Policia e Kosovës ka njoftuar se nga 1 nëntori, sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë qytetarët që kapen me targa ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës, do t’u japë një fletëqortim.
Policia ka thënë se ka bërë të gjitha përgatitjet, ndërsa ka njoftuar se nga 21 nëntori deri më 21 janar të githë qytetarët do të gjobiten nëse qarkullojnë me targa ilegale.
“Policia e Kosovës, referuar vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 28.10.2022 me Nr. 05/103, i cili ka të bëjë me procesin e regjistrimit të mjeteve nga targa PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në targa RKS, ka bërë të gjitha planifikimet e saja me qëllim të zbatimit të këtij vendimi. Sipas vendimit zyrtar nga data një (1) nëntor 2022, të gjithë pronarëve të mjeteve që qarkullojnë me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës do t’iu shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS. Ndërsa nga data njëzet e një (21) nëntor deri me datë njëzet e një (21) janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet nga Policia.
Policia ka publikuar edhe fletëqortimin se si duket.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.