Profesori amerikan: Serbia s’do ta njoh Kosovën në një të ardhme të afërt

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Intervista

‘Kosova duhet të fokusohet në një bashkëpunim me Serbinë, ku do të përfitojnë të dyja vendet, sepse njohje nga Vuçiqi nuk do të ketë në një të ardhme të afërt’. Kështu është shprehur eksperti amerikan për Ballkanin, Alon Ben Meir, në një intervistë për Syri Kosovën.

Profesori Meir thekson se Kryeministri Kurti duhet të punojë më shumë në pavarësinë e brendshme dhe zhvillimin ekonomik, se sa të kërkojë njohje nga Beogradi.

Po ashtu, për Ben Meir është tejet e rëndësishme që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të krijohet duke respektuar sovranitetin e Kosovës.

Ai në këtë intervistë për Syri Kosovën ka folur edhe për ndikimin rus dhe qëllimet e Putinit për të destabilizuar Ballkanin përmes Serbisë, duke e mbajtur nën ombrellën e tij.

Në anën tjetër, emërimet e shumta të emisarëve specialë për Ballkanin Perëndimor nga shtetet e fuqishme, për Ben Meir janë më shumë për shkak të gjendjes politike dhe rrezikut që po i kanoset këtij rajoni pas luftës në Ukrainë, se sa për të dhënë një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë.

Si e konsideroni situatën aktuale politike në Ballkanin Perëndimor dhe vëmendjen që fuqitë botërore kanë kthyer tani në këtë rajon, veçanërisht pas luftës në Ukrainë?

Alon Ben Meir: Niveli dhe tensioni që ka përfshirë Evropën si pasojë e luftës në Ukrainë nuk e kurseu Ballkanin. Rusia po bën gjithçka që mundet për të destabilizuar rajonin, veçanërisht tani kur BE dhe SHBA po përpiqen të zbusin marrëdhëniet Serbi-Kosovë, të cilat presidenti rus Putin i sheh se janë kundër interesave të tij kombëtare; ai është i vendosur të mbajë veçanërisht Serbinë në kampin e tij. Përveç kësaj, edhe Kina po e vështron rajonin në përpjekjet e saj për të mbushur çdo vakuum që mund të precipitojë Perëndimi. Për këto arsye, BE-ja dhe SHBA-ja janë shumë të prirura në përpjekjet e tyre për të realizuar marrëveshje të ndryshme pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pikërisht sepse duan t’i distancojnë këto dy dhe vendet tjera të Ballkanit nga Rusia dhe ta sjellin Serbinë në orbitën perëndimore.

Asnjëherë nuk ka pasur më shumë të dërguar specialë se tani nga kaq shumë vende për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. A do të thotë kjo se ka ardhur koha për një marrëveshje përfundimtare mes këtyre dy vendeve dhe për të zgjidhur këtë dialog të stërzgjatur?

Alon Ben Meir: Siç e theksova më lart, fuqitë globale, përfshirë BE-në, SHBA-në, Rusinë dhe Kinën i konsiderojnë shtetet e Ballkanit si të pambrojtura dhe do të donin shumë të përfitonin nga kjo dobësi për t’i shërbyer interesave të tyre. Thënë kështu, unë nuk shoh ndonjë perspektivë për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes Serbi-Kosovë. Serbia nuk do ta njohë Kosovën për sa kohë që Putini është në pushtet dhe Serbia dëshiron të qëndrojë në hiret e tij të mira, dhe për aq kohë sa BE-ja nuk i ka ofruar Beogradit të anëtarësohet në BE sa më shpejt. BE dhe SHBA duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të mbështetur ekonomikisht dhe politikisht Ballkanin dhe për të rritur më tej praninë e tyre ushtarake në rajon.

Në mediat e Kosovës dhe Serbisë, së fundmi është shfaqur një kornizë e re dialogu, ku flitet për një zgjidhje si ajo e dy Gjermanive pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk e di nëse keni pasur mundësi t’i lexoni këto raporte, por nëse po, a mendoni se kjo kornizë është zgjidhja e duhur?

Alon Ben Meir: Së pari, duhet të hedhim disa dyshime për legjitimitetin e propozimit gjerman dhe francez. Peter Stano, zëdhënës për Politikë të Jashtme dhe Siguri për Bashkimin Evropian, i tha Prishtina Insight përmes emailit: “Zakonisht, ne nuk komentojmë mediat që publikojnë dokumente të supozuara të BE-së, ne as nuk komentojmë autenticitetin e as thelbin… kam parë një letër të tillë më parë dhe nuk vjen nga ekipi i BE-së që merret me Dialogun.” Megjithatë, le të supozojmë se dokumenti ekziston. Cila do të ishte perspektiva që ai të zbatohej?

Qëndrimi i presidentit serb Vuçiq është se është e papranueshme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, pasi kjo do të binte ndesh me kushtetutën e Serbisë. Më tej, ai nuk ka gjasa tani apo në të ardhmen e afërt të pranojë realitetin e pavarësisë së Kosovës, e lëre më ta njohë atë.

Megjithatë, pavarësisht nëse plani ekziston apo jo, BE-ja duhet të vazhdojë të fokusohet në procesin e normalizimit midis dy vendeve duke krijuar angazhime të ndryshme ekonomike, politike dhe të shoqërisë civile, ndërsa përpiqet të përshpejtojë procesin e integrimit.

Një nga temat që po bllokon dialogun është edhe Asociacioni. A duhet që Kosova të fillojë sa më parë themelimin e këtij Asociacioni, sepse është minimizuar sovraniteti i vendit tonë?

Alon Ben Meir: Çdo asociacion që mund të avancojë interesin kombëtar të Kosovës me shtetet tjera ballkanike duhet të mirëpritet me dy kushte: a) të mos rrezikojë drejtpërdrejt apo tërthorazi pavarësinë e Kosovës dhe b) të mos i hapë dyert Serbisë që të bëhet fuqi dominuese në ndonjë asociacion i tillë.

Qeveria e Kosovës për herë të parë pas një kohe të gjatë po kërkon që marrëveshja me Serbinë të finalizohet me njohje reciproke. Madje kemi zbatuar reciprocitet sa i përket targave dhe kartave të identitetit, nga Kosova drejt Serbisë. A është kjo mënyra e duhur, kur shihet se po sjell tension në terren?

Alon Ben Meir: Besoj se kryeministri Kurti po fokusohet tej mase në nevojën për njohjen e Kosovës nga Serbia. Në vend të kësaj, ai duhet të përqendrohet në bashkëpunimin me Serbinë për çdo projekt që do të përfitonin reciprokisht të dyja vendet. Përveç kësaj, nëse jo më i rëndësishëm, ai duhet të punojë për të forcuar pavarësinë e Kosovës nga brenda duke përmirësuar ndjeshëm gjendjen socio-ekonomike në vend.

Çfarë duhet të ketë kujdes Kurti përballë Vuçiqit në dialog?

Alon Ben Meir: Kurti duhet të qëndrojë në tokën e tij për sovranitetin e Kosovës, por ai nuk duhet ta valojë vazhdimisht këtë flamur. Në vend të kësaj, siç e kam thënë herë pas here, ai duhet të tregojë fleksibilitet në dialogun e tij me Serbinë pa kompromentuar parimet thelbësore./SYRI KOSOVA

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-