Andrea Pirlo e ka pranuar se Juventusi pësoi disfatë të rëndë kundër Interit dhe theksoi se skuadra e tij nuk ka mundur ta zhvillonte një ndeshje më të dobët se të dielën mbrëma në San Siro.
Juventusi as që e testoi bile portierin e Interit Samir Handanovic dhe ishte më fat që nuk pranoi më shumë se dy golat e shënuara nga Arturo Vidal dhe Nicolo Barella.
Lautaro Martinez i kishte disa raste të pastra shënimi për ta rritur epërsinë e Interit, por ishte i padobishëm para portës, derisa Federico Chiesa e pati rastin e vetëm të mirë për gol për vizitorët.
“U futëm me qëndrim të gabuar nga fillimi dhe kur nuk je i përkushtuar t’i fitosh duelet, atëherë gjërat vështirësohen”, tha Pirlo pas ndeshjes.
“Ne, thjesht, sikur nuk vëmë këmbë në fushë sonte, ishim të frikësuar; të frikësuar ndaj sulmit të Interit, pra mendja jonë ishte e përqendruar vetëm për t’u mbrojtur por as në këtë aspekt nuk ishim agresiv”, nënvizoi trajneri italian.
Pirlo shtoi: “Është humbje e keqe, nuk kemi mundur të luanim më keq se kaq dhe nuk e prisja. Por ne duhet ta mbajmë kokën lart dhe të përgatitemi për ndeshjen me Napolin në Superkupën e Italisë të mërkurën”.
Juve tani bie në pozitën e pestë në Serie A me 33 pikë, shtatë më pak se Interi, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.