Pyetja pa përgjigje!?

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Disa çështje në Kuranin Fisnik shpjegohen duke u bazuar në pyetjet e njerëzve. Të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), pasi i thuhet: “Të pyesin për Kiametin, plaçkën e luftës, jetimët, muajt haram, infakun…” i jepet përgjigjja me anë të shprehjes: “Thuaj!”[1] Në suren Isra, thuhet si më poshtë: “Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni.”[2] Siç vihet re, në këtë ajet fisnik, me anë të fjalisë: “…Ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni.”, është shprehur qartë se përgjigja nuk do të jepet.

Siç shprehet edhe në ajetin fisnik, natyra e shpirtit është e pamundur të njihet, sepse shpirti është një çështje fshehtësie. Nisur nga kjo, thuhet: “Shpirti është një krijesë qiellore dhe përhapet në të gjithë trupin siç përhapet lëngu i trëndafilit në trupin e trëndafilit.” Krahas kësaj, dijetarët i kanë shpjeguar specifikat brenda të dhënave në këtë çështje dhe shpirtin e kanë përkufizuar si “faktori që mundëson jetën te gjallesat”. Nisur nga kjo, kur thuhet “shpirt i njeriut” synohet një un që i posedon cilësitë si gjallëria, vetëdija, mendja dhe perceptimi. Fakti që njerëzit janë të ndryshëm nga kafshët buron nga krijimi i ndryshëm i shpirtrave. Edhe ndryshimi ndërmjet njerëzve buron nga e vërteta se kanë shpirtra me grada të ndryshme. Për shembull, pejgamberët marrin lajme nga bota e gajbit. Kjo ka lidhje me faktin se ata posedojnë një gradë të lartë shpirtërore.

Dijetarët i kanë shprehur kështu cilësitë e shpirtit: “Shpirti është një sekret i Allahut dhe lëviz me shpejtësi duke marrë formën e trupit. Ai arrin në vende të largëta brenda një kohe të shkurtër. Kur të nxirret dhe të merret nga trupi, nga shpirti i besimtarit përhapet një erë e këndshme, ndërsa nga shpirti i qafirit përhapet një erë e keqe. Ndërkohë shpirtrat kanë cilësitë e tyre edhe nga aspekti i besimit dhe bindjes ndaj Allahut Teala. Disave u rëndon ana fizike, ndërsa disa të tjerëve u rëndon ana shpirtërore. Nisur nga ky këndvështrim, pejgamberët janë njerëzit me shpirtra sublimë. Pas tyre vijnë të devotshmit dhe dijetarët.[3]

Në Kuranin Fisnik fjala shpirt përmendet në njëzet vende.[4] Në hadithet fisnike krahas fjalës shpirt përdoren edhe fjalët nefs dhe neseme. I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, shkoi pranë trupave të politeistëve që ishin vrarë në Luftën e Bedrit dhe u tha: “A e gjetët fundin e dhimbshëm që Zoti u lajmëroi më parë?” Omeri (r.a.), e pyeti: “A po u flet trupave që nuk kanë shpirt?” Nisur nga kjo, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), tha: “Ata i dëgjojnë jo më pak se ju ato që i thashë, por nuk mund të përgjigjen dot.”[5]

Siç thuhet në tefsir, kur i vdekuri vendoset në varr, shpirti kthehet në trup në një formë që nuk mund ta kuptojmë dot. Pasi të përfundojë llogaria, ndjen ndëshkim apo mirësi sipas gjendjes së tij deri në Kiamet. Shpirti është ai që vazhdon ekzistencën edhe pas vdekjes, ai do ta përjetojë ndëshkimin ose shpërblimin në botën tjetër. Kështu, ajeti fisnik, i cili na njofton se besimtarët të cilët thonë: “Zoti ynë është Allahu dhe pastaj bëjnë vepra të mira.”[6], engjëjt do t’u zbresin në momentet e vdekjes dhe do t’i përgëzojnë ata me siguri dhe Xhenet, gjithashtu na tregon se menjëherë pas vdekjes shpirtrat besimtarë ndjejnë mirësitë e Xhenetit, ndërsa shpirtrat qafirë ndjejnë ndëshkimin e Xhehenemit në një lloj mënyre. Edhe në hadithet e sakta gjenden shpjegime të tilla. Gjithashtu jemi të njoftuar se nga varri do të hapet një derë drejt Xhenetit apo drejt Xhehenemit.[7]

