Padrejtësia (zullumi) është mëkat i madh në Islam

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Autor: Nexhat Spahiu

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun (xh.sh.), Krijuesin dhe Furnizuesin e Vetëm, i Cili i ngriti qiejt e shtroi tokën dhe vendosi drejtësi në to. Allahu i Madhërishëm në Kuranin famëlartë ka thënë:

“Dhe, kur të flisni, bëhuni të drejtë, qoftë edhe kundër të afërmve tuaj. Dhe, mbajeni besën e Allahut. Me këto Ai ju porosit ju në mënyrë që ta përkujtoni.” (En’am, 152)

Salavatet dhe selamet qofshin për zotërinë e njerëzimit, pejgamberin e drejtësisë dhe të mëshirës, Muhamedin (a.s.), i cili na porosit duke thënë:

“Mos bëni padrejtësi, sepse padrejtësia është errësirë në Ditën e Kiametit.” (Myslim)

Të flasësh për drejtësi sot është një temë sa aktuale aq edhe e nevojëshme, sepse thuajse kudo padrejtësia mbizotëron, me keqardhje dhe në mesin e myslimanëve e shumë me irritim e themi edhe në mesin e disave njerëzve që janë përgjegjës të ndonjë detyre me rëndësi. Sot disa myslimanë jetojnë në luks e diamante e disa vuajnë për bukën e gojës.

Njerëzit, që të gjithë, janë robër të Allahut të Madhëruar, gjë që nënkupton se askush nuk ka të drejtë të dëmtojë tjetrin, sidomos kur duhet të kemi parasysh fakti se Allahu, si Krijues, ia ka ndaluar padrejtësinë edhe Vetes së Tij. Në një hadith kudsijj thotë: “…O ju robërit e Mi! Unë e kam ndaluar padrejtësinë edhe për Vete, sikur që e kam ndaluar edhe në mesin tuaj, andaj mos i bëni njëri- tjetrit padrejtësi!…”

Allahu i Madhëruar, edhe pse ka mundësi të bëjë ç’të dojë, kur të do dhe kujt të dojë, megjithatë Ai nuk i bën zullum askujt.

Padrejtësia është burimi i të gjitha të këqijave. Për këtë Allahu i Lartësuar nuk i do zullumqarët dhe nuk e udhëzon popullin zullumqar.

Nuk ka mëkat më të madh se padrejtësia. Për mëkatin i cili është në mes teje dhe Allahut, ka shpresë se Allahu është Falës dhe do ta falë atë. Nëse mëkati është në mes teje dhe njerëzve të tjerë, atëherë nuk ka shpresë tjetër vetëm se të ta falë ai që e ke ofenduar, shpifur, përgojuar apo që i ke bërë ndonjë dëm. Zullumqari do të duhej të pendohet për padrejtësinë që u ka bërë tjerëve dhe të kërkojë falje prej atij që i ka bërë dëm qysh në dynja.

Pendimi për padrejtësi është kërkimfalja ndaj personave që u është bërë e padrejta.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Kush i ka bërë një padrejtësi (zullum) vëllait të vet në nderin e tij apo në diçka tjetër, le t’i kërkojë falje atij po atë ditë, para se çështja mos të bëhet për dinarë e dirhemë (para se të vihen veprat në llogari): nëse e ka një vepër të mirë – do t’i paguhet me të padrejtësia; por nëse nuk do të ketë vepra të mira, atëherë do t’i merren mëkatet e të dëmtuarit dhe do t’i jepen atij (që ka bërë zullum).” (Transmeton Buhariu dhe Myslimi).

Ka me dhjetëra ajete në Kuran, të cilat e ndalojnë myslimanin të bëjë padrejtësi ose t’i ndihmojë zullumqaret për të bërë padrejtësi. Edhe në të kaluarën ka pasur njerëz që, kur ishin në ndonjë pozitë më të mirë se të tjerët u bënin padrejtësi të tjerëve. Ata menduan se do të mbeteshin përgjithmonë të pamposhtur, e harruan Krijuesin e Gjithësisë.

“Këto janë shtëpitë e tyre të rrënuara për shkak të zullumit që kanë bërë.” (Neml, 52) “Këto fshatra Ne i shkatërruam në kohën kur ata bënë zullum…” (Kehf, 59)

“Kështu është dënimi i Zotit tënd kur i dënon fshatrat që janë zullumqarë. Dënimi i Tij është i dhimbshëm e i rëndë.” (Hud, 102)

“Duke u shkatërruar edhe njeriu i fundit prej atyre që bënin zullum. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.” (En’amë, 45)

“Mos anoni nga ata, të cilët bëjnë zullum, sepse pastaj do t’ju kapë zjarri, duke ditur se ju nuk keni ndihmës tjetër, përveç Allahut dhe pastaj nuk do të ndihmoheni.” (Hud, 113)

“Atë ditë zullumqari do t’i kafshojë duart e veta dhe do të thotë: ‘I mjeri unë, ta kisha marrë rrugën e Pejgamberit!’” (Furkan, 27)

Këto dhe shumë ajete të tjera kuranore na këshillojnë edhe ne që të kemi kujdes ndaj një dukurie të tillë, të mos vijë hidhërimi i Allahut mbi ne.

Mos ia lejo vetes të bësh padrejtësi dhe të vdesësh në atë gjendje! Mos ia lejo vetes t’i bëhesh krah një zullumqari dhe të padrejti, qoftë edhe të heshtësh ndaj një padrejtësie! Mos prano të ecësh mbi tokën e Zotit dhe nën qiellin e Tij, ndërkohë që i ke hyrë dikujt në hak!

