Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për përfshirje në vrasjen e imamit në Zlipotok të Dragashit.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 qershor 2026, rreth orës 23:00, i pandehuri Beshir Hamzës ka privuar nga jeta tani të ndjerin Gazmend Tahirovci, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme që lidhej me shfrytëzimin e një prone, përkatësisht një livadhi.
Ndërkaq, i pandehuri I.H., babai i B.H., dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.
Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se kjo masë është e nevojshme për të siguruar prezencën e të pandehurve dhe zhvillimin normal të procedurës penale pa pengesa.
Gjykata ka vlerësuar po ashtu se ekziston rreziku i ikjes, pasi i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes, çka sipas saj tregon mundësinë e shmangies nga përgjegjësia penale nëse lihet në liri, andaj masa e paraburgimit në këtë fazë është vlerësuar si e domosdoshme.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

