Në krye të nevojave të njeriut në këtë botë vijnë siguria dhe qetësia. Njeriu ka nevojë të mbrohet nga çdo lloj padrejtësie dhe me të drejtat që zotëron të gjejë lumturinë, me të cilën do të garantojë të ardhmen e tij në këtë botë dhe në botën tjetër. Njeriu, i cili nuk ndihet i sigurt në vendin ku jeton, nuk mund t’ua shohë kurrë fytyrën as qetësisë e as rehatisë. Dhe fuqia më madhe që mund ta garantojë këtë siguri, janë parimet hyjnore që ka vendosur Allahu i Madhëruar, pra Islami. Allahu, në lidhje me këtë fakt shprehet:
“Për të mbrojtur (fisin) kurejshët, për t’i mbrojtur ata në udhëtimin që bëjnë dimër e verë. Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabes), i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike.”(Kurejsh, 1-4.)
Sistemet dhe ligjet njerëzore janë shumë larg nga garantimi i kësaj sigurie dhe qetësie, sepse ato nuk kanë asnjë anë shpirtërore. Para se të vinte Islami, bota ishte mbështjellë nga një errësirë e thellë injorance. E drejta i takonte të fortit. I dobëti nuk kishte asnjë të drejtë; e drejta e tij ishte të qëndronte i shtypur. Njerëzit rënkonin dhe shtypeshin nën një tirani, e cila është e pamundur të përshkruhet. Poeti i madh Mehmed Akif Ersoj, në lidhje me këtë gjendje shprehet:
I dobëti, e drejta e të cilit ishte të shtypej, u ringjall;
Tirania, zhdukja e së cilës as që mendohej, ngordhi!
Në një periudhë të tillë, Allahu i Madhëruar i fali fisit Kurejsh një rëndësi të veçantë prej mirësive hyjnore. Ndërsa ata, në sajë të kësaj sigurie, zhvilluan veprimtaritë e tyre politike, tregtare e kulturore duke arritur rehatinë dhe pasuri të mëdha materiale e shpirtërore. Kur erdhi koha e duhur, Zoti ynë i Madhëruar nxori prej këtij fisi pejgamberin e fundit, në sajë të të cilit i mësoi njerëzimit parimet më të shëndetshme të paqes, lumturisë dhe sigurisë.
Islami është burimi i qetësisë dhe paqes në botë
Kuptimi i fjalës “Islam”, është shpëtim, paqe, qetësi, siguri, dorëzim dhe rehati. Dhe kjo tregon se feja islame, me të gjitha anët e saj, i fal të gjithë botës shpëtim dhe qetësi. Pra, Islami nuk u sjell shpëtim dhe qetësi vetëm njerëzve, por edhe kafshëve, bimëve, e madje edhe krijesave jo të gjalla. Vetë Pejgamberi ynë (a.s.), gjatë gjithë jetës së tij pejgamberike prej 23 vjetësh, ka luftuar me çdo lloj të terrorit dhe në fund i dorëzoi botës fenë e vërtetë, që është burimi i paqes dhe sigurisë së përjetshme.
Islami e shpëton njeriun nga çdo lloj tiranie, padrejtësie dhe çdo lloj gjëje të keqe. Dijetarët islamë shprehen se synimi i fesë, është vendosja dhe mbrojtja e këtyre pesë parimeve themelore, të cilat njihen edhe si “darurat-i dinijje”:
a) Mbrojtja e fesë,
b) Mbrojtja e jetës,
c) Mbrojtja e mendjes,
ç) Mbrojtja e nderit dhe vlerave, për rrjedhojë mbrojtja e brezave,
d) Mbrojtja e pasurisë.
Nëse mbrohen këto pesë parime, njeriu arrin paqen dhe sigurinë e plotë.
Islami, në lidhje me mbrojtjen e secilës prej këtyre parimeve, ka vendosur rregulla të forta dhe ka caktuar harame/të ndaluara dhe hallalle/të lejuara. Studimin më të hollësishëm të gjykimeve në lidhje me këto çështje, e bën “muamelati/kodi i të drejtave civile”, që është një nga degët e jurisprudencës islame.
