Dështim monumental në nivel ndërkombëtar e ka quajtur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Gjykatën Speciale të Kosovës, të bazuar në raportin e raportuesit Dick Marty, 11 vjet më parë. Në fjalimin në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, Rama e ka quajtur këtë raport një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar në nivel botëror.
“Më 2011, Asambleja e Këshillit të Evropës miratoi një raport të përpiluar nga një europarlamentar i zellshëm, Dick Marty, e ku akuzohej UÇK-ja për krimin e neveritshëm të trafikimit të organeve. Zoti Marty do të duhej të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej si raportues i Këshillit të Evropës. Raporti i tij ishte tronditës. E ju, shumë, aso kohe i besuan. U shndërrua në faktorin kyç të ushqimit të idesë dhe të ngritjes së Dhomave të Specializuara të Gjykatës për Kosovën. Po kështu u bë një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar, lloji i manifestit për propagandën mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës. Çdo përpjekje hetimore u bë gjatë këtyre 11 vjetëve të gjata për t’i vërtetuar këto akuza në nivel kombëtar, rajonal e ndërkombëtar. Por më kot, asgjë, asnjë grimë prove a treguesi nuk u gjet askund, në Kosovë apo diku tjetër që kishte të bënte me trafikimin e dyshuar e të pretenduar të organeve”, ka thënë Rama.
Ai ka vazhduar duke thënë se një nga ata që u arrestua nga Specialja është ish-presidenti Hashim Thaçi.
“Përpiquni ta imagjinoni për një moment: Presidenti juaj apo kryeministri, apo udhëheqësi i vendit tuaj që merret nga zyra e çohet në vend të tretë që mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë aktakuzë zyrtare nga një organizëm i krijuar dhe sponsorizuar nga vende, nga një komunitet i vendeve demokratike. Gjejeni pra. As edhe një fjalë e vetme e aktakuzës që vijoi, nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Evropës për krimin e pretenduar të trafikimit të organeve. Është një fantazi e tërë. Ky është dështim monumental në nivel ndërkombëtar. S’ka të bëjë me një person a procedurat e gjykatës. Ka të bëjë me njollosjen e papërshtatshëm të një vendi dhe historisë së tij”, ka shtuar Rama.
Në fjalimin e tij, Rama ka thënë se megjithatë “mes shumë virtytesh” demokracia njeh edhe korrigjimin e fajit dhe gabimeve.
“Mendojmë dhe shpresojmë që saktësisht Asambleja e Këshillit të Evropës do të nderojë të vërtetën dhe do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues… Ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizate kaq të rëndësishme ndërkombëtare. Kurrë s’do të heqim dorë nga kjo e vërtetë dhe s’do të ndalim kurrë të nderuari ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e tyre dhe për të cilët askush në emër të askujt, nuk mund të hedhë as edhe një grimë balte”, ka thënë ai për çështjen e Speciales.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.