut shpesh marrin vëmendjen dhe seriozitetin jo te duhur nga ana e qenies njerëzore. Madje jo rrallë ndodh që njeriu të ndihet i pakënaqur nga rrjedha e jetës së vet dhe ngjarjet që e mbushin përkohësinë e tij. Kjo pakënaqësi vjen si rrjedhojë e përplasjes mes formës me të cilën vjen jeta njerëzore dhe formës me të cilën ëndërron dhe shpreson njeriu që t’i vijë jeta e vet. Pra ndryshe ëndërron dhe shpreson njeriu, ndryshe ndodh në të vërtetë dhe kjo ndryshueshmëri bën që jo vetëm të ndihet i pakënaqur me jetën e vet, por shpesh edhe të mallkojë fatin e tij që nuk i ka siguruar atë çfarë ëndërronte, dëshironte dhe shpresonte. Në të tilla gjendje jo rrallë ka ndodhur që njeriu t’i ekspozohet rrezikut të rëndimit të gjendjes shpirtërore dhe pasojave që sjell pikërisht ky rëndim. Njeriu bashkë- kohor, dhe jo vetëm, në përfytyrimin e tij mbi rrjedhën e jetës përfshin vetëm dimensionin material të saj dhe vetëm me vështrimin drejt tokës sipas parimit këtu dhe tani. Kësisoj, duke iu nënshtruar këtij përfytyrimi të ngritur në ligjësi të pakundërshtueshme qenia njerëzore mendon se jetë e suksesshme është ajo jetë ku dimensioni material është mëse i përmbushur dhe kjo përmbushje është kriteri i vetëm që e nxjerr jetën e njeriut nga gjendja negative e rrjedhës së saj. Në qoftë se dimensioni material i jetës është në rregull atëherë edhe jeta është në rregull. Në qoftë se dimensioni material çalon, atëherë edhe jeta çalon. Në këtë mënyrë, shumë syresh mendojnë se të pasurit e një jete komode materialisht është shenjë treguese se punët e tyre janë të përvijuara në anën e së mirës, përndryshe nuk kishin pse të kishin sukses në këtë dimension të jetës. Ky është një nga ngashnjimet dhe ndezullitë e shumta që janë përbrendësuar suksesshëm në përfytyrimin e njeriut mbi formën e rrjedhës së jetës. Nuk duhet të keqkuptohemi dhe të mendojmë se jemi kundër përmbushjes së këtij dimensioni, madje kjo përmbushje është pjesë e natyrshmërisë njerëzore. Por ne nuk duhet të veprojmë sipas parimit këtu dhe tani dhe të ecim përgjatë përkohësisë vetëm me vështrimin drejt tokës. Gjatë gjithë kohës njeriu bashkëkohor është i mbërthyer nga diskutimet mbi dimensionin material të jetës dhe pothuajse as që vramendet për largimin e tij nga vlerat morale dhe gremisjen në shpellën platoniane. Madje është kaq i adaptuar me jetën në këtë shpellë saqë i quan të dalë mendsh ata syresh që rrahin tu kumtojnë se jeta e vërtetë nuk është jeta në llagëmet e kësaj shpelle. E në qoftë se ndodh ndonjë fatkeqësi në jetën e tyre apo në jetën e të tjerëve, që natyrisht ka për të ndodhur, fatkeqësi më të madhe konsiderojnë humbjet materiale. Në qoftë se kanë humbur vlerat morale nuk vramenden pasiqë njeriut i duhet të mbushë stomakun më së pari, pastaj të shohë se ç’mund të bëjë me dimensionin tjetër të jetës, në qoftë se ka ende ndonjë reminishencë për këtë dimension. Kjo logjikë e egër dhe e pamëshirshme që përdoret për të analizuar rrjedhën e jetës i ka ndërkryer shumë syresh të rebelohen ndaj fatit, duke e mohuar apo duke e mallkuar atë. Prandaj do të gjesh qenien njerëzore