Para ardhjes së Islamit, njerëzimi, nga ana e besimit, adhurimit, të drejtave civile dhe jetës së përditshme, ishte për të ardhur keq. Siç nuk kishte siguri për jetën, pasurinë dhe nderin, nuk kishte as edhe një besim, adhurim dhe moral që mund ta ngrinte njeriun. Njerëzit adhuronin idhujt që i bënin prej hurmave dhe i hanin ato kur i merrte uria. I urdhëronin skllevërit e tyre të bënin idhuj prej druri e prej guri, pastaj prisnin ndihmë prej tyre. Kur pushonin në ndonjë vend gjatë udhëtimit, merrnin katër gurë, tre prej tyre i vinin si vatër zjarri poshtë tenxheres, njërin e bënin zot dhe e adhuronin.
Në lidhje me këtë fakt, Ebu Rexha el-Utaridi, thotë:
“Ne adhuronim një gur. Kur gjenim një gur tjetër më të bukur, e hidhnim atë që kishim dhe merrnim tjetrin. Kur nuk gjenim dot gur, bënim një kapule me dhé, mbi të cilën milnim një dele, pastaj bënim tavaf rreth saj.” (Buhari, Megazi, 70.)
Islami i abrogoi të gjitha këto besime të gabuara, të cilat përdhosnin vlerat njerëzore dhe solli një besim të lartë, adhurime dhe vlera morale të cilat e lartësojnë nderin dhe vlerën e njeriut. Islami e organizoi çdo fushë të jetës njerëzore në mënyrën më të bukur. Myslimanët, të cilët shijuan ndjenjat e larta që u fali Islami, u përpoqën me shumë sakrifica që edhe njerëzit e tjerë të përfitonin nga kjo mirësi kaq e madhe. Ja disa shembuj të bukur në lidhje me këtë fakt:
Ebu Talha dëshironte shumë të martohej me Ummu Sulejmen (radijallahu anha), e cila e kishte pranuar më parë Islamin. Mirëpo, Ummu Sulejme (r.anha.), i vuri kusht që të braktiste idhujt dhe të hynte në Islam, duke u shprehur kështu:
“Mendo pak mbi këta gurë që i adhuroni! Ata nuk mund të sjellin as dobi dhe as dëm! Po ashtu, mendo edhe për idhujt që keni bërë prej druri! Ju vjen marangozi, i cili e pret dhe e gdhend pemën, ndërsa ju e adhuroni atë si zot. Nëse e hidhni në zjarr, do të digjet e do të bëhet shkrumb e hi. A nuk ju vjen turp të adhuroni drurët që mbijnë nga toka dhe gdhenden nga një skllav etiopas? Nëse thua shehadetin[1] dhe ndjek Pejgamberin tonë, do të martohem me ty pa kërkuar asgjë prej teje!”
Pasi i dëgjoi shumë herë këto fjalë, më në fund Ebu Talha pranoi dhe u nderua me besimin islam. Ummu Sulejme (r.anha.), u gëzua shumë nga kjo dhe, megjithëse kishte mundësinë të merrte sa të donte prej pasurisë së tij, u martua me Ebu Talhan duke marrë si mehir të martesës vetëm thënien e shehadetit. Pra, mehri i saj u bë “Islami”.[2]
Pejgamberi ynë (a.s.), në lidhje me parimin i cili do t’i garantojë të gjithë njerëzimit sigurinë dhe qetësinë, është shprehur në mënyrë shumë të qartë:
“Askush prej jush s’ka për të besuar në kuptimin e vërtetë të fjalës, pa dëshiruar për vëllain e vet mysliman atë që dëshiron për veten.” (Buhari, Iman, 7; Muslim, Iman 71-72.)
Nëse njerëzit e zbatojnë altruizmin që urdhërohet në këtë hadith fisnik, problemet shoqërore do të ulen në minimum dhe padrejtësitë do të marrin fund.
