O besimtarë, kujdesuni për veten tuaj

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Falënderimi i takon
vetëm Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Salavati dhe selami qofshin mbi
pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe të
gjithë pasuesit e tij.

Vëllezër të respektuar!

Allahu i
Madhërishëm, urdhëron e thotë:

“O besimtarë! Ruane veten tuaj! Nëse jeni në rrugën e
vërtetë, nuk do t’ju dëmtojë ai që është i humbur. Te Allahu të gjithë do të
ktheheni, e do t’ju lajmërojë për atë që keni punuar.”
(el-Maide, 105)

Në këtë ajet, Allahu
i Plotfuqishëm, duke ju drejtohet besimtarëve, na porosit me tri gjera. Porosia
e parë është kjo:

1.  “O besimtarë!
Ruane veten tuaj!”

Kujdesi i vërtetë për
vetveten nuk është vetëm të sigurosh për vete shtëpi të mirë, automobil të mirë,
rroba të mira, pushime verore, dimërore…, por, kujdes i vërtetë për vetveten
është zgjedhja e vetëdijshme për ta ndërtuar një jetë, nga e cila nuk do të
duhet të ikim herë pas here; një jetë, për të cilën nuk do të turpërohemi dhe
pendohemi, një jetë, për të cilën bijtë dhe nipërit tanë do të flasin me
krenari, kur ne të shkojmë nga kjo botë.

Për çka do të flasin
djemtë, nipërit tanë, nëse jeta jonë reduktohet në imoralitet, nëse pensionin
dhe pagën e shpenzojmë nëpër bastore dhe kafene, nëse kohën e çmuar e shpenzojmë
duke shkuar nëpër gjykata për shkak të disa metrave të megjës, duke i
shqetësuar familjet dhe fqinjët. Për çfarë do të flasin ata?

Në raste të tilla, ata
nuk kanë çka të flasin, por vetëm duhet t’i bëjnë lutje Allahut, që të na merr sa
më shpejt, dhe pasi tu pranohet lutja, ta falënderojnë që Allahu i ka çliruar
nga ato për të cilat kishin turp para botës. Pasha Allahun, kam dëgjuar fëmijë duke
e falënderuar Allahun që ia mori prindin e tij, më shumë sesa që e falënderon për
çkado tjetër, dhe kjo, vetëm për shkak se (prindi) nuk është kujdesur për veten
e tij, dhe për shkak të sjelljes jo të mirë të tij ndaj njerëzve, dhe për mënyrën
e tij të jetës.

Të kujdesesh për veten
tënde, do të thotë, mos ta justifikosh jetën tënde të çorganizuar, por të
fillosh ta quash me emrin e saj të vërtetë, me emrin e imoralitetit,
dembelizmit…

Të kujdesesh për
veten tënde, do të thotë, ta pranosh vetveten si të papërsosur dhe të përballesh
me gabimet, dështimet dhe zhgënjimet e jetës tënde.

Të kujdesesh për
veten tënde, do të thotë, të kujdesesh për nevojat e tua shpirtërore, fizike
dhe sociale.

Themeli i kujdesit
shpirtëror për vetveten gjendet në hadithin e Pejgamberit (savs), ku thotë:
“Islami është i ndërtuar mbi pesë (shtylla): Mbi dëshminë se nuk
ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, mbi
faljen e namazit, dhënien e zekatit, kryerjen e haxhit dhe në agjërimin e
muajit ramazan.”
(Buhariu dhe Muslimi)

Themeli i kujdesit
fizik për vetveten gjendet në hadithin e Pejgamberit (savs), ku thotë: “Mësojani
fëmijëve tuaj notin, përdorimin e harkut dhe shigjetës, dhe kalërimin.”
Pra,
merruni me sport. Edhe në ajetin e Kuranit: “Dhe mos e vritni vetveten (dhe
njëri-tjetrin)! Allahu, me të vërtetë, është mëshirues për ju.”
 (en-Nisa, 29)

Themeli i kujdesit
shoqëror për vetveten gjendet në hadithin e Pejgamberit (savs), ku thotë: “Është
më mirë për secilin nga ju të ngrihet herët, të merr një litar dhe të shkojë në
pyll, pastaj të sjellë një barrë me dru dhe ta shesë, dhe ashtu Allahu i
Plotfuqishëm ta ruajë nderin dhe dinjitetin e tij, sesa të lypë nga njerëzit,
pavarësisht a i japin ata apo jo.”