Sipas nesh, njeriu në këtë çështje ka dy dilema. E para: Përpjekja për të kuptuar natyrën e shpirtit. Kjo është një pyetje apo përpjekje e lashtë e njerëzimit, e cila nuk ka përgjigje. Siç është shprehur Imam Gazaliu në veprën e tij me titull “Ihja”: “Njeriu e ka të pamundur që ta perceptojë natyrën e shpirtit. Përpjekja për ta shpjeguar atë është në kundërshtim me të fshehtën e sprovës.” E dyta: Mosnjohja në përgjithësi e fazave të shpirti kur ai hyn në kallëpin e trupit. Njeriu nuk i jep rëndësi përparësisë që ka tasfija-tezkija/dëlirja shpirtërore dhe fokusohet vetëm te plotësimi i nevojave të trupit. Ndërkohë njeriu duhet ta dijë se përse dhe si është dërguar në këtë botë dhe jetën duhet ta bëjë sipas kësaj. Ai asnjëherë nuk duhet ta harrojë se shpirti është baza dhe se trupi është një kallëp apo mbartës i shpirtit. Siç është shprehur edhe Hazreti Ibrahim Hakkë, njeriu gjithmonë duhet të mos e harrojë mebde dhe meadin e shpirtit dhe të trupit, pra, se nga ka ardhur dhe ku do të shkojë.

Njeriut i është dhënë një amanet dhe sikur i është thënë kështu: “Ky amanet i çmueshëm që të është dhënë, nuk përbëhet nga ajo që shikon ti. Ki kujdes, pjesa që nuk e shikon dot është aq shumë e rëndësishme saqë nuk mund t’ia dish natyrën e saj. Kur të vijë koha, ajo do të të merret përsëri.”

Me të vërtetë, siç ka thënë edhe Hazreti Mevlana: “Kallëpi i trupit është kurbani i dheut.” Kështu që ne, kur ta kuptojmë se kësaj pyetjeje nuk i është dhënë përgjigje në ajetin fisnik i cili përbën temën tonë, do të përparojmë edhe më shumë në kuptimin e rëndësisë së këtij amaneti.

Lexo – Mendo

Koha është e shtrenjtë!

Në suren Nebe’, e cila flet për lajmin e madh, thuhet: “Gjumin jua kemi bërë për prehje. Natën jua kemi bërë mbulesë, ndërsa ditën e kemi caktuar për të punuar.”[8]

Në shumë ajete të Kuranit Fisnik tregohet “rëndësia e vlerësimit të kohës” duke e tërhequr vëmendjen te formimi e ndryshimi i natës e ditës dhe te aspekti i mrekullisë së gjumit.[9] Prej këtyre që thamë më sipër kuptojmë se netët, të cilat janë një mrekulli e veçantë ngaqë zgjaten dhe shkurtohen sipas stinës, janë përgatitje për ditët. Ndërsa ditët që vijnë duke iu shtuar njëra-tjetrës, janë përgatitje për “Ditën e Madhe” e cila absolutisht do të vijë.

Këtu, nëse do ta shtjellojmë pyetjen: “Si duhet ta vlerësojmë kohën në përgjithësi dhe natën në veçanti?”, atëherë në mendje duhet të na vijë stili profetik i të jetuarit të ditës e natës. Siç e dimë, e gjithë jeta e Hz. Pejgamberit ka qenë ibadet ndaj Allahut, predikim i Islamit dhe mëshirë ndaj të gjitha krijesave. Gjumi i tij ka qenë me qëllim që të fitonte fuqi për kryerjen e detyrave. Për këtë arsye, ajo që ai ia ka mësuar umetit është që umeti të jetojë duke ia ditur vlerën kohës.

Disa miq të Allahut Teala nganjëherë kanë marrë masa të jashtëzakonshme për ta ruajtur këtë vetëdije. Ndër këta mund të përmendim Rebi ibn Hajsemin, i cili pati hapur një gropë të gjerë sa një varr në shtëpinë e tij, në mënyrë që ta shtonte këtë vetëdije. Kur lodhej, shtrihej dhe flinte aty. Kur zgjohej, thoshte këtë ajet fisnik: “Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!..”[10] Pastaj thoshte: “O Rebi! Vlerësoje kohën para se të vijë dita që nuk do të kthehesh pas.”[11]

Përfundimisht mund të themi se çdo gjë që humbet, mund të gjendet. Përveç kohës.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-