Islami është feja e së vërtetës dhe drejtësisë
Ky urdhër i Allahut të Madhëruar garanton shërimin ndaj burimit më të madh të shqetësimeve të njerëzve:
“Mos ia merrni pasurinë njëri-tjetrit padrejtësisht! Dhe mos jepni ryshfet te gjykatësit për të marrë në mënyrë të paligjshme dhe me vetëdije një pjesë të mallit (pasurisë) të njerëzve.” (Bekare, 188.)
Një ditë, i Dërguari i Allahut (a.s.), i pyet shokët e vet:
“A e dini se kush është i falimentuar?”Ata u përgjigjën:
“Sipas nesh, i falimentuar është ai që nuk ka para dhe mall.” Por i Dërguari i Allahu (a.s.), tha:
“S’ka dyshim, se të falimentuarit e umetit[3] janë ata që në Ditën e Kiametit do të vijnë me sevapet përkatëse të adhurimeve, si namazi, agjërimi, zekati etj., por, për shkak se këtë e ka sharë, për atë ka shpifur për amoralitet, këtij i ka ngrënë mallin padrejtësisht, atij tjetrit i ka derdhur gjakun dhe një tjetër e ka rrahur, të gjitha sevapet e mirësive të tij u kalojnë këtyre. Nëse sevapet i mbarojnë pa larë hakun e atyre që u ka bërë padrejtësi, gjynahet e atyre që kanë për të marrë hak, do t’i ngarkohen këtij dhe si përfundim ai do të hidhet në xhehenem.”(Muslim, Birr 59; Tirmidhi, Kijamet 2; Ahmed, II, 303, 324, 372.)
Një njeri që i dorëzohet Islamit me gjithë zemër, duke i mbajtur gjithmonë në mendje këto ajete dhe hadithe fisnike, sigurisht që nuk mund të mendojë aspak t’i bëjë keq ndokujt.
Botëkuptimi i “drejtësisë” që solli Islami, qëndron mbi çdo lloj imagjinate. Një shembull në lidhje me këtë fakt është edhe ky:
Gjatë betejës së Bedrit, para se të fillonte lufta, Rasulallahu (a.s.), me shigjetën që mbante në dorë, i vinte në rresht dhe i numëronte luftëtarët me urdhrat, si “Bëj para, bëj mbrapa”. Në këtë moment, prek barkun e Seuad bin Gazijjes (r.a.), i cili kishte dalë pak para rreshtit dhe i thotë:
“ O Seuad! Vihu në rresht!” Kurse Seuadi (r.a.), tha:
“O Rasulallah, më vrave! Allahu të ka dërguar me të vërtetën, prandaj kërkoj të marr hak!” Pas kësaj, Pejgamberi ynë (a.s.), hapi këmishën dhe tha:
“Eja merr hak!” Disa prej Ensarëve[4] u shqetësuan dhe duke dashur ta sillnin në vete Seuadin, thanë:
“O Seuad! Ky është i Dërguari i Allahut!” Seuadi tha:
“Para drejtësisë, asnjë njeri nuk është më i lartë se një njeri tjetër!” I Dërguari i Allahut (a.s.), tha përsëri:
“Eja merr hak!” Por Seuadi (r.a.), e puthi barkun e bekuar të Pejgamberit (a.s.), i cili tha:
“O Seuad! Përse e bëre këtë?” Seuadi (r.a.), u përgjigj:
“Siç e shihni, jemi përgatitur për të luftuar. Unë dëshirova që momenti im i fundit të jetë ky që po të prek ty!”
Pas kësaj, Rasulallahu (a.s.), u lut për të.[5]
Pejgamberi ynë (a.s.), i cili gjatë gjithë jetë së tij ka treguar një kujdes të jashtëzakonshëm ndaj të drejtave të të gjitha krijesave, edhe në momentet e fundit të jetës nuk harroi këtë çështje dhe madje, megjithëse ishte i pafuqishëm, doli në minber dhe tha:
“Shokët e mi! Nëse kam marrë pa dashje mallin e ndonjërit prej jush, ja ku është malli im, le të vijë e ta marrë!.. Nëse i kam rënë dikujt në kurriz (padashje), ja ku është kurrizi im, le të vijë e të më bjerë!..”[6]
Islami është fe e delikatesës dhe mirësjelljes
Islami i mëson myslimanët të jetojnë duke menduar Ditën e Llogarisë dhe të mos i përdhosin të drejtat e të tjerëve. Rasulullahu (a.s.), myslimanin e devotshëm e ka përkufizuar me këto fjalë:
“Mysliman, është ai, prej gjuhës dhe dorës së të cilit nuk dëmtohet askush…”(Buhari, Iman, 4-5.)
