Nimani: Brenda javës mund të ketë radikalizim të grevave

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Anëtari i Këshillit Grevist të SBASHK-ut, Zenun Nimani, ka thënë se të gjitha takimet me Qeverinë kanë qenë vetëm formalitet.

Ai në emisionin “60 minuta” në KTV ka thënë se të gjitha takimet kanë pasur zero rezultat.

Sipas tij, as në takimin me kryeministrin Albin Kurti nuk ka pasur asnjë rezultat.

Nimani ka thënë se nuk e kupton gjithë këtë injorim nga Qeveria.

Ka paralajmëruar që brenda javës pritet radikalizim i grevave duke paralajmëruar edhe protesta.

“Nuk është betonuar SBASHK-u, por Qeveria. Me ligjin për grevat është e qartë se bisedimet kryhen më këshillin grevist dhe jo me individë. Ka filluar greva me 25 gusht me qëllimin që brenda një jave të gjendet një modalitet dhe të fillojë mësimi më 1 shtator, por nuk pat asnjë lëvizje. Zgjidhja është vetëm me u ulë në dialog dhe të gjejmë zgjidhje”, ka thënë ai.

Sipas tij, në takimin me Kurtin është biseduar gjatë por nuk ka pasur rezultat.

Nimani ka thënë se në gati 20 shkolla ka filluar mësimi, ku po mbajnë mësim nga dy individë.

Ai ka thënë se deri të premten diku 17 mësimdhënës kanë qenë duke mbajtur mësim.

Shton se kryetari i SBASHK-ut ka marrë pëlqimin e të gjithë mësimdhënësve për të hyrë në grevë që nga marsi.

“Të gjithë jemi të pajtimit që të gjendet një zgjidhje. Të gjithë duam të merret një vendim, të nënshkruhet një marrëveshje dhe të ndalet greva. Pakoja e Qeverisë nuk është pranuar nga anëtarësia. Ne nuk kemi pranuar një zgjidhje të tillë. Kërkesat tona janë legjitime dhe janë të njohura për të gjithë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nuk do të ketë ndërprerje të grevës pa një marrëveshje.

Nimani ka thënë të gjitha rregullat për greva janë përmbushur.

Ai ka thënë se SBASHK-u nuk ka buxhet për t’i paguar pagat e mësimdhënësit.

“Unë uroj që të mos ndalohen pagat, sepse nuk do të ishte mirë që kjo të ndodhë. Prindërit kanë arsye të jenë të irrituar. Anëtarësia është duke kërkuar radikalizim të masave dhe grevave. Së paku brenda kësaj jave pritet që kryesia të kërkojë të mbahen protesta. Orët e humbura nuk do të zëvendësohen”, ka thënë ai.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-