Përse ngecën muslimanët !

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

“Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten.” (Rra’d, 11) “…kurse ata që janë të thelluar mirë në dije thonë: ‘Ne i besojmë Atij, e tërë kjo është nga Zoti ynë’. Dhe vetëm të zotët e mendjes e kuptojnë.” (Al ‘Imran, 7)

I. SHQYRTIME HYRËSE

Nëse e hulumtojmë historinë, do të shohim se myslimanët në të kaluarën kanë ideuar dhe ndërtuar kulturë dhe qytetërim të jashtëzakonshëm përgjatë tërë botës ku kanë kaluar e jetuar. Me paraqitjen e Islamit ndodhën ndryshime të mëdha; myslimanët braktisën përçarjen dhe mbëltuan unitetin, braktisën ashpërsinë dhe miratuan mëshirën e butësinë, braktisën veset e këqija dhe miratuan virtytet morale të rralla në ato kohë. Duke pranuar të mirën dhe duke refuzuar të kë- qijat e popujve të tyre, myslimanët për gjysmë shekulli, në fillim të shekullit 7, u bënë të fuqishëm, të lavdishëm, të pasur, të dinjitozë. Gjendja aktuale është e kundërta e gjendjes së atë- hershme. Sot myslimanët janë të dobët, të përçmuar, të varfër, të paarsimuar, të prapambetur. Përse ndodh kjo që pas atij lulëzimi myslimanët të zbehen, të bien në greminë.

II. SHKAQET THELBËSORE TË NGECJES

Është e vështirë të identifikohen me saktësi problemet që sollën ngecjen e myslimanëve, prandaj edhe këto pak rreshta do ta trajtojnë vetëm pjesërisht këtë temë. Përkundër vështirësisë së cekur, megjithatë disa tema imponohen për trajtim, si: deformimi dhe devijimi në mënyrën e të menduarit dhe kulturës së umetit, deformimi në qasje, perceptim, diskurs etj.

II. 1. DEFORMIMI I VIZIONIT (BESIMIT) DHE QEVERISJES (VEPRIMIT)

Sociologët dhe historianët identifikojnë se deformimi i parë ndodhi në të menduarit e myslimanëve dhe në çështjen e veprimit, qeverisjes, sundimit si një prej problemeve të theksuara të ngecjes myslimane e që fillon të shfaqet sidomos me pushimin e qeverisjes së mirë, përkatësisht fillon në kohën e përfundimit të periudhës së katër hulefai-rrashidinëve, Ebu Bekrit (r.a.), Omerit (r.a.), Osmanit (r.a.) dhe Aliut (r.a.).2 Pas kësaj kohe, monarkia u bë sistem, kurse parimi i konsultimit (shura) mbeti vetëm temë juristësh dhe librash, për të mos u kthyer kurrë më vonë.3 Në këtë fazë fillon ndarja ndërmjet prijësit fetar dhe politik. Me ardhjen e emevitëve në pushtet, filloi të instalohej elementi etnocentrik dhe fisnor, që ishte një hap mbrapa kundrejt kozmopolitizmit islam. Këtë gjendje dijetari i njohur për lexuesin shqiptar, Abdulhamid Ebu Sulejman, shkruan: “Ndarja ndërmjet udhëheqjes intelektuale dhe fetare të umetit ka paraqitur fillimin e dobësimit të fuqisë myslimane, pëlcitjes së strukturës së shoqërisë myslimane dhe krizën në mendimin dhe institucionet islame. Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar që dyert e umetit të hapen për korrupsion dhe shkatërrim. Islami gjithnjë e më pak kishte mundësi që të ruante vitalitetin e vet.”4 Kjo gjendje pak a shumë vazhdoi edhe në periudhën vijuese, atë abasite. Këtë gjendje Maverdi i famshëm e vlerëson të dëmshme, kurse veprën e tij Ahkam’ussulltanijjeh e përshkruan si përgjigje ndaj monarkisë së tyre.5 Edhe Ibn Halduni këtë dinasti e përshkruan si jokompetente për të qeverisur dhe shkaktare të shkatërrimit të hilafetit të tyre.6 Për fat të keq, as dinastitë vijuese nuk bënë diçka të rë- ndësishme e të dobishme që të përmenden. Edhe qeveritë e shumta arabe sot (me atribute formale islame) nuk kanë përmirësuar gjë. Madje, shumë pak dallojnë për të mirë nga qeveritë e asaj kohe, me dallimin që sot këta nuk kanë as dije, as autoritet brenda as jashtë vendit etj. Thjesht, janë vegla të shteteve evro-perëndimore, pa prodhim vendor, pa vlerat e dikurshme, pa autoritet fetar e politik.

