Përse agjentura serbe më 1989 e helmoi ortopedin e njohur opojar,dr. Halil Berisha

Opoja.net Opoja.net Opoja Personazhe

GUXIMI DHE TRIMËRIA IA SOLLËN VDEKJEN E PARAKOHSHME

Shkruar nga: Muharrem Qafleshi

Një ditë qershori të vitit 1989 si rrufeja përhapet lajmi për vdekjen e papritur të specialistit, ortopedit të njohur të Spitalit të përgjithshëm të Prizrenit, Dr. Halil Berisha. Qytetarët e Prizrenit me rrethinë asokohe ishin mjaft të tronditur për këtë vdekje enigmatike, të cilën e pat mbuluar misteri plotë

Lajmi i papritur për vdekjen e parakohshme të ortopedit të njohur opojar, i cili ishte duke punuar me shumë sukses në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, i pat pikëlluar pa masë të gjithë shokët e tij, miqtë, pacientët dhe të gjithë qytetarët e Prizrenit me rrethinë. Ishte kjo si një rrufe në një ditë me diell, ngase të gjithë ata që e njihnin Dr Halilin nuk mund t’i besonin një lajmi të tillë, duke pasur parasysh moshën e tij, shëndetin e pashpjegueshëm, forcën dhe vitalitetin e tij. Për më tepër, asokohe të gjithë dyshonin për këtë vdekje aq befasuese, ngase e njihnin fare mirë trimërinë dhe guximin e tij prej njeriu e mjeku në ato vite aq të rrezikshme , kur mbi popullatën shqiptare të Kosovës ushtrohej një dhunë e paparë nga UDB-a dhe policia e egër serbe. Megjithatë, ndonëse të gjithë dyshonin për këtë vdekje mjaft misterioze, askush nuk guxonte të flitte haptazi nga rreziku kanosej nga çdo anë, dhe dera e burgjeve ishte prore e hapur për shqiptarët.

Kush ishte dr. Halil Berisha?
Halili, i biri i Ramadanit dhe Vehibes, u lind më 11 prill të vitit 1949 në fshatin Buqe të Opojës, ku e kaloi fëmijërinë. Më vonë prindërit e tij shpërngulen nga ky fshat për t’u vendosur në Prizren. Aty Halili e kreu shkollën fillore e më pas edhe gjimnazin në vitin 1967. Të njëjtin vit e regjistroi fakultetin e veterinës në Sarajevë, për të kaluar më pas në fakultetin e mjekësisë në Beograd, në të cilin edhe diplomoi në vitin 1974. Po atë vit punësohet në Shtëpinë e Shëndetit në Prizren, në cilësi të mjekut të praktikës së përgjithshme, ku punoi derisa shkoi për të specializuar në degën e ortopedisë me traumatologji.
Në vitin 1981 specializon ortopedinë me traumatologji në klinikën ortopedike universitare të Lublanës. Pas kësaj kthehet në Prizren, ku si ortoped i parë specialist themelon repartin ortopediko- traumatologjik, pas Prishtinës i pari në Kosovë,në të cilin sot punon një numër i konsiderueshëm specialistësh të kësaj fushe. Aty punoi me shumë sukses dhe shëroi shumë pacientë nga Prizreni me rrethinë dhe nga tërë Dukagjini, deri në ditën e kobshme të 3 qershorit të vitit 1989, kur helmohet nga regjimi serb. Pas vete ka lënë bashkëshorten, Diharen dhe fëmijët: Ilirianën, Yllkën dhe Blerimin.

