OPOJANI 85 VJEÇAR, MERRET ME ZEJE!

Opoja Personazhe

Xha Bajramin, e njohin të gjithë. Jo vetëm banorët e fshatit Bresanë, po e gjithë Opoja dhe më gjerë. Ai është njëri ndër zejtarët më të vjetër të Opojës. Ndonëse i ka kaluar të tetëdhjetat, të lë përshtypjen se është shumë më i ri. “Nuk mund ta marr me mend se jam plakur, ndonëse moshatarët e mi veç janë rralluar! Siç po shihni, unë ende jam mjaft i fortë. Puna më mban të tillë”, thot plaku. Dhe, derisa ishim duke shkuar në punëtorinë e tij, ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës, ai thekson se nuk e ka të qartë se çka do të bëhej me të dhe familjen e tij shumë anëtarëshe, sikur të mos e kishte bërë gjithë atë punë. Më pas, ai përmend sistemet që patën ardhur e shkuar, e që nuk kanë mundur ta shkulin nga vendlindja, siç thot, me asnjë kusht. Por, më me kënaqësi flet për zejen e tij, falë të cilave disa decenie e ka mbajtur familjen.

Tani, siç thotë, kohët kanë ndryshuar! Dikur makina e tij nuk pushonte deri në orët e vona të natës. Myshterinjtë e tij nuk ishin vetëm opojanët, të cilët dikur kishin me dhjetëra mijëra dele, por edhe blegtorët nga viset tjera të Kosovës dhe Maqedonisë.
Ndërkaq, duke folur për makinën e tij, nga e cila ende nuk e ka ndërmend të ndahet, ai rrëfen se atë e ka blerë shtrenjtë, para 4 deceniesh. Tani nuk i kujtohet çmimi, ngase e kishte blerë me dinarë të vjetër. Por, e mban mend se atëherë i kishte shitur dy ara për ta blerë makinën, kapaciteti i së cilës është 100 kg. lesh delesh në ditë. Mjerisht, kjo sasi tani assesi nuk mund të arrihet për një kohë më të gjatë, ngase produkti i zejes së tij, tashmë po përdoret vetëm për prodhimin e veshjeve tradicionale, që ende përdoren nga disa malësorë të Gorës e të Maqedonisë. Nga ana tjetër, është pakësuar në mënyrë drastike  edhe numri i deleve, ngase të rinjtë nuk i josh më blegtoria, e as zeja e tij. “Tani makina ime vihet në lëvizje gjithnjë e më rrallë, kështu që një ditë, bashkë me mua do të pushojë edhe makina, e cila më ka mundësuar që të mos e rrok trastën e kurbetit, siç kanë bërë, e që bëjnë edhe sot, shumë opojanë”, thotë ai.
Ai rrëfen edhe për jetën e tij të mundimshme, për të siguruar bukën e gojës për familjen 36-anëtarëshe. Thotë se nga të gjithë këta, vetëm njëri është i punësuar, me një pagë sa për të thënë. “Familjen, fillimisht e kam mbajtur me zejen e shprishjes së leshit, por më vonë kam filluar edhe gjellëbërjen. Kam punuar shumë dhe jam i kënaqur, kur shoh se shtëpia më është mbushur me djem, nipër e mbesa, të cilët i kam ngritur me këto duar”, shprehet ai, duke konstatuar se e hidhur është buka e kurbetit, prandaj edhe djemtë e nipërit i ka kursyer nga trasta e kurbetit.
Në ndare nga xha Bajrami, vetëm një gjë të sillej në kokë: “Makina e tij, një ditë do të mbetet vetëm si relikt i së kaluarës”.
Sido që të jetë, në Opojë ka ende zeje që mezi mbesin gjallë dhe që një ditë, vetëm se do të flitet për ekzistencën e tyre, por që nuk do të ekzistojnë!

Komuna e Dragashit renditet e pesta në Kosovë për nga numri i librave, ndërsa e nënta për nga numri i lexuesve në bibliotekën e qytetit

Fisnik Guri

Pas një situate të re me Covid 19- Shtabi Emergjent i Komunës së Dragashit mbajti takimin e radhës

Opoja.net

Nga 50 mostra të testuara, 4 mësimdhënës dhe një nxënëse dalin pozitiv në Sh.M.L.”Ruzhdi Berisha” në Dragash

Fisnik Guri
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net