Pse jemi në këtë gjendje çfarë jemi?

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Vëllezër të dashur, xhemat i respektuar!

E kishin pyetur një njeri të dijshëm dhe të urtë: “Çka po ndodh me neve, ne kemi dituri për fenë, po
dëgjojmë për rregullat e saj, por prej tyre nuk po përfitojmë?”

Ai ishte përgjigjur: “Për këtë janë 5 (pesë) shkaqe:

(1) Nuk jeni falënderues
Allahut për begatitë;

(2) Nuk po bëni tevbe
kur po kryeni mëkate;

(3) Po shoqëroheni me të
dijshmit, por nuk po e veproni atë që po e dëgjoni prej tyre;

(4) Nuk po merrni mësim
nga vdekja e më të afërmve tuaj; dhe

(5) Nuk po veproni në
përputhje me atë që dini!”

Sikur që është pyetur ai njeriu i mençur atëherë, shumë njerëz që e
shikojnë seriozisht gjendjen në të cilën ndodhet umeti i Muhamedit (savs), edhe
tash, pyesin: – Çka po ndodh me neve?

– Kurrë nuk ka pasur më shumë dituri për fenë sesa tash, kurrë nuk
ka pasur më shumë libra dhe gazeta që i trajtojnë çështjet dhe temat fetare
sesa tash, kurrë nuk ka pasur më shumë derse. Teknologjitë bashkëkohore na kanë
mundësuar, madje, që t’i dëgjojmë edhe ato ku nuk kemi prezantuar!

Shkaku është mos falënderimi!

Të gjithë e dimë se, të jesh falënderues ndaj Zotit, është obligim
i besimtarit!

Imam Shibli ka thënë: “Falënderimi i mirëfilltë nuk është ta
shohësh begatinë, por ‘ta shohësh’ Atë që e jep begatinë.”

Vëllezër të dashur,

Sa jemi ne të vetëdijshëm për Dhuruesin e të gjithave, për mëshirën
dhe mirësinë e Tij të pakufishme ndaj robërve të Tij dhe ndaj të gjitha
krijesave! Çka don të thotë kjo, të jesh i vetëdijshëm për atë i Cili e jep
begatinë, ‘ta shohësh’ Atë, e jo vetëm begatitë të cilat i gëzojmë!

Njeriu i sotëm, ne, për çdo të mirë që e veprojmë, për çdo aktivitet
i cili trajtohet për të mirën e përgjithshme, do ta dëshironim pagesën
menjëherë, do të donim që atë menjëherë ta materializojmë, të na paguhet në atë
moment.

Falënderimi i mirëfilltë për Zotin, vëllezër, është që çdokund dhe
gjithmonë të jemi të gatshëm për të qenë të dobishëm për bashkësinë, për shoqërinë.
Besimtari bën mirë i vetëdijshëm se ajo e mirë kurrë nuk mund të shkatërrohet.

Është interesante, se këtu te ne vijnë nga Evropa për të na mësuar
dhe trajnuar sesi të bëhemi vullnetar (vollonter). A nuk do të ishte më e
logjikshme që ne, të cilët besojmë, se Allahu e shpërblen çdo vepër të mirë, që
ne, të cilët besojmë se me Zotin e botëve do të takohemi, dhe se asgjë përveç
të mirave të cilat i marrim me vete, nuk do të na ndihmojë, që tu bëhemi
shembull atyre?

Falënderimi i mirëfilltë ndaj Zotit të Lartë – që ne nuk jemi –
është të bëjmë vepra të mira pandërprerë dhe të nxitojmë për të qenë të
dobishëm.

E kam theksuar në shumë vende, se jam dëshmitar, se në këtë
institucion i cili kujdeset për fëmijët me nevoja të veçanta, ka ardhë një
mjeke e pensionuar, psikiatër nga Austria, që 15 ditë të punojë me këta fëmijët
tanë. E ka paguar vetë biletën e udhëtimit, këtu po e paguan banesën dhe po
jeton në llogari të vetë, nga askush për këtë nuk po kërkon asgjë, vetëm ka
ardhë për punë vullnetare (vollontere).

Po e pyes veten: A di ajo për Pejgamberin (savs), a di ajo që
Pejgamberi (savs) ka thënë: “Vërtet veprat vlerësohen sipas qëllimit.” A
di ajo për takimin me Zotin?

Për këtë nuk kam biseduar me të, por e di me siguri, se të gjithë
pensionistët tanë nëpër fshatra këtë e dinë, dhe askush, ose një numër shumë i
vogël, nuk bëhet vullnetar dhe të shkojë t’i rregullojë varrezat.

Kush jemi ne? Ne bëjmë pyetje: Pse është gjendja jonë kështu? Sepse
nuk jemi falënderues ndaj Zotit? Do të thotë, nuk jemi të gatshëm të
sakrifikojmë për të mirën e përgjithshme.

– Ju nuk po pendoheni për mëkatet e kryera! Ne të gjithë e dimë se tevbeja, pendimi
është mundësi e ofruar për besimtarin.

