Produktet vendëse i plotësojnë standardet – mospërkrahja nga Qeveria po ndikon të çmimet më të larta

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Prodhimet vendëse nga ekspertët ekonomik po konsiderohet se i plotësojnë standardet evropiane, mirëpo sipas tyre prodhuesit nuk e kanë mbështetjen e duhur nga Qeveria.

Ekspertet po vlerësojnë se mosmbështetja nga ana e institucioneve po bëjnë që çmimet e produkteve vendëse të jenë më të larta se sa artikujt ushqimor të cilët importohen nga vendet e tjera.

Profesori universitar Ujkan Bajra, tha se prodhuesit janë mbështetur nga Banka Botërore që t’i certifikojnë produktet e tyre me qëllim që të jenë konkurrent edhe me vendet e tjera.

Bajra u shpreh se ka prodhues vendor që produktet e tyre i eksportojnë në vendet e tjera, por që kjo sipas tij, nuk është situatë e kënaqshme dhe se duhet të bëhet më shumë në këtë çështje.

“Përmes Ministrisë së Industrisë, po më saktësisht Banka Botërore, me që sa kam njohuri ka mbështet prodhuesit tanë që certifikojnë produktet e tyre me qëllim të qenurti konkurrent edhe me vendet e rajonit po edhe më gjerë. Se sa i plotësojnë cilësinë ose standardin Kosova është një vend në tranzicion edhe ka lëvizje pozitive në këtë drejtim”, tha ai.

“Personalisht njoh subjekte ekonomike të cilat kanë certifikua produktet edhe realisht realizojnë eksport dhe në vendet e tjera, pritet që të bëhet më shumë nuk është situatë e kënaqshme edhe produktet e Kosovës përpos që të sigurojnë cilësinë ose prodhuesit tanë të sigurojnë cilësinë të konkurrojnë edhe me tregjet tjera në rajon e perëndim”.

Njohësi i çështjeve ekonomike, profesor Musa Limani tha se fermerët në vendin tonë nuk përkrahen si duhet nga Qeveria.

Sipas tij, për këtë arsye çmimet e produkteve ushqimore të cilat prodhohen në vend janë më të larta se sa ato që importohen.

“Në qoftë se marrim artikujt kryesorë tekë ne po dallohen për nga niveli i çmimeve, pikërisht në artikujt e shportës jetësore po vjen deri të rritja e çmimit, arsyeja është se fermeri tekë ne nuk ka mbështetjen e duhur sinë vendet e tjera. Askund në botë e as në Kosovë nuk mund të zhvillohet bujqësia pa subvencione shtetërore, Kosova jep subvencione mirëpo mendoj se ato janë shumë të vogla në krahasim me vendet e tjera. Për këtë arsye rendimenti në bujqësi tek ne është i ulët edhe shpenzimet janë të larta prandaj edhe çmimet janë më të larta se sa artikujt ushqimor të cilët importohen nga vendet e tjera”, tha ai.

Limani theksoi se shumë vende dhurojnë subvencione prodhuesve që çmimet të jenë konkurrente në treg.

Sipas tij, konsumatorit nuk i intereson vendi ku është prodhuar produkti, por çmimi dhe në këtë mënyrë konsumohen produktet e huaja.

“Shumë vende që çmimet të jenë më të ultë ata dhurojnë subvencione dhe në këtë mënyrë i mundësojnë prodhuesin e tyre që të jetë konkurrent në tregun tonë, prandaj kjo situatë është tekë ne kur produktet e importuara nga vendet e tjera, Serbia, Maqedonia etj. janë me çmime më të ultë se sa produktet tona”.

“Konsumatorit nuk i intereson ku është prodhimi, ai e shikon çmimin, në këtë mënyrë konsumohen produktet e importuara të cilat na me një mbështetje institucionale materiale të fermerit tonë do të prodhonim në vendin tonë dhe do të jemi konkurrent ndaj vendeve importuese, kjo është detyrë e Qeverisë”, tha Limani.

Profesori Limani ndër të tjera shtoi se produktet tona i plotësojnë kriteret evropiane dhe se ato janë shumë natyrale.

“Mendoj se i plotësojnë kriteret, produktet tona janë bio më shumë se në çdo vend tjetër për arsye se nuk kemi industri nuk mund të ndoten, do të thotë janë eko dhe produktet që depërtojnë në vendet evropiane janë shumë më të kërkuara pikërisht se janë natyrale. Mendoj se i plotësojmë standardet evropiane mirëpo nuk kemi mundësi çka të eksportojmë”, tha ai.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-