Nëse shoqëria nuk i pengon kriminelet, edhe vetë do të përfshihet në ndëshkim !

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Në tregimet për
pejgamberët e Allahut ka shumë mësime, për ata që dinë të marrin mësim. Allahu
i Lartësuar thotë: “Në tregimet e tyre (pejgamberëve) ka këshilla për ata që
kanë mendje. Kurani nuk është tregim i trilluar…”
(Jusuf, 111)

Mësimi që mund të nxirret
nga ngjarjet e pejgamberit Salih (a.s.) dhe popullit të tij Themud, tek i cili mbizotëronte
vulgariteti dhe imoraliteti, dhe të cilët të gjitha gjërat i rregullonin me
pasionet e tyre, është ky: Populli që dorëzohet pas asaj që janë dhënë të
prishurit dhe të pamoralshmit, edhe ai do të përfundojë ashtu siç përfundojnë
ata!

Një grup i caktuar
njerëzish të prishur, kishin planifikuar mbytjen e devesë, kurse më pas edhe mbytjen
e Salihut (a.s.), por ata e realizuan vetëm gjysmën e planit të tyre. Pjesa
tjetër e popullit, pas këtij krimi, nuk lëvizi as përpara as prapa. Ajo ishte
një shoqëri negative, politikat dhe interesat e së cilës drejtoheshin nga një
grup i vogël njerëzish të prishur, ndërsa shumica, u jepte pëlqim duke heshtur!

Negativiteti nuk
është justifikim i një shoqërie! Shoqëria dhe bashkësia duhet ta luajnë rolin
kryesor në anulimin e të prishurve dhe zullumqarëve, duhet t’i ndalojnë që të
mos flasin në emër të asaj shoqërie, ose në emër të asaj bashkësie, ose që të
pyeten për interesat e tyre jetike. Kur shoqëria të heq dorë nga ky rol – mos ta
fajësojë askënd përveç vetvetes, atëherë kur ta përfshijë ndëshkimi i
përgjithshëm dhe vuajtja e përgjithshme, siç e përfshiu popullin e Themudit!

Po pra! Kishte vetëm
9 (nëntë) njerëz të prishur nga populli Themud, kurse ai që i kryente krimet ishte
vetëm një person! Ndërkaq, njerëzit tjerë shtireshin kinse nuk po vërenin asgjë
tek ata të prishurit, duke i lejuar ata që të luajnë e të kënaqen, por edhe që të
ndikojnë dukshëm në rrjedhën e ngjarjeve dhe në të ardhmen e tyre!

Ata kriminelë nuk e shkaktuan
dënimin vetëm për veten e tyre! Dënimi qe i përgjithshëm, dhe i preku si
pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë ashtu edhe pjesëmarrësit indirekt, të cilët
patën qëndrim negativ. Shpëtoi vetëm ai që hipi në anijen, të cilën e ndërtoi Salihu
(a.s.)!

Prandaj, në
dispozitën e sheriatit për urdhëresën e së mirës dhe ndalimin nga e keqja,
ruhet siguria e një shoqërie. Nga Zejneb bint Xhahsh (r.a.), transmetohet se me
një rast, Pejgamberi (savs), kishte hyrë shumë i frikësuar, duke u dridhur,
duke cituar:

“La ilahe il-lallah!
Mjerë arabët nga e keqja që do të vijë! Sot, kalimi i Jexhuxhve dhe Mexhuxhve u
hap për kaq shumë, dhe bëri një rreth me gishtin e madh dhe gishtin tregues.”
 Zejneb bint Xhahsh (r.a.) i tha: ‘O i
Dërguari i Allahut, a do të shkatërrohemi, derisa midis nesh ka njerëz të mirë!?
Ai tha: “Po, atëherë kur neveria do të merr hov!” (Muttefekun alejhi)