II. 2. DEFORMIMI NË QASJE & KONSERVATORIZMI

Njohësit kompetentë thonë se Islami është fe e gjallë, me potencial të jashtëzakonshëm fleksibiliteti, gjithëpërfshirës, fe që i përgjigjet njeriut dhe nevojave të tij natyrore, në kohë dhe hapësira të ndryshme. Islami barazpeshon nevojat njerëzore mes kësaj dhe asaj bote dhe krijon personalitete kreative. Mirëpo, në periudha të caktuara u paraqit edhe pjesa regresive e myslimanëve, që këtë botë e kuptoi mbrapsht, kurse botën tjetër e kuptoi si monopol të tyre. Rrymat e tilla ndikuan mbrapsht dhe dëmshëm gjatë historisë myslimane. Kjo gjendje u përshtatej rivalëve të myslimanëve, kështu që ata gjetën brendapërbrenda myslimanëve elemente tradhtare, që ndikuan që kultura dhe qytetërimi mysliman të ngecë edhe më tepër edhe më thellë. 7 Konfliktet sektare në shekujt 5-6 në Irak mes hanbelitëve dhe shafiitëve, kaderitëve dhe xhebritëve, mes tradicionalistëve rigjidë dhe sufistëve apo grupeve të tjera vazhduan me intensitet edhe më vonë, madje me tërë destruktivitetin e vet deri në ditët tona. Mendja e ndritur dhe prodhuese u mbyll, kurse filluan të dominojnë ato koka që sot mund të identifikohen, si neoharixhitë apo vehabistë.8 U mbyllën shkollat e Ibn Sinait e Ibn Rushdit, kurse u hapën shkollat që prodhuan koka boshe e fanatizëm të paparë.9 Kjo gjendje po vazhdon edhe dy shekujt e fundit, XX-XXI dhe këtë e kanë vërejtur mirë edhe Shekib Arsllani në fillim të shekullit XX, Jusuf Karadavi gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, Husein Gjozo gjatë pjesës më të madhe të shekullit XX, Alija Izetbegoviq gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, Muhamed Gazaliu egjiptian gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX dhe intelektualë të tjerë, duke e quajtur konservatorizmin si një prej shkaqeve të ngecjes së myslimanëve.

II. 3. INDIFERENCA E MYSLIMANËVE

Myslimanët krenohen me të kaluarën e baballarëve, me mësimin e tyre, me luftërat e tyre, me devotshmë- rinë e tyre, me prodhimin kulturor e qytetërimor të tyre, etj. Por jeta e tyre aktuale, përkundër theksimit të nostalgjisë për të kaluarën, nuk tregon se ata ndjekin të parët e tyre. Nga të parët e tyre kanë trashëguar vetëm shpresën se ata do ta dominojnë botën, por jo me besimin e tyre dhe punën e tyre, por me ndihmën e Isait (a.s.), me ndihmën e Mehdiut të pritur, gjithnjë duke mbajtur kokën drejt qiellit, etj. Ata nuk duan ta ndryshojnë gjendjen e tyre katastrofike në arsim, në shkencë e teknologji, në art e kulturë, por thirren në tekste të caktuara kuranore dhe hadithore (abuzojnë duke i keqkuptuar) dhe duarhapur presin sendërtimin e synimeve të tyre.11 Myslimanët sot janë edhe pa ide dhe edhe pa aksion. Kurse këtë gjë qysh moti e ka vërejtur princi Shekib Arsllani, kur kishte thënë: “Shkenca moderne varet nga ideja dhe ndërmarrja. Posa të gjenden këto të dyja, do të gjendet edhe shkenca moderne edhe zejet moderne. Është e njohur se japonezët deri në vitin 1968, sikur edhe popujt e tjerë lindorë, kishin gjendje patriarkale dhe kur dëshiruan t’i arrijnë popujt e fuqishëm, i mësuan shkencat evropiane dhe i studiuan zejet e tyre.”12 Pasivitetin mysliman, pafuqinë e tyre, qoftë intelektuale, qoftë ekonomike, politike apo ushtarake, do ta përshkruaj me hadithin e njohur të Muhamedit (a.s.), i cili me një rast tha: “Do të vijë koha, kur fenë tuaj do të jetë vështirë ta mbani si gacën në dorën tuaj; nuk do të mund ta mbani.” Një besimtar pyeti: “A do të thotë kjo se do të ketë shumë pak myslimanë?” “Jo”, u përgjigj Muhamedi (a.s.), “do të jenë numerikisht shumë, më shumë se kurdoherë më parë, por do të jenë të pafuqishëm sikurse shkuma në valët e detit.”