Me të vërtetë që një mysliman, gjatë gjithë edukimit islam dhe adhurimeve, mëson të jetë “i padëmshëm”. Në fund, arrin një gjendje të tillë, saqë askush nuk mendon se prej tij mund të vijë ndonjë dëm. Një besimtar i tillë, ngjall gjithmonë qetësi dhe siguri përreth vetes.
I Dërguari i Allahu (a.s.), ka thënë:
“Besimtari i ngjan bletës. Bleta ha gjithmonë gjëra të pastra, bën gjëra të pastra, qëndron në vende të pastra dhe, për shkak se kur ulet në ndonjë vend vepron me delikatesë, ajo nuk dëmton, nuk thyen e nuk prish asgjë. Ndërsa kur rrëzohet, nuk thyhet e nuk dëmtohet.”[7]
Bleta është një krijesë jashtëzakonisht e aftë, specialiste, e zgjuar, e dobishme dhe modeste. Madje, ajo punon edhe natën. E mbledh ushqim e saj prej luleve dhe ha gjithmonë gjëra të pastra. Ajo është e bindur ndaj prijësve të saj dhe dëmet e saj janë jashtëzakonisht minimale. Qëndron larg gjërave të pista dhe nuk e ha djersën e tjetrit.
Edhe besimtari, ashtu si bleta, e fiton pasurinë në mënyrë hallall, ha ushqime hallall dhe qëndron në vende të pastra nga gjynahet. Kudo që ndodhet, shpërndan mëshirë prej shpirtit të tij. Nuk cenon askënd dhe nuk cenohet prej askujt. Kur bën ndonjë gabim, e kupton menjëherë atë, e korrigjon veten dhe gjithmonë e ruan dinjitetin dhe maturinë. Ai është modest dhe punon gjithmonë për të mirën e të gjithëve. Po ashtu, ai qëndron larg shkujdesjes, ngatërresave, harameve dhe dëshirave të ulëta të egos.
Një shoqëri, individët e së cilës janë si bleta, padyshim që mund të arrijë nivelin më të lartë të paqes dhe sigurisë. Rasulallahu (a.s.), këtë e ka deklaruar që në vitet e para të Islamit:
Habbab bin Eret (r.a.), tregon:
Një ditë, shkuam pranë Rasulullahut (a.s.). Ai kishte vendosur rrobën e tij poshtë kokës si jastëk dhe po pushonte nën hijen e Qabes. Duke iu ankuar prej torturave që na bënin idhujtarët, thamë:
“A nuk do të kërkoni ndihmë për ne? A nuk do t’i luteni Allahut për ne?”
Rasulullahu (a.s.), u mërzit paksa dhe me fytyrë të skuqur u ngrit dhe tha:
“Në popujt e mëparshëm, një besimtar kapej dhe futej në një gropë. Pastaj ia ndanin kokën më dysh me sharrë dhe ia krihnin mishin dhe kockën me krehër hekuri. Por të gjitha këto nuk mundën ta kthejnë atë nga feja e vet. Betohem se Allahu patjetër do ta bëjë mbizotëruese këtë fe. Aqsa një kalorës i vetmuar do të udhëtojë nga San’a deri në Hadramaut[8] pa asnjë shqetësim e frikë tjetër përveç Allahut dhe sulmit të ndonjë ujku ndaj kopesë (bagëtive) së tij. Por ju po nxitoheni (jeni të padurueshëm)!” (Buhari, Menakib, 25, Isti’zan 35, Menakibu’l Ensar 29; Ebu Daud, Xhihad, 97/2649.)