Ebu Davudi (r.h.),
ka regjistruar rastin, kur Ebu Bekri (r.a.), pas falënderimit dhe lavdërimit
për Allahun e Madhërishëm, ka thënë: “O njerëz, po ju e lexoni këtë ajet
kuranor, por po e vendosni aty ku nuk e ka vendin:
“O besimtarë! Ruajuni!
Kur të gjendeni në rrugën e vërtetë, nuk do t’ju dëmtojë ai që është i humbur.”
(el-Maide, 105) Ne e kemi dëgjuar të
Dërguarin e Allahut (savs) duke thënë:
“Kur njerëzit
ta shohin një zullumqar dhe nuk e pengojnë në atë që bën, dhe nuk e kapin për
dore, dënimi i Allahut mund t’i prekë të gjithë!”

Amër ibn Hushejm
(r.a.), ka thënë: “Edhe unë e kam dëgjuar Pejgamberin (savs), duke thënë:
“Tek një popull në të cilin kryhen mëkate, dhe ata kanë mundësi ta pengojnë atë
por nuk e bëjnë – Allahu i Plotfuqishëm do t’i përfshijë të gjithë me ndëshkim!”
 (Sahih, Sunen Ebi
Davud, nr. 4338.)

Abdullah ibn. Mesudi
(r.a.), thotë se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Mangësia dhe e meta e
parë e cila u shfaq te Benu-Israilët ishte, se kur një njeri i mirë takohej me
një tjetër i cili bënte diçka që nuk lejohet – ai do t’i thoshte: ‘Ki frikë
Allahun, dhe largohu nga ajo që je duke bërë!’ pastaj, kur do ta takonte atë të
nesërmen nuk i pengonte atij që të hajë, të pijë dhe të ulet me të. Kur ata
filluan të sillen në këtë mënyrë, Allahu i Plotfuqishëm ua kundërshtoi zemrat e
tyre me njëri-tjetrin.”

Dhe pastaj lexoi: “U
mallkuan ata nga bijtë e Israelit që ishin mohues, me gjuhën e Davudit dhe të
Isait – të birit të Merjemes, për shkak se ishin të padëgjueshëm dhe ngase
kishin kaluar kufirin: – njëri-tjetrin nuk e pengonin nga veprat e këqija që
punonin. E, sa të shëmtuara ishin veprat që punonin ata! – Ti i sheh shumicën
nga ata që miqësohen me mohuesit. Me të vërtetë, e shëmtuar është ajo që i
përgatisin ata vetes: që Allahu të pezmatohet në ta dhe t’i dënojë përherë. – Sikur
t’i besonin ata Allahut, Pejgamberit dhe asaj që i është shpallur atij, nuk do
t’i merrnin ata (mohuesit) për miq. Por, shumica prej tyre janë mëkatarë.”
 (el-Maide, 78-81)

 – Dhe pastaj ai tha: “Kurrsesi!
Pasha Allahun, ju duhet ta urdhëroni të mirën e ta shmangni të keqen, dhe ta
kapni për dore zullumqarin dhe shtypësin, duke e detyruar me forcë në të
vërtetën, përndryshe Allahu do t’i kthejë zemrat tuaja kundër njëri-tjetrit dhe
do t’ju mallkojë, siç i ka mallkuar ata!”
(Sunen, Ebi Davud, nr. 4336)

Pra, vetë shoqëria
ka rol të madh në rregullimin e bashkësisë së saj, dhe sa herë që ajo këtë rol
nuk e merr në mënyrën e duhur – vetë shoqëria do të shkatërrohet për shkak të
veprimeve të individëve nga radhët e saj!

Me atë rast, shoqëria
do të konsiderohet bashkë pjesëmarrëse në krim, pse nuk e ka penguar kriminelin
për ta bërë krimin. Shoqëria duhet t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm
dhe t’i merr në dorë të gjitha mjetet e nevojshme, për ta larguar imoralitetin
dhe neverinë nga oborri i saj, në të kundërtën do të shkatërrohet kur neveritë
dhe imoraliteti të marrin hov!     

  /Shejh Nasir el-Omer/

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-