II. 4. MOSPAJTIMET E NDËRSJELLA

Edhe pse mospajtimet janë të natyrshme në masën e caktuar, kur ato janë në funksion të studimit, avancimit e hulumtimit, te myslimanët këto mospajtime janë shndërruar në përçarje, në pengesa, në ngecje. Në vend të integrimit kemi dezintegrim, në vend të studimit kemi mosmësim. Në vend të temave të nevojshme, në gojën e myslimanëve gjenden kryesisht fjalët sunit, shiit, hanefist, vehabist, xhihad, tekfir etj.13 Myslimanët merren me gjëra të vogla, i avancojnë ato, bëhen top-tema nga ana e kuazi-intelektualëve, kurse temat e mirëfillta nuk gjejnë hapësirë të diskutohen, madje, quhen tema të armiqve, të bidatçinjve, të cilët ose “Zoti i udhëzoftë” ose do “të dënohen me xhehenem përgjithmonë”, fraza këto të njohura nga qarqet që kanë marrë në juridiksionin e vet “dërgimin në xhenet apo xhehenem”. Të tillët harrojnë porosinë e hadithit: “Ebu-Ma’bed Mikdad b. Esvedi, (r.a.), tregon se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut, alejhisselam: “Nëse bie në konflikt me jobesimtarin dhe ai me shpatë ma pretë dorën dhe pastaj ngjitet në dru dhe thotë: ‘E pranoj Islamin’, a guxoj ta vras pasi e thotë këtë, o i Dërguari i Allahut?” “Nuk ke të drejtë!” “Por, o i Dërguari i Allahut, ai ma ka prerë dorën, e pastaj atë e ka thënë pasi e ka prerë” “Nuk ke të drejtë ta vrasësh, sepse, nëse ti e vret atë në këtë kohë, ai do të jetë në pozitën tënde në të cilën ti ke qenë para se ta kesh vrarë, ndërsa ti do jesh në pozitën në të cilën ai ka qenë para se atë ta ketë shqiptuar.” (Muttefekun alejhi). Një numër dijetarësh në vazhdimësi janë përpjekur ta rishqyrtojnë këtë qasje të ngurtë ndaj jetës dhe sfidave të reja, mirëpo suksesi është relativ, sepse ana e kundërt, në kohën e rënies besimore e morale është më joshëse dhe me mjete financiare dukshëm më të mëdha. Prandaj, kulturën dhe qytetërimin tonë duhet ta pastrojmë nga shtresimet kohore dhe sjelljet devijante, duke filluar nga individi, familja, populli dhe umeti në përgjithësi, nëpërmjet lidhshmërisë së përbashkët, dhembshurisë, solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellë, në frymën e hadithi të Muhamedit (a.s.): “Pejgamberi i Allahut ka thënë: ‘Ndihmoje vëllain tënd edhe kur i bëhet padrejtësi, por edhe atëherë kur ai bën padrejtësi’. Sahabët e pyetën: ‘O Pejgamberi i Allahut, që ta ndihmojmë kur i bëhet padrejtësi këtë e kuptojmë, por si ta ndihmojmë nëse ai bën padrejtësi?’ “Pengojeni atë’, u përgjigj ai.”

IV. SHQYRTIME PËRMBYLLËSE

Është e vështirë të përmblidhen shkaqet kryesore të myslimanëve në një shkrim të vogël dhe me synime të vogla. Megjithatë, nga e shtruara mësojmë se në shkallën botërore të ngecjes së myslimanëve disa faktorë megjithatë dallohen: 1. Qeverisja jokompetente; 2. Qasja e gabuar dhe idetë konservatoriste; 3. Indiferenca e myslimanëve dhe pritja e suksesit nëpërmjet çudive; dhe 4. Mospajtimet brendamyslimane. Duke i analizuar këto shkaqe mund të konstatohet se rruga e myslimanëve është e hapur vetëm nëse i mënjanojmë këta dhe faktorë të ngjashëm. Faktorët jashtëmyslimanë janë të rëndësishëm, por megjithatë janë dytësorë dhe më lehtë të përballueshëm, nëse substanca është e shëndoshë.1

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-