Petrit Kryeziu kërkon përgjegjësi për parashkrimin e lëndëve të korrupsionit

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Opinione

“Parashkrime të rasteve të korrupsionit ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë nuk do duhej të mbylleshin pa dhënë përgjegjësi askush”, thotë Petrit Kryeziu, shef i Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova.

Petrit Kryeziu, shef i Zyrës Ligjore të BIRN dhe INTERNEWS KOSOVA, siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, ka thënë se lëndët e natyrës së korrupsionit, sidomos ato ku janë të përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë, nuk do duhej të parashkruheshin.

Ai ka deklaruar se Zyra e Prokurorit Disiplinor e ka për obligim që të hetojë rastet kur parashkruhen lëndët e korrupsionit. Sipas tij parashkrime të tilla nuk do duhej të mbylleshin pa dhënë përgjegjësi askush.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, ndjekja penale ndaj ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqisë, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar për shkak të parashkrimit të veprave penale është e pamundshme.

Zvarritja e lëndës për më shumë se pesë vjet ka bërë që vepra penale ndaj Haraqisë ta humbë vlerën, pasi që është parashkruar gjatë rrugëtimit 57 ditësh nga Gjykata Themelore e Prishtinës për në Gjykatën e Apelit, të cilat i ndan vetëm një mur në mes.

Ndjekja penale për Haraqinë i cili në cilësinë e ministrit të Kulturës akuzohej për shpërdorim detyre pushoi në janar të këtij viti, pasi lënda e tij u vjetërsua.

Siç dihet bashkë me Haraqinë të gjykuar në këtë çështje janë edhe ish-ministri i Kulturës, Valton Beqiri, Nehat Fejza pronar i kompanisë “Concordia Pictures” dhe Armond Morina, pronar i kompanisë “Morina Films”.

Sipas aktakuzës Astrit Haraqija, në kohën kur ishte ministër i Kulturës, në vitet 2006-2007, kishte lidhur kontrata të kundërligjshme për financimin e dy projekteve filmike. Po sipas aktakuzës, dëmi që i ishte shkaktuar buxhetit me kontratat në fjalë ishte rreth 300 mijë euro.

Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte shpallur fajtorë dhe lënda ishte kthyer në rivendosje nga Apeli. Por sërish gjykata i shpalli fajtorë në dhjetor të vitit 2016 dhe i kishte dënuar me nga një vit me burgim katër të akuzuarit.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” tregoi se Gjykata Themelore e Prishtinës dhe ajo e Apelit për 5 vjet nuk arritën të nxirrnin një vendim për këtë çështje, duke lejuar kështu që lënda ndaj Haraqisë të endej herë në njërën e herë në tjetrën ndërtesë, pa një vendim përfundimtar.

Emisionin për vjetërsimin e lëndës së Astrit Haraqisë mund ta ndiqni në këtë link.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-