Hfz. Mehas Alija
Fillimisht t’i lexojme ajetet
e agjërimit në suren El-Bekare, 183-187):
«O ju që besuat, agjërimi u
është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush,
kështu që të bëheni të devotshëm. (Jeni të obliguar me Ditë të caktuara, e kush
është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le
të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë),
janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga
vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për te. Mirëpo, po qe se e dini,
agjërimi është më i mirë për ju. (Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit
që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe
sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e
përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në
udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë
dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët
e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun për atë se
u udhëzoi dhe që të falënderoni. Natën e agjërimit u është lejuar afrimi te
gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. All-llahu e di
se ju e keni mashtruar vetveten, andaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali
gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar All-llahu
dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e
pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje. E kur jeni të izoluar (në
i’tikafë) në xhami, mos t’u afroheni atyre (për marrëdhënie intime). Këto janë
dispozitat e All-llahut, pra mos i kundërshtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë
All-llahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta që ata të ruhen.»
Të respektuar vëllezër e
motra!
Nëse u bëjmë një vështrim
pak më ndryshe ajeteve të agjërimit, mënyrës se si është obliguar dhe sqaruar
ky adhurim, do të shohim se në to fshihen sekrete mësime dhe urtësi të bukura.
Vetëm thirrja e All-llahut
xh.sh. dhe mënyra se si e arsyeton detyrën e dhënë ndaj besimtarëve, të bënë të
lumtur, të gëzueshëm dhe të bindur ndaj urdhrit hyjnor.
Le t’i shikojmë së bashku motivet
nxitëse për agjërimin:
– O ju që keni besuar… Një thirrje specifike,
imanore, klasifikuese, që prej fillimi tërheq vëmendjen e robërve të Tij të përzgjedhur.
– Nuk jeni të vetëm në këtë
detyre. Ka pasur edhe përpara jush që kanë kryer të njëjtën gjë, të njëjtin
obligim. Pra, më përpara ka pasur burra e gra, djem e vajza, pleq e fëmijë që
kanë agjëruar. Këtu shohim inkurajimin, nxitjen dhe përkëdheljen e Allahut.
– Me qëllim që ju ta arrini takvallëkun (devotshmërinë). Pra, asgjë nuk keni për të humbur. Me anë të devotshmërisë do të arrini shumë, e mbi të gjitha: kënaqësinë e të nënshtruarit ndaj All-llahut xh.sh. dhe ndjeshmërinë e zemrave tuaja. Me anë të devotshmërisë ne kemi një garancë për pranimin e veprave tona: Vërtetë Allahu xh.sh. pranon vetëm prej të devotshmëve. (Maide, 27).
– Janë vetëm disa ditë. Pra, nuk kërkohet agjërimi i
tërë vitit apo tërë jetës, edhe pse All-llahu është Zot dhe mund të vendos për
robërit e Tij atë Ai dëshiron.
– Shpallja e Kur’anit në
muajin Ramazan, agjërimi si mirënjohje në të. All-llahu na njofton se
muaji i Ramazanit është muaji që e ka përzgjedhur për të agjëruar, i cili ose është
29 ose 30 ditë.
– All-llahu dëshiron lehtësim
për robërit e Tij dhe nuk dëshiron vështirësim. Në fakt, kjo paraqet edhe
shpirtin e Islamit, të sistemit dhe mësimit të tij, gjë që shihet edhe te
adhurimet e tjera, e jo vetëm te agjërimi. Feja nuk i detyron njerëzit në besim
duke i lidhur me zinxhirë, porse me anë të devotshmërisë.
– Lutmëni, ju përgjigjem. Kjo është dhurata e agjërimi.
Të jesh rob i Zotit nuk është sikur të jesh rob i ndonjë zotëriu tjetër. Zoti
si shpërblim për robërimin, të dhuron të mira të pafundta, ndërsa, zotëria nga
robi merr dhe shfrytëzon të mirat dhe dobitë e tij. Prandaj, Zoti, si shpërblim
për agjërimin që i bëjmë, na thotë kërkoni prej meje, lutmëni që t’ju
përgjigjem.
Të gjitha këto elementë që i
paraqitëm tregojnë për faktin se Zoti me anë të një obligimi të caktuar, në
këtë rast agjërimit, na paraqet dashurinë e Tij të madhe që ka ndaj robërve të
tij. Ai na përkëdhel, duke na dhënë kurajo dhe duke na ngushëlluar.
Po kështu, e njëjta gjuhë, e
njëjta filozofi dhe dashuri manifestohet te kumtimi dhe lajmërimi pejgamberik
në lidhje me obligueshmërinë e agjërimit. Muhammedi a.s. në një hadith
shprehet:
“Ju erdhi muaji i
Ramazanit, muaji i bekuar. All-llahu ju ka urdhëruar të agjëroni në të. Në këtë
muaj hapen dyert e Xhennetit, mbyllen dyert e Xhehennemit, si dhe lidhën
shajtanët. Në këtë muaj është nata, e cila është më e mirë se një mijë muaj.
Kush privohet nga kjo e mirë, ai është vërtetë i privuar, i pafat.”
Vëllezër e motra të
nderuara!
Dua të ritheksoj edhe
njëherë se qëllimi i agjërimit është shumë i lartë. Ai mund të jetë i
dukshëm dhe i fshehtë. I dukshmi, që të bëhemi të devotshëm, kurse
qëllimi i fshehtë është që të testojë besimtarët (mu’minët) në sinqeritetin e
tyre. Agjërimi është eksluzivisht për All-llahun, prandaj dhe ka thënë: “Agjërimi
është i Imi dhe unë shpërblej për të.” Në adhurimet e tjera mund të ketë
përzierje në nijetin e njeriut, për t’u dukur përpara njerëzve apo për ta kryer
pastër për All-llah.
Lutem me shpirt e zemër që
All-llahu xh.sh. të na e lehtësojë agjërimin e ditëve të Ramazanit dhe netët e
tij t’i bëjë arenë e kënaqësive tona familjare. Paçim një Ramazan të begatë dhe
të lehtë, inshallah!
25.04.2020, St.Gallen
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.