Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin në Hungari të serbit të kërkuar për krime lufte në Kosovë.
PSRK me anë të një komunikate për media ka bërë të ditur se i njëjti është arrestuar sipas urdhër-arrestit ndërkombëtar të kërkuar nga Prokuroria e Kosovës, shkruan lajmi.net.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se në Budapest të Hungarisë, sipas Urdhër arrestit Ndërkombëtar të kërkuar nga kjo prokurori, është ndaluar personi me inicialet S.S., i nacionalitetit serb”, thuhet në komunikatë.
Tutje, Specialja e Kosovës sqaron se ai dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 33 shqiptarëve në lagjen “Kristal” në Pejë.
“Prokuroria Speciale njofton se ndaj S.S., është nxjerrë Aktvendim për fillimin e hetimit për shkak që i njëjti dyshohet se në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj 1999, ka marrë pjesë aktivisht në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me krimet e luftës, ashtu që i njëjti ka marrë pjesë në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, me ç’rast janë vrarë tridhjetetre (33) persona gjatë sulmeve të kryera në këtë periudhë kohore”, thuhet në komunikatë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.