Në një transmetim, thuhet se pejgamberit Isa (a.s.) i është
shpallur: “O njeri, çka të vyen nëse e pushton tërë dynjanë, nëse jetën
tënde e dëmton.”

Jetën e vet e ka dëmtuar secili që lëshohet në mëkate, secili që i
neglizhon obligimet që dalin nga fjalët e Zotit.

Muhamedi (savs) ka thënë: “Kur shejtani ka refuzuar ta bëjë sexhden
të cilën e urdhëroi Allahu, ka thënë: ‘Pasha Madhërinë Tënde, o Zot, do ta
devijoj njeriun për sa kohë që shpirti gjendet në trupin e tij!’
Zoti i
botëve, atëherë i thotë: ‘Pasha Madhërinë Time, do t’ia mundësoj robit Tim
tevben, për sa kohë që shpirti i tij është në trupin e tij!”

Nuk ka njeri të pagabueshëm në Tokë. Shejtani neve na mashtron. Të
gjithë njerëzit vijnë në gjendje të dobësisë, por i Lartësuari, Mëshiruesi, Ai
i Cili falë shumë, na fton neve që të pendohemi, na fton që të ndryshojmë.

Imagjinoni, sa harxhon shoqëria, edhe kjo e jona, për shërimin e
llojeve të ndryshme të varësisë, dhe secila prej atyre varësive është mëkat.
Imagjinoni, tevbeja është shërim për mëkatet.

Njerëzit kanë pyetur: Çka po ndodh me neve? Pse jemi në gjendje të
këtillë?

Atëherë, ai njeriu i dijshëm, i urtë dhe fetar ju thotë: “Ju
fare nuk pendoheni për mëkatet e kryera! Ju jeni mësuar me mëkate, ju mëkatet i
keni pjesë përbërëse të jetës!

Cili prej jush, kur të kthehet nga fshati analizon dhe thotë: A
thua kam përgojuar? Dhe të thotë: Nuk do të bëj më! Të mos i numërojmë të
tjerat.

Vëllezër të respektuar!

Bëjeni inventarin me vetveten, bisedoni me vetveten, pyeteni
vetveten, i Lartësuari na pret që ne të ndryshohemi!

Ne nuk po veprojmë në përputhje me atë që kemi mësuar për fenë
tonë. Ky mosveprim në përputhje me diturinë tonë, nuk na lejon të përparojmë,
na mban neve të shtypur, të varur nga të tjerët. Të gjithë e dimë që Allahu i
Plotfuqishëm, na pyet neve, na drejtohet neve, kur thotë: “O besimtarë, pse
e thoni atë që nuk e veproni!”

Vëllezër të dashur!

Vështirë se mund ta gjejmë një musliman, që nuk e di se çka është
haram dhe çka ka obligim. Vështirë e kemi ta gjejmë një musliman të tillë! Ne
tërë vitin, me intensitet, jo vetëm përmes vazeve, por edhe përmes aksioneve të
ndryshme në BI, në shoqërinë tonë, zhvillojmë fushatë kundër bastoreve. A ka
dikush që nuk e di se shkuarja në bastore është haram? Nuk ka asnjë. Kurse në
vitin e kaluar të cilin BI e ka shpallë ‘Viti i luftës kundër bastoreve!’
Kundër bixhozit. Një miliard e 800 milionë marka, të parave tona kanë shkuar në
bastore! Një miliard e 800 milionë marka! Çka na ndihmon dituria jonë për fenë,
çka na ndihmon neve kjo? Për çka na shërben kjo dituri?

Vëllezër, a na mungon neve dituria apo bindja? A kuptojmë ne? A don të
thotë kjo diçka për neve? Çfarë besimtarë jemi ne në përgjithësi? Çka do të
thotë kjo për neve, kur të na thuhet: “Ka thënë Zoti i Lartësuar!” Çka
do të thotë kjo për neve? ASGJË! Ne nuk jemi të bindur në të, se atë e
ka thënë Zoti. Për neve kjo nuk po paraqet asgjë! Sepse sikur të paraqiste – po
për 1 miliard e 800 milionë marka, kush e di se sa dhjetëra apo qindra
kilometra autostradë mund të ndërtonim.

Një miliard e 800 milionë marka prej 01. 01. 2019 deri në 31. 12.
2019, kanë shkuar poshtë, në haram. Sikur të kishin shkuar vetëm të hollat,
kemi shkuar ne në xhehenem!.

Ne vëllezër, duhet të fillojmë ta tregojmë fenë tonë në vepër. Pema
e cila nuk kujdeset për frytin e vet, e cila nuk kujdeset që të mbillet, nuk
shërben për asgjë tjetër përveçse për ngrohje. Gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë
nuk kanë pasur kaq shumë as derse, as vaze, as libra, as gazeta. Nuk kanë pasur
asnjë mundësi t’i dëgjojnë derset në të cilat nuk kanë prezantuar, as kanali You
Tube, as asgjë. Ata neve për fenë na kanë treguar duke e jetuar atë. Ne fenë e
kemi mësuar duke shikuar në jetën e tyre, dhe ne jemi fryti i tyre. Cili do të
jetë fryti ynë? Çka do të mbjellim ne?