që vazhdimisht shtron pyetje pesimiste për atë çfarë i ka ndodhur. Pse të më ndodhte mua kjo? Çfarë kam bërë unë që të më bien mbi krye këto fatkeqësi? Pse të më ndodhin mua të tilla mynxyra? Apo do t’i gjesh të zhytyr në supozime të pafund duke thënë vazhdimisht ah sikur të mos më kishte ndodhur kështu! Ah sikur mos kisha bërë këtë apo atë gjë! Ah sikur të kisha bërë këtë apo atë gjë, tani do t’i kisha gjërat ndryshe dhe vazhdon e vazhdon me sikur a thua se do të mund të kthehej në kohë për t’i bërë gjërat ndryshe. Pavarësisht sikureve lumi jetës vazhdon të rrjedhë në shtratin e paracaktuar. Por çfarë ka humbur njeriu bashkëkohor që humbet në detin e paanë të sikureve mbi atë çfarë i ka ndodhur përgjatë përkohësisë së vet? De facto njeriu bashkëkohor ka humbur shumëçka nga të qënit njeri më së pari dhe duke humbur njerë- zoren në brendësinë e vet ka harruar se është njeri dhe si i tillë nuk mund të jetë zot i vetvetes apo i fatit të vet. Çfarëdo që të thotë e çfarëdo që të bëjë kurrsesi nuk mund të jetë zot i vetvetes edhe pse për njeriun modern, por jo vetëm, ky pretendim është tepër ngashnjyes dhe ndezullitës. Duke u mbështetur tërësisht tek vetvetja për të kuptuar dhe shpjeguar rrjedhën e jetës njeriu modern shkel një udhë e cila nuk ka për të ofruar asnjëherë rrugdalje nga forca rraskapitëse e sikureve. Madje ecja në këtë udhë do ta përfund gjithmonë e më tepër nën peshën tmerruese dhe të frikshme të vetvetes. Ky lloj i njeriut nuk dëshiron ta kuptojë se jeta e gjithësecilës qenie rrjedh në atë lloj mënyre që është më e mira për atë qenie sepse në themel të funksionimit të rendit kozmik është drejtësia. Logjika e cunguar njerëzore që rrethakohet përreth vetvetes dhe nuk pranon t’i nënshtrohet shpjegimit metafizik të rrjedhës së jetës kurrsesi nuk ka për të pranuar faktin e pazhbëshëm se rrjedha e jetës së çdocilës qenie vjen sipas një urtësie të paracaktuar, themeli i së cilës është drejtësia përtej njerëzore. Është prej rendit natyror të gjërave që qenia njerëzore të mos mundet ta kuptojë dot këtë urtësi, pasiqë edhe në moskuptimin e kësaj urtësie ka urtësi. Kësisoj lind si domosdoshmëri dorëzimi para urtësisë së rrjedhës së jetës edhe pse kjo nuk do të thotë aspak që qenia njerëzore të gjunjëzohet e të mos veprojë gjithë sa ka mundësi të veprojë. Pranimi dhe dorëzimi përballë kësaj urtësie do ta çlironte njeriun nga pesha e frikshme e vetvetes dhe do t’i jepte asaj një qetësi dhe rehati që absolutisht në asnjë mënyrë tjetër nuk mund të sigurohet. Qenia njerëzore, duke qenë përballë zgjedhjes, në shumicën e rasteve preferon atë udhë që në dukje është lehtësisht e shkelshme, por zgjedhja e shumicës nuk tregon se domosdoshmërisht kjo zgjedhje është në anën e drejtësisë dhe nuk duhet të harrojmë kurrësesi se sasia sado e madhe që të jetë nuk mund të jetë shenjuese e së vërtetës. Le ta pranojmë dhe ndjekim shpjegimin metafizik të jetës, në mënyrë që të çlirohemi nga vetvetja dhe veprat tona me daljen nga përkohësia të jenë pjesë e përfundimeve të mira.

© Opoja.net

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-