Njëherë tjetër, Rasulallahu (a.s.), i thotë Adij bin Hatimit, i cili ngurronte të bëhej mysliman:
“Unë e di shkakun që të pengon të hysh në Islam. Ti mendon se: “Atë (Islamin) e ndjekin vetëm të dobëtit dhe të pafuqishmit, të cilët arabët i shohin si të pavlerë. A e di Hiren?” Ai u përgjigj:
“Nuk e kam parë, por e kam dëgjuar.” I Dërguari i Allahut (a.s.), tha:
“Betohem në Allahun, i Cili mban në dorë shpirtin tim, se Allahu do ta plotësojë këtë çështje! Aq sa një grua do të vijë e vetme prej Hires dhe do të bëjë tavaf shtëpinë e Allahut. Pastaj do të hapen thesaret e Kisra bin Hurmuzit!”Adij bin Hatimi i habitur pyeti:
“Të Kisra bin Hurmuzit?” Ndërsa Pejgamberi ynë (a.s.), tha:
“Po të Kisra bin Hurmuzit!” Pastaj vazhdoi duke thënë:
“S’ka për të kaluar shumë dhe pasuria do të shtohet aq shumë, saqë askush nuk do ta prekë me dorë dhe nuk do të gjendet dikush që do të pranojë zekatin e pasurisë!”
Më vonë, kur Adij bin Hatimi (r.a.), e tregoi këtë ndodhi, tha:
“Vallahi, unë kam parë një grua që erdhi e vetme nga Hira mbi devenë e saj pa u frikësuar nga asgjë dhe bëri haxh në Shtëpinë e Zotit! Vallahi edhe unë kam qenë bashkë me ata që kanë hapur thesaret e Kisras. Betohem në Allahun, i Cili ka në dorë shpirtin tim, se edhe e treta do të realizohet, sepse atë e ka thënë Rasulallahu (a.s.).”[9]
Po, synimi i Islamit është të garantojë që njerëzit të jetojnë në një vend të qetë, ku të mos kenë frikë prej tjetërkujt përveç Allahut. Si rezultat i kësaj, vjen edhe mirëqenia materiale. Në periudhën e Khalifit Omer bin Abdulazizit, për shkak se myslimanët nuk po gjenin të varfër për t’i dhënë zekatin, shkuan tek Khalifi dhe e pyetën se çfarë të bënin me zekatin.[10]
Islami është fe e tolerancës
Pejgamberi (a.s.), shumë njerëzve u ka dhënë “eman”-e[11] me shkrim. Prof. Dr. Muhammed Hamidullah, në veprën e tij të quajtur “Letrat diplomatike të Pejgamberit”, shprehet se në vende të ndryshme, ka parë shumë kopje të “emanname”-ve, që i përkisnin Pejgamberit tonë (a.s.). Një nga këto, ka edhe një ndodhi shumë të bukur:
Kur u çlirua Stambolli, nga mbretëritë përreth vinin delegacione për të uruar. Midis tyre, ishte edhe Patriarku Ortodoks i Kudsit (Jeruzalemit) Athanasios, i cili kur doli përpara Sulltan Fatihut, i tregon atij emannamen që kishte firmosur Pejgamberi ynë (a.s.), me gishtin e tij dhe disa dorëshkrime të shkruara me shkrim “kufi”[12], që kishin ngelur që nga koha e Omerit (r.a.). Pas kësaj, i kërkon që vendet e adhurimit që ndodheshin në Kuds, të qëndronin ashtu siç kishin qenë më parë. Sulltan Fatihu aprovon po ato të drejtat që u kishte dhënë Pejgamberi (a.s.) dhe lëshon një ferman me shkrim, në fund të të cilit gjendet një shënim: “E mallkoftë Allahu atë që e anullon këtë urdhër të padishahut!” Sot, ky ferman gjendet në Arkivin Osman të Kryeministrisë, i regjistruar si “Kilise Defteri, no: 8”[13].