Vëllezër të dashur!

Siç po shihet, të
kujdesesh për vetveten nuk është vetëm kënaqësi, siç e paraqesin disa, por është
rregull, punë, përpjekje dhe disiplinë e jashtëzakonshme.

Ai që kujdeset për vetveten,
mund të kujdeset për të tjerët. Ndërsa ai që nuk kujdeset për vetveten, si mund
të kujdeset për të tjerët?

Porosia e dytë e
ajetit të lartë theksuar është:

2. “Nëse jeni në rrugën e vërtetë, nuk do t’ju dëmtojë ai
që është i humbur “.

Ebu Davudi (r.h.),
ka regjistruar rastin, kur Ebu Bekri (r.a.), pas falënderimit dhe lavdërimit
për Allahun e Madhërishëm, ka thënë: “O njerëz, ju po e lexoni këtë ajet
kuranor, por po e vendosni aty ku nuk e ka vendin:
“O besimtarë! Ruajeni
veten tuaj! Nëse jeni në rrugën e vërtetë, nuk do t’ju dëmtojë ai që është i
humbur.”
(el-Maide, 105) Ne e kemi dëgjuar të
Dërguarin e Allahut (savs) duke thënë:
“Kur
njerëzit ta shohin një zullumqar dhe nuk e pengojnë në atë që bën, dhe nuk e
kapin për dore për ta ndalë, dënimi i Allahut mund t’i prekë të gjithë!”

Vëllezër të
respektuar!

Urdhërimi për të
mirë dhe ndalimi nga e keqja nuk është detyrim vetëm i hoxhës, dijetarit, profesorit…
por është detyrim i të gjithë neve, pavarësisht nga zanati dhe profesioni ynë.

Pejgamberi (savs) thotë:
“Kush e sheh një vepër të keqe, le ta largojë atë me dorën e tij, e nëse jo
me dorë, atëherë le të mundohet me gjuhën e tij, e nëse as këtë nuk mund ta
bëjë, atëherë atë vepër le ta urrejë me zemër. Kjo është shkalla më e ulët e
besimit.”
(Muslimi, nr. 49)

Nëse veprojmë në
përputhje me hadithet e mësipërme, atëherë do të jemi të sigurt se e keqja e
tyre nuk do të na dëmtojë, përndryshe do të përjetojmë ndëshkim së bashku me
ata që e kanë bërë të keqen.

Ibn Abdul-Birr dhe
të tjerë regjistrojnë transmetimin, se Allahu i Plotfuqishëm e urdhëroi një melek
që ta shkatërronte një qytet ku kryheshin mëkate. Dhe meleku e pyeti: ‘O Zoti
im, atje është filan i devotshmi, i cili vazhdimisht të bën Ty ibadet!’ Allahu
tha: ‘Fillo prej tij, dëshiroj ta dëgjoj zërin e tij. Fytyra e tij kurrë nuk u
skuq në emrin Tim
(dmth. ai kurrë nuk u zemërua për shkak të mëkateve të
njerëzve përreth tij).”

Kurse porosia e
tretë dhe e fundit e ajetit është:

3. “Te Allahu të gjithë do të ktheheni dhe Ai do t’ju
lajmërojë për atë që keni punuar.”

Vëllezër të dashur!

Çdo gjë që bëjmë,
qoftë e mirë apo e keqe, ne e bëjmë për vetveten. Allahu është i Mëshirshëm,
por Ai gjithashtu ndëshkon ashpër.

O Zot, të lutemi na
udhëzo në rrugën e drejtë dhe na e lehtëso llogarinë para Teje në Ditën e
Gjykimit. Amin !!!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-