ME RASTIN E 30 VJETORIT TË ORGANIZIMIT TË PROTESTAVE “PËR MBROJTJEN E KUSHTETUTËS SË KOSOVËS”
Përkujtojmë dëshmorin e kombit, Vahidin Hajrizi nga Kuklibegu
Vahidin Hajrizi u lind më 22. 10. 1969 në Kuklibeg. Shkollën fillore e kreu në Bresanë, kurse të mesmen e vijoi në Dragash, në gjimnazin “Emin Duraku”
Gjatë kohës së grevës së minatorëve në Trepçë dhe solidarizimit të tërë Kosovës, në vitin 1988-89, edhe nxënësit e gjimnazit “Emin Duraku” të Dragashit kishin hyrë në grevë dhe po solidarizoheshin me minatorët e Treçpës. Fundja minatorët nuk po protestonin për interesa të veta përsonale, por e kishin ngritur zërin për interesin e përgjithshëm, kundër të keqes së madhe që po i kanosej Kosovës.
Protestat kish marrë hov në tërë Kosovën. Madje edhe nëpër shkolla fillore. Ishte kjo koha kur Sllobodan Millosheviqi po ngritej në skenë përmes shokëve të tij: Bogdan Trifunoviqit, Borisav Joviqit, Petar Graqaninit etj. Në një nga këto klasë që po protestonin në gjimnazin e Dragashit, ishte edhe nxënësi i shkëlqyer Vahidin Hajrizi. Ky së bashku me disa shokë të tij të klasës ishin më të zëshëm në këtë drejtim. Pushteti i atëhershëm dhe veglat e tij mblidhnin shënime për çdo gjë.
Vahidini si nxënës i shkollës së mesme ishte shumë aktiv në ngjarjet e vitit 1989, për ç’arsye disa herë u muar në pyetje e u maltertua. Edhe në ngjarjet e shkurtit të vitit 1989 aktivitetin nuk e ndali. Ishte ndër organizatorët kryesor të nxënësve të gjimnazit në këto ngjarje. Kështu ai kishte rënë në sy të agjentëve të UDB-së.
Pasi u muar disa herë në pyetje u përjashtua nga shkolla. Kësi soji nuk arriti të regjistrohet në fakultet. Pastaj shkon në shërbim ushtarak, në Sombor e pastaj në Divulje të Splitit. Në ushtri si pasojë e karakteristikave që ia kishin dërguar, kishin filluar ta marrin në pyetje vazhdimisht. Më 26 prill 1990 kthehet në arkivol me diagnozën “Mors suspensi violenti” (Vdekje e dhunshme varje). Me këtë ushtria kriminale jugosllave, thoshte se ai e kishte varur veten, por duke i patur parasysh karakteristikat e tija, veprimtarinë e tij, marrjen e vazhdueshme dhe presionin që i bëhej në biseda informative, si dhe faktin se shumë ushtarë shqiptarë ishin sjellur nëpër arkivole, është e qartë se është fjala për likuidim klasik. Çdo arsyetim në këtë drejtim është tentim i zbehtë për t’i mbuluar gjurmët e krimit.
Më në fund institucionet tona, nuk e lanë në harresë jetën dhe veprimtarinë e Vahidin Hajrizit, ku në prill të vitit 2017, u shpall dëshmor i kombit.
(Teksti i marrur nga Bedri Halimi, Fotografitë nga Kasam Muhameti)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.