Në sajë të parimeve islame, shoqëria myslimane kishte arritur një nivel të tillë, saqë edhe komunitetet e tjera që jetonin në administrimin e tyre, qoftë të krishterët e qoftë hebrenjtë, jetonin në mirëqenie dhe ishin të kënaqur. Madje, ata nuk e dëshironin aspak administrimin e bashkëfetarëve të tyre dhe në shumë raste i kanë ftuar vetë myslimanët në vendet e tyre.
Bernard Lewis thotë:
“Osmanët i magjepsnin të krishterët. Toleranca osmane dhe mundësitë që njihte shteti i tyre, kishte tërhequr aty shumë njerëz që kërkonin të arrinin qetësinë. Fshatarët e shtypur shpresonin ndihmë prej armiqve të të zotëve të tyre. Madje, vetë Lutheri, në një vepër të tijën, të cilën e publikoi në 1541-in, i paralajmëron kështu të krishterët: «Në vend që të jetojnë nën administrimin e princërve, feudalëve dhe borgjezëve sypangopur si puna juaj, të varfërve mund t’u duket më mirë të jetojnë nën administrimin e turqve…»[14]”
Islami është fe mëshire
Islami është një fe mëshire. Mëshira është një nga parimet më të rëndësishme të fesë islame. Aq sa Allahu i Madhëruar, pranë fjalës “Bismilah”, që është edhe kryetitull në Librin e Tij, ka vendosur edhe dy emrat e Tij të bukur, Rrahmandhe Rrahim, të cilët shprehin mëshirën e Tij të gjerë. Menjëherë më pas, në ajetin e dytë të sures së parë, el-Fatiha, janë përsëritur të njëjtët emra. Më tutje, emri Rrahman është përdorur si fjala e parë e një sureje, e cila ka marrë po të njëjtin emër, er-Rrahman. Më konkretisht, aty urdhërohet: “Rrahmani ua mësoi Kuranin!”, duke shprehur në këtë mënyrë faktin se Kurani Kerim i është ofruar njerëzimit si një mëshirë hyjnore. Gjithashtu, në suren el-Isra, deklarohet qartë se Kurani është mëshirë dhe shërim. (shih. el-Isra, 17/82.)
Në të njëjtin kontekst edhe në sure të tjera të Kuranit, butësia dhe mëshira përmenden dhe këshillohen me qindra herë. Nga ana tjetër, një nga virtytet më të larta që Allahu Teala i dhuroi Pejgamberit tonë (a.s.), është mëshira. Në mënyrë të veçantë, në sajë të deklaratës hyjnore: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (Enbija, 107.), kjo cilësi e Rasulullahu (a.s.), përbën një nivel aq të lartë, sa askush tjetër nuk mund ta arrijë. Një nga shembujt e mëshirës së tij të pashoqe është edhe ky:
Ndërkohë që në betejën e Bedrit ushtritë kishin dalë përball njëra-tjetrës, Rasulullahu (a.s.), u dërgon idhujtarëve përfaqësues me qëllim për të bërë paqe. Në këtë kohë, në radhët e ushtrisë së armikut filloi kriza për ujë. Një grup prej idhujtarëve, midis të të cilëve ishte edhe Hakim bin Hizami, erdhën për të pirë ujë në puset e myslimanëve. Kur myslimanët tentuan t’i pengonin, i Dërguari i Allahu (a.s.), tha:
“Lërini të pinë!” Pastaj ata erdhën e shuan etjen. (Ibn-i Hisham, II, 261.)
Pra, mund të themi se në Islam, fryti i parë përbëhet prej mëshirës. Të dashurit e Allahut, të cilët kanë bërë një jetë mbi këto parime, e kanë përkufizuar devotshmërinë me këto dy shprehje të shkurtra:
a)- Tadhim li-emrillah, të tregosh respekt dhe nënshtrim në zbatimin e urdhrave të Allahut,
b)- Shefkat ala halkillah, të mëshirosh të gjitha krijesat për hir të Krijuesit.