Dituria jonë për fenë sot, kryesisht shërben për të diskutuar për
fe dhe jo për ta jetësuar atë!

– Ju as nga vdekja nuk po merrni mësim!! – thotë ai njeriu i urtë dhe i dijshëm, i
cili është pyetur: Pse ne jemi në këtë gjendje?

A po e shihni ju atë umetin e Pejgamberit – dhe neve si pjesë
integrale e tij?

Ne, në këtë botë kemi ardhë duarthatë dhe këmbëzbathur!

Si do të shkojmë nga kjo botë? Çka do të kemi në dorë dhe si do t’i
kemi këmbët tona në tabut?

Do të jemi njëjtë, duarthatë dhe këmbëzbathur!

Ne i përcjellim më të dashurit dhe të afërmit tonë të vdekur, por
prej saj nuk marrim mësim.

Nuk po marrim mësim! E mësimi është, o njeri, kur dora jote të shkojë
te malli huaj – në haram, ta kujtoje vetveten këmbëzbathur në tabut! Saherë që
gjuha të niset kah fjala e keqe, mendoje vetveten këmbëzbathur në tabut!

Ne të gjithë e dimë, se neve tabuti po na pret! Neve nuk po na
mungon dija, neve po na mungon bindja. Ne qëndrojmë pranë varreve, i lëshojmë
aty baballarët dhe nënat tona, vëllezërit dhe motrat tona.

Hazreti Osmani (r.a.) kur qëndronte pranë varrit qante nga frika aq
shumë sa që mjekra i lagej nga lotët, kurse ne shkojmë në varreza dhe pa gajle
kthehemi në shtëpi, sikur kjo neve fare nuk na intereson!

Pse neve aspak dituria për fe nuk na bën dobi? Sepse ne nuk jemi të
bindur në atë që besojmë!

Fekihu thotë: “Me ka treguar babai se Muhamedi (savs) ka thënë:
‘Çdo mëngjes në Tokë zbresin 5 melekë: 1 në Meke, 1 në Medine, 1 në Jerusalem,
1 në varreza të muslimanëve dhe 1 në treg, në vendet ku tubohen njerëzit.

Pejgamberi (savs) thotë:

– Ai në Meke, në mëngjes bërtet: ‘Secili prej jush që e lënë farzin,
ka dalë nga mëshira e Zotit!’
A e ke lënë sot sabahun? Dhe nuk është vetëm
sabahu farz.

– Ai nga Medina, në mëngjes bërtet: ‘Secili që e neglizhon sunetin
e Pejgamberit (savs), nuk do ta ketë shefaatin e Pejgamberit në Ditën e
Gjykimit.’
Çfarë je me fqinjin? A nuk ka folur Pejgamberi (savs) aq shumë për
raportet me fqinjin, sa që hz. Aishja ka menduar se do ta trashëgojnë
njëri-tjetrin. Kurse ti me fqinjin nuk flet. Sot në mëngjes, meleku nga Medina
ka bërtitur se do të mbetesh pa shefat, sepse je larg nga suneti i Pejgamberit
(savs).

– Ai nga Jerusalemi, bërtet: ‘Secili prej jush, i cili ka marrë
diçka të huaj, do t’i shkatërrohen veprat e mira!’

– Kurse ai që ka zbritur në varreza (në të gjitha varrezat), edhe
në varrezat e Medinës (Xhenetul-Bekije), ai thotë: ‘Ju që jeni në këto varre,
për çka shprehni keqardhje, dhe për çka i xhelozoni ata që janë ende gjallë?’
Ata do të përgjigjen: ‘Na vjen keq që nuk e kemi shfrytëzuar mundësinë, kurse i
xhelozojmë që ata ende kanë mundësi!’

Nesër do të jesh në varr! Me siguri do të jesh atje! Me siguri! Dhe
do ta dëgjosh melekun, i cili thotë: Për çka të vjen keq, dhe për çka
xhelozon?! Mos e lësho rastin!

Për tu ndryshuar gjendja në të cilën jetojmë ne, në të cilën jeton
umeti – ekziston vetëm një mënyrë – ta ndryshojmë vetveten!Sepse,
ai meleku i cili është këtu para fontanës, në vendin ku badihavxhitë e humbin
kohën, ai bërtet: Allahu i Plotfuqishëm ka përgatitur dënim.

Përpiquni që prej tij të shpëtoni!

O Zoti i Lartësuar, na ndihmo! Amin!

Izet ef. Čamdžić

Përkthim me përshtatje: Miftar Ajdini

(Hutbeja është mbajtur më herët, para pandemisë, nuk i referohet gjendjes së tashme! (përkthyesi)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-