Pse është helmuar dr Halili?
Të gjithë ata që e njihnin pak më mirë dr Halilin, asokohe druheshin për jetën e tij. Ishin kohë të liga dhe çdokush që nuk i shkonte përshtati regjimit shoven serb e kishte “qefinin nën sqetulle”. Atëbotë, pos arrestimeve dhe rrahjeve pa mëshirë, ndodhnin edhe shumë vdekje të dhunshme. Ishte koha kur Xhemali Berisha me shokë janë mbytur nga udbashët famëkeq serbë. Kufomat e tilla dërgoheshin në spitalin e Prizrenit, ku mbi mjekët bëheshin presione të ndryshme për të nënshkruar certifikatat mjekësore për gjoja vdekje të rëndomta natyrore, si i quante asokohe sigurimi i egër serb. Mirëpo tek dr Halili një gjë e tillë nuk mund të kalonte. Ai për çdo vdekje të tillë, me një guxim dhe trimëri të pashoq lëshonte certifikata me konstatime të sakta për vdekjen e tyre. Po ashtu edhe një kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë në kurimin e demonstruesve të demonstratave në Zhur dhe Arbanës ish Dushanovës. Dhe, natyrisht që kjo i ka tërbuar pamasë udbashët e pamëshirshëm serbë. Thjesht, dr Halili, bëhet një halë në sy të tyre, të cilën duhej që patjetër ta eliminonin. Meqë e kishin të qartë se burgosja dhe torturimi i tij do të bënte jehonë të madhe tek popullata, ata shestuan një plan tjetër, helmimin e tij. Natyrisht që planet gjakatare të tyre asokohe nuk shkonin huq, andaj më në fund, në fillim të qershorit të vitit 1989, arritën që ta helmojnë në mënyrë mjaft misterioze, siç dinin vetëm ata, në moshën më të mirë, ortopedin, njeriun dhe patriotin e shquar –dr, Halilin.
Familjarët e tij rrëfejnë se ditën e kobshme, dr. Halili kthehet në shtëpi në orët e vonshme dhe pasi që ishte mjaft i lodhur dhe i rraskapitur, u thotë atyre se nuk ndjehet mirë, andaj përnjëherë shkon në dhomën e tij të fjetjes. Posa hyn aty, sipas bashkëshortes së tij, bjen si i kositur, duke rënë kështu në komë, nga e cila me gjithë përpjekjet e kolegëve të tij, nuk mund të dali kurrë. Ata mundën vetëm që t’ia riaktivizojnë vetëm zemrën e asgjë më shumë. Në një gjendje të tillë fare të pashpresë e transferojnë në spitalin e Shkupit, ku i mbyll sytë përgjithmonë. Kufoma e tij del nga spitali i Shkupit me konstatimin e mjekëve specialistë se në gjakun e tij janë hasur shumë elemente toksikologjike, që tregonin qartë se ai ishte thjeshtë e helmuar ( sipas diagnozës së flet lëshimit nr. 3538 të datës 3 qershor 1989, dr. Berisha ka qenë në komë të trurit dhe pa reflekse. Ndalje të punës së zemrës dhe frymëmarrjes. Dyshohet : gjakderdhje në tru. Dyshohet: helmim, e cila gjë konstatohet pas obduksionit të neurokirurgut Dr.P. Rushkov . Megjithatë, nga presionet e ndryshme, familjarët e tij, deri në përfundim të luftës nuk kanë guxuar që të bëjnë publik konstatimin e mjekëve të spitalit të Shkupit. Për këtë arsye këtë vdekje të dhembshme asokohe e mbuloi misteri i plotë, ndonëse të gjithë dyshonin se ai ka vdekur nga një vdekje e natyrshme, siç vërtetonin mjekët serbë që punonin në spitalin e përgjithshëm të Prizrenit.
Kështu, ai ndahet nga familja e tij, shokët, miqtë e kolegët. Vdekja e tij misterioze ishte një humbje e pakompensueshme për spitalin e Prizrenit në veçanti dhe për shëndetësinë kosovare në përgjithësi. Kujtimi për të mbeti i përjetshëm. Emri i tij gjithmonë do të përkujtohet me një pietet e respekt të thellë. Vepra e tij e bëri të pavdekshëm.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-