Islami është një fe mëshire. Ndërkohë që njerëzimi, i cili është rrokullisur në shumë gropa të gjynaheve dhe të shkujdesjes, e ka merituar shkatërrimin dhe humbjen për shkak të atyre që ka bërë, Allahu i Madhëruar gjithmonë i ka hapur krahët e mëshirës dhe faljes duke dëshiruar t’i tërheqë robërit e Tij në atmosferën e lumturisë. Kjo deklaratë e Tij e qartë: “Mëshira ime e tejkaloi zemërimin tim!”[15], është treguesi më i bukur i kësaj të vërtete.
Mund të themi me bindje se një shoqëri, e cila e jeton Islamin ashtu siç duhet, bëhet shoqëri e paqes dhe qetësisë. Njerëzit që jetojnë aty, ndihen të sigurt edhe në jetën e kësaj bote, por mund të shohin me shpresë edhe jetën e botës tjetër. I Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:
“Atij që është mysliman, i është dhënë furnizim i mjaftueshëm dhe është i kënaqur me mirësitë që i ka falur Allahu, ka arritur shpëtimin (e vërtetë).”(Muslim, Zekat, 125. Shih. Tirmidhi, Zuhd, 35/2348.)
O Zot! Na e bëj të mundur ta kuptojmë Islamin dhe ta zbatojmë atë në mënyrën më të bukur në jetën tonë, me qëllim që të arrijmë shpëtimin në të dyja botët; që nga dora dhe gjuha jonë të mos cenohet asnjë krijesë; të bëjmë një jetë të qetë, pa cenuar askënd dhe pa u cenuar nga askush; dhe që të gjitha gjymtyrët e mirësitë, të cilat na i ke falur, t’i përdorim gjithmonë në rrugë të drejtë!
Amin!..
[1]– Shehadet: Deklarata Islame: “Esh’hedu en La ilahe il-lall-llah ue esh’hedu enne Muhammeden abduhu ue Rasuluhu / Dëshmoj se përveç Allahut nuk ka zot tjetër dhe se Muhammedi është rob dhe i Dërguari i Tij”.
[2]– Shih. Nesai, Nikah, 63/3340-1; Ibn-i Sa’d, Tabakat, VIII, 426-427; Ibnu’l-Esir; Usdu’l-gabe, VII, 333.
[3] Umet: Popull
[4] – Ensar (Ndihmës): Janë quajtur banorët e qytetit të Medinës që pritën emigrantët/muhaxhirët, të cilët erdhën së bashku me Pejgamberin (a.s.), nga Meka dhe u vendosën në Medinë.
[5] – Ibn-i Hisham, II, 266-267; Uakidi, I, 57; Ibn-i Sa’d, III, 516; Ebu Daud, Edeb, 148-149/5224; Dijat, 14/4536.
[6] – Shih. Ibn-i Sa’d, II, 255; Taberi, Tarih, III, 190 Ahmed, III, 400.
[7] Shih. Ahmed, II, 199; Hakim, I, 147; Bejhaki, Shuab, V, 58; Sujuti, el-Xhami, no: 8147.
[8] San’a dhe Hadramaut: Dy vende që ndodhen në Jemen
[9] Shih. Buhari, Menakib, 25; Ahmed, IV, 257, 377-379; Ibn-i Hisham, IV, 246; Inb-i Kethir, el-Bidaje, V,62.
[10] Shih. Bejhaki, Delailu’n-Nubuue, VI, 493; M.S. Ramadan el-Buti, Fikhu’s-sire, fq.434.
[11] Eman / Emanname: Një dokument i lëshuar në vendet islame, i cili garanton jetën dhe pasurinë e atij që e posedon.
[12] Kufi: Një stil shkrimi me gërma arabe.
[13]-Ziya Demirel-Avni Arslan, Osmanlı’da Peygamber Sevgisi, Ankara 2009, s. 63; www.turkislamtarihi.nl/makaleler/kudus.php
[14] -Bernard Lewis, “The War and the Polities”, In The Legacy of Islam, botimi i dytë, Oxford 1974, fq. 156-209.
[15] Shih. Buhari, Teuhid, 15, 22; Muslim, Teube, 14-16.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.