Për tri javë, 19 mijë gjoba për mosrespektim të ligjit antiCovid

Opoja.net Opoja.net Kronika

Janë bërë më shumë se tri javë që kur në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër Covid-19.

Krejt kjo për të parandaluar përhapjen e virusit, ku shifrat e të vdekurve dhe të të infektuarve nga gjysma e muajit gusht e deri rreth një javë më parë ishin mjaftë shqetësuese.

Numri i të vdekurve kishte ditë që kalonte mbi 30, deri sa ai i të infektuarve arrinte gati në tre mijë.

Si shkak i masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, Policia për tri javë ka shqiptuar numër të madh të gjobave për shkelësit e ligjit antiCovid, shkruan FrontOnline.

Në një përgjigje për FrontOnline nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se vetëm për periudhën tri javore janë shqiptuar rreth 19 mijë vërejtje ndaj shkelësve të masave antiCovid.

Ndërsa, janë shqiptuar rreth 50 mijë fletëparaqitje për kundërvajtje në trafik.

“Aktivitetet dhe patrullimet policore janë shtuar në nivel vendi, nga data 30 gusht 2021 deri më 21 shtator 2021 janë shqiptuar rreth 50.000 mijë fletëparaqitje për kundërvajtje​, si dhe janë dhënë rreth 19 mijë vërejtje për shkelësit e Ligjit Anti- COVID-19 referuar vendimeve për masat e përcaktuar nga qeveria për parandalimin e pandemisë”, thuhet në përgjigjen e PK-së, për FrontOnline.

Ata madje kanë apeluar tek të gjithë qytetarët që të respektojnë masat, sepse vetëm me këtë mund të ulet numri i rasteve.

“Njëkohësisht PK apelon te të gjithë qytetarët, institucionet dhe bizneset që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit,  që t’u përmbahen rregullave dhe të respektojnë masat anti COVID, në mënyrë që edhe një herë,  të arrijmë t’i ulim shifrat e të prekurve dhe të mbrojmë të gjithë së bashku shëndetin publik, në të kundërtën do të merren masa ndëshkuese”, thuhet më tutje në përgjigjen e Policisë.

E, të gjitha mjetet financiare të mbledhura nga masat ndëshkimore derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës.

FrontOnline, për të ditur se sa kanë qenë të hyrat në buxhetin e shtetit nga këto dënime, ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Financave, por nga kjo ministri kanë thënë që për këtë çështje t’i drejtohemi Policisë së Kosovës.

“Meqë këto të hyra grumbullohen në një llogari së bashku me gjobat e trafikut (kundërvajtëse) nga Policia e Kosovës ju sugjeroj që për të bërë këtë ndarje (vetëm për COVID) të kërkohen të dhënat atje”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave, për FrontOnline.

Por, Policia e Kosovës për këtë nuk kanë dhënë fare përgjigje.

Dje në mbarë Kosovën Policia e Kosovës ka shqiptuar një mijë e 160 gjoba në bazë të ligjit antiCovid.

Kurse, vetëm një ditë më vonë, pra sot ka pasur rënie të shqiptimit të gjobave, ku gjithsej janë gjobitur vetëm 932 qytetarë./FrontOnline

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-