Të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, ishte paraparë të mbahej shqyrtimi fillestar ndaj 20 policëve të akuzuar për marrje të ryshfetit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kjo për arsye se të njëjtit nuk janë furnizuar me provat mbi të cilat mbështetet aktakuza.
Lidhur me këtë, prokurori Genc Nixha ka deklaruar se për shkak të volumit të madh të shkresave dhe numrit të madh të të akuzuarve, nuk ka mundur që të përgatisë kopjet e shkresave për të gjithë, andaj ka kërkuar që shqyrtimi të shtyhet.
Me këtë propozim janë pajtuar edhe mbrojtësit e të akuzuarve, andaj kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, këtë shqyrtim e ka shtyrë për 5 prill, në ora 13.
Sejrani poashtu ka vendosur që ndaj të akuzuarve të vazhdojë masën e arrestit shtëpiak edhe për 60 ditë.
Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila i akuzon policët, Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim rafuna, Muhamet Buzhala, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Alush Elshani, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj, se kanë marrë ryshfet si policë trafiku.
Sipas aktakuzës së ngritur me 2 mars të këtij viti, të akuzuarit në fjalë, gjatë dhjetorit 2016, duke patrulluar në autostradën “Ibrahim Rugova”, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkojnë dhe pranojnë ryshfet nga shkelësit e rregullave të komunikacionit, për të mos u shqiptuar atyre dënimet kundërvajtëse.
Në aktakuzë përshkruhet se si këta policë, duke vepruar në grup prej 2 dhe 3 zyrtarësh, brenda orarit të punës, kanë mbledhur në mënyrë të kundërligjshme shuma të të hollave deri rreth 400 euro e pastaj të hollat i kanë ndarë mes veti, në mënyrë proporcionale./betimierdrejtesi/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.