Me gjasë me synimin për të përforcuar porosinë, përkthyesi prototipik i shehadetit ka gabuar me shtim në përmbajtjen e shehadetit në gjuhën shqipe. Ky shtim ishte problematika udhëheqëse ndër të mundshmet që mund të hasim kur përkthejmë përmbajtjen e shehadetit në gjuhën tonë.
Me jo kush e di çfarë njohurish rreth gjuhës arabe, një gjuhëtar i rëndomtë mund të bëjë përkthim filologjikisht të drejtë dhe gjuhësisht normativ të shehadetit. Me gjasë këtë procedurë kanë ndjekur, fjala vjen, anglezët kur kanë bërë përkthimin e shehadetit në gjuhën e vet. Te ta qëndron “No god but Allah”, strukturë e cila matematiko-gjuhësisht është komplet e njëjtë me strukturën homologe, përndryshe origjinali, arabisht – “La ilahe ila llah”.
Elementi që është i tepërt në përmbajtjen e shehadetit shqip është përemri i pacaktuar “tjetër”. Në parim, ai shkon në bashkëvajtje vetëm me përemrat, të themi, “ndonjë”, “dikë”, “gjëkafshë” etj. Arsye tjetër është se pas përemrit “tjetër” nuk guxon të figurojë presja, parimisht. Së këndejmi, te struktura “Nuk-ka-zot-tjetër-përveç-Allahut” të mos vëmë presje nuk bën, sepse kemi të bëjmë me periudhë, ndërsa vënia presje pengohet nga prania e përemrit “tjetër”, siç thamë më lart. Si rrjedhojë, enigma zgjidhet me të hequr përemrin, gjë që presja shpengohet për të funksionuar.
Nëse do t’u thoshit “pse” tezave të paraqitura, për çështjen e përemrit folëm më sipër, se si është natyra e shqipes në njërën anë, dhe në anën tjetër aksidentalisht kemi mbështetje nga struktura origjinale në gjuhën arabe, në të cilën s’ka prani të përemrit “tjetër”, do të ishte përgjigjja që do t’ju jepja. Edhe në gjuhën angleze gjithashtu. Meqë ra fjala, mund të vëreni se në strukturën anglisht nuk ka presje brenda periudhës, ndërsa për shqip ne themi se duhet pasur. Kjo nuk do të duhej të shkaktonte ndonjë habi. Një gjuhëtar që di më shumë se një gjuhë me siguri se është përballur ose do të përballet me faktin se jo të gjitha gjuhët kanë norma të njëjta të drejtshkrimit. Teksa për lidhëzën kundërshtuese “but” gramatika e anglishtes thotë se paraprihet nga presje, përveç se kur përdoret në funksionin e lidhëzës “përveç”, faktikisht “me përjashtim të”, gramatika e gjuhës shqipe thotë se lidhëza në fjalë gjithmonë paraprihet nga presje.
Një tezë që i jep edhe më shumë elegancë
Një studiues gjuhe, Mirsim Maliqi, parashkruan miratimin e tezës se fjala “ilah” nuk duhet të përkthehet “zot”, po “i adhuruar”, madje “i adhuruar me meritë”, që paraqet sinonim përafrues me fjalën “hyjni”.
Në njërën anë, shikuar leksikologjikisht, priremi të themi se alternativa e parë është më teknike, gjegjësisht shpjegim i fjalës së dytë (hyjni apo zot, të themi), kurse realiteti i shumësisë së feve na bën të parazgjedhim opcionin “i adhuruar (me meritë)” për “ilah”, sepse kështu do të përfshinim të gjitha fetë e besimet në një bashkësi, më pastaj për të shpërligjur meritën për adhurimin që i drejtohet çdo hyjnie, gjegjësisht çdo të adhuruari, përveç Allahut. Dhe thënë me një fjalë, unikaliteti i Islamit është se parashkruan se të gjitha hyjnitë e tjera i vë në kategorinë e të adhuruarve, qoftë aspektin hyjnor të ashtuquajtur të Jezusit e deri te zjarri si hyjni e adhuruesve të zjarrit, përndryshe i adhuruari i pjesëtarëve të atij besimi shikuar neutralisht, dhe pastaj si kështu, pra si bashkësi, i konsideron që nuk meritojnë t’u drejtohet adhurimi. Kjo që thamë mund të konsiderohet shpjegim doktrinor i shehadetit.
Përfundim
Ky shënim është bërë: 1) Duke e ndeshur shpeshherë shehadetin të përkthyer jo drejt gramatikisht, me vërejtje morfologjike-drejtshkrimore, që teorikisht shprish doktrinën e dëshmisë së Islamit, e cila thamë se së pari shpërfill çdo të adhuruar, pastaj përfill vetëm një – Allahun e pafillim dhe të pambarim. Se nëse do të thoshim, e potencojmë edhe një herë, se “s’ka zot tjetër përveç Allahut”, nuk shpërfillim çdo të adhuruar, madje nuk e dimë sa janë shpërfillur deri kur arrijmë te “Allahu”. E sado që do të kishin qenë, thënë kushtimisht, ata të adhuruar që nuk i kemi shpërfillur – edhe një po të ishte më tepër – dalim jashtë shpjegimit autentik të doktrinës dhe të kuptimit të drejtë të saj; dhe 2) ndonëse është e njëjta shtysë, por shikuar nga një kënd tjetër, është se në Islam, shikuar si thotë parimi, “Çdo ibadet (adhurim) është i ndaluar, përveç atyre që janë përligjur dhe urdhëruar nga Allahu dhe i dërguari i Tij, dhe çdo adet (veprim apo zakon) është i lejuar, përveç atyre që janë shpërligjur dhe ndaluar nga Allahu dhe i dërguari i Tij!”. Parimin e paraqitëm të pacunguar edhe për nevoja të tjera, por ajo që përket me temën e diskutimit është pjesa e parë e tij.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.