“Kur i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, vendosi ta dërgonte Muadhin në Jemen, e këshilloi me fjalët: ‘Ruaju lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, sepse me të vërtetë ndërmjet lutjes së tij dhe Allahut nuk ka kurrfarë perdeje (pengese).’” (Shënon Buhariu)

Ebu Hurejra (r.a.), thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Tri lutje (dua) janë të pranuara pa dyshim: lutja e atij mbi të cilin bëhet padrejtësi, lutja e udhëtarit (musafirit), si dhe lutja e prindit për fëmijën e vet.”

Transmetohet nga Xhabiri (r.a.), se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Ruajuni dhunës (padrejtësisë), sepse dhuna është errësirë në Ditën e Gjykimit, ruajuni koprracisë, sepse vërtet koprracia i ka shkatërruar ata popuj që kanë qenë para jush: ajo i ka shtyrë për derdhjen e gjakut të tyre dhe i ka shtyrë që ndalimet (haramet) t’i bëjnë të lejuara (hallall).”

Padrejtësia mund të jetë disa llojesh, por më të ndjeshmet janë:

Padrejtësia ndaj Allahut, kur i bën shirkut është: t’i bësh Allahut shok apo ortak, d.m.th. t’i shoqërosh Atij dikë, në diçka që i përket vetëm Atij, siç janë krijimi, furnizimi, zotërimi, apo adhurimet e ndryshme: falja, agjërimi, bërja kurban, lutja, frika, dashuria etj. Kjo është padrejtësia më e madhe.
“…Jobesimtarët janë mizorë.” (El-Bekare, 254)

“…sepse idhujtaria është padrejtësia më e madhe.” (Llukman, 13)

“(përkujtoju popullit tënd) Kur Llukmani duke e këshilluar, i tha birit të vet: ‘O djali im, mos i përshkruaj Allahut shok, sepse idhujtaria është padrejtësi më e madhe!” (Llukman, 13)
“Këto janë dispozita të Allahut, pra mos i kundërshtoni, sepse kush i tejkalon dispozitat e Allahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët.” (Bekare, 229)

Padrejtësia e njeriut ndaj vetvetes bëhet duke e zhytur vetën në mëkate të ndryshme dhe duke mos bërë përkulje ndaj urdhrave të Allahut dhe porosive të Muhamedit (a.s.). Për këtë kemi ajetin:
‘‘…Pra Allahu nuk u bëri padrejtësi atyre, por ishin ata që i bënë padrejtësi vetvetes.” (En-Nahl, 33)

“Dhe prej tyre ka që janë zullumqarë të vetvetes.” (Fatir, 32), ndërsa Musai (a.s.), i drejtohet Allahut (xh.sh.), duke i thënë: “O Zoti im, me të vërtetë i kam bërë zullum vetes.” (Kasas, 16)

“Pastaj Ne u lamë në trashëgim librin robërve Tanë që Ne i kemi zgjedhur; e prej tyre ka që janë dëmtues të vetvetes, ka që janë mesatarë, e ka prej tyre që janë me ndihmën e Allahut, të parët në punë të mira, e kjo është ajo mirësia e madhe.” (Fatir; 32)

3. Padrejtësia ndaj të tjerëve: p.sh. kur e mbyt, i merr pasurinë, e ofendon etj.

Muhamedi (a.s.), thotë: “Ai që i ka bërë padrejtësi vëllait të tij, për sa i përket nderit ose diçka tjetër, le t’i kërkojë falje e të mos presë ditën kur nuk vlejnë mjetet financiare, meqë, nëse ka vepra të mira, merren nga ai baras me padrejtësinë, e nëse nuk ka të mira, të këqijat merren nga ai që i është bërë mizori, dhe i ngarkohen mizorit” (Buhariu)

Shënohet prej Ebu Hurejres se i Dërguari (s.a.v.s.), ka thënë: “Kush i ka bërë ndonjë të padrejtë vëllait të vet mysliman, qoftë morale apo materiale, le të kërkojë sot t’ia falë dhe t’ia bëjë hallall, para se të vijë dita kur nuk do të ketë as dinarë, as dirhemë. Atë ditë do të merren prej veprave të mira të tij, nëse do t’i ketë, aq sa vlen ofendimi që ka bërë. Nëse nuk do të ketë vepra të mira, atëherë do të merren prej mëkateve të atij që i është bërë e padrejtë dhe do t’i ngarkohen atij.”

“Ndëshkimi i të keqes bëhet me një të keqe në të njëjtën masë, e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek Allahu. Vërtet, Ai nuk i do zullumqarët. E kush hakmerret për padrejtësitë që i janë bërë, ndaj të tillëve nuk ka ndonjë përgjegjësi. Përgjegjësia (ndëshkimi) është vetëm kundër atyre që u bëjnë njerëzve padrejtë dhe kundër atyre që pa farë arsyeje bëjnë çrregullime në tokë. Për të tillët është një dënim i dhembshëm. Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm). (Shura; 40-43)

Allahu na bëftë prej atyre, të cilët ia kemi frikën vetëm Allahut të Madhëruar dhe punojnë për botën tjetër. Allahu na ruajttë imanin në zemrat tona, na forcoftë në këtë Fe, na bëftë të jetojmë si myslimanë, të vdesim si myslimanë dhe të ringjallemi si myslimanë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-