Shkruan: Azmir Jusufi (PHDc)
Ramazani dhe leximi i Kuranit
Kurani – Libri i Allahut xh.sh., është rrugë për devotshmërinë, rrugë për të fituar dashurinë e Allahut të Lartësuar. Ai udhëzon drejt asaj që është më e mira, është këshilltari që nuk mashtron, udhëzuesi i cili nuk të humbas, biseduesi i cili nuk gënjen.
Me të vërtetë Allahu xh.sh., e ka begatuar ymetin e Muhamedit s.a.v.s., me muajin e Ramazanit, e ndër tjerash është edhe muaji në të cilin është zbritur Kurani, ku Allahu xh.sh., thotë:
“Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).” (El-Bekare, 185)
Po ashtu, Allahu xh.sh., në Kuran thotë: “A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kuranin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie.”(En-Nisa’, 82)
Është e çuditshme se këtu është përmendur folja تدبر , e cila do të thotë: të menduarit e thuktë, të vëzhguarit dhe studiuarit e diçkaje , dhe ajo në Kuran përmendet ekskluzivisht në kuptimin e të menduarit rreth Kuranit, se Kurani është mrekulli mbinatyrore e jo fjalë e njeriut dhe të praktikuarit e tij në jetën e përditshme.
Sot, për fat të keq, raporti me Kuranin është mistifikuar dhe materializuar tërësisht. Në këtë Libër shikohet si në një sakrament. Është kthyer në një hajmali/talisman, amulet, e nëse ai lexohet, përjetohet vetëm si një melodi dhe muzikë.
Me sa duket, Kurani gradualisht e humbi intencën (qëllimin) e vetë për të cilën është zbritur nga qiej të lartë në qiellin e tokës. Midis myslimanëve ka të atillë që e dinë përmendësh Kuranin dhe e recitojnë shpesh atë, por janë të rrallë ata midis tyre që sillen sipas rregullave të tij, e ndiejnë mirësinë dhe begatinë që u ka falur Allahu nëpërmjet tij dhe punojnë sipas tij.
Ne konstatojmë se sot myslimanët as nga afër nuk i referohen Kuranit ashtu si duhet në të vërtetë, sepse ai nuk është drejtues kryesor i mendjeve të tyre, as nuk është ajo çfarë më së shumti prek zemrat e tyre, e as nuk është nxitësi kryesor i sjelljes së tyre, e as ajo që më së shumti e ndryshon gjendjen e shpirtrave të tyre.
Njerëzit ende, ndoshta më shumë se kurrë, e respektojnë formalisht, por vetëm si një fjalë magjike, e jo si një mendim. Myslimanët e përdorin atë në qëllime të ndryshme, por më së pakti si një udhëzues dhe udhërrëfyes në jetë, për të cilat qëllime edhe është shpallur. Zoti xh.sh., në Kuranin Famëlartë thotë: “Ky është libër, në të cilin nuk ka kurrfarë dyshimi, (i cili është) udhëzim për të devotshmit”(El-Bekare, 2).“Ne të shpallim Kuranin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët…” (El-Isra’, 82).“Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira” (El-Isra’, 9).“O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kurani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), dhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.”(Junus, 57)
Gjurmët e Kuranit në jetën e myslimanit sot?
Sot, Kurani duket se vetëm pjesërisht lë gjurmë në jetën e myslimanit. Kuranit i përkushtohet vëmendja vetëm gjatë këtij muaji të bekuar, gjë që është në kundërshtim me traditën islame, me udhëzimet profetike, sepse myslimani duhet ta lexojë atë edhe jashtë Ramazanit.
Si një shprehje e shoqërisë në një gjumë të thellë, u krijua një botë e tërë imagjinare dhe e gënjeshtërt, e cila për shekuj të tërë kishte joshur dhe mashtruar botën islame. Raporti me Kuranin është mistifikuar dhe materializuar tërësisht. Në këtë Libër shikohet si në një sakrament. Është kthyer në një hajmali/talisman dhe u lexohet më shumë të vdekurve (se sa që e lexojnë të gjallët për vetën e tyre), por, edhe nëse u lexohet të gjallëve, përjetohet vetëm si një melodi dhe muzikë. Ai e humbi qëllimin e vetë. Njerëzit ende, ndoshta më shumë se kurrë, e respektojnë formalisht, por vetëm si një fjalë magjike, e jo si një mendim.
Ne bukur mirë e dimë se çdo sëmundje e zemrës dhe e shpirtit është rezultat i shfrenimit, devijimit dhe dyshimit, kurse Kurani është shërim për të gjitha këto, mirëpo, siç mund të vërejmë, Kurani, posaçërisht sot, është mbyllur dhe mbahet në xhamitë, bibliotekat, shtëpitë e individëve – në rafte të veçanta të mbuluara me pluhurin e harresës. Shtypet si asnjëherë, në të gjitha formatet e mundshme, fije të ndryshme dekorative nga ari dhe fletët e çmuara të letrës, dhe të paktën lexohet e lëre të praktikohet në jetën e përditshme.
Aisheja r.a., transmeton se Muhamedi s.a.v.s., ka thënë: “Ai që e lexon rrjedhshëm Kuranin është bashkë me melaqet e nderuara, ndërsa ai që e lexon Kuranin me vështirësi, ngaqë nuk i zotëron mirë rregullat, ka dy shpërblime”. (Muttefekunalejhi)
Po ashtu, Pejgamberi s.a.v.s., në një hadith të tij thotë: “Ai që dëshiron të e donë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, le të lexon Kuran.”
Në një hadith autentik (sahih), të cilin e transmeton dhe shënon Ibni Maxhe, Muhamedi s.a.v.s., thotë: “Është e sigurt se Kurani do ta takojë lexuesin e tij Ditën e Kiametit, kur ai të ketë dal nga varri; do t’i paraqitet si një burrë i zbehtë dhe do ta pyes: ‘A më njeh mua?’ Ai do t’i përgjigjet: ‘Nuk të njoh’. Atëherë (Kurani) do t’i thotë: ‘Unë jam shoku yt, Kurani, i cili të ka bërë të etesh ditëve të nxehta dhe të ka lënë pa gjumë natën. Vërtet, çdo tregtar rend pas fitimit të vet dhe sot unë do të jem për ty pas çdo fitimi.’ Atëherë (lexuesit të Kuranit) do t’i jepet një mbretëri në dorën e djathtë dhe përjetësia në dorën e majtë; në kokë do t’i vihet kurora e dinjitetit dhe prindërve të tij do t’u vishen dy rroba të çmuara, të cilat vlejnë më shumë se kjo botë. Ata do të pyesin: ‘Për çfarë (merite) na i veshën këto?’ Dhe do t’u thuhet: ‘Për shkak se djali (vajza) juaj zotëronte Kuranin’. Pastaj (lexuesit të Kuranit) do t’i thuhet: ‘Lexo dhe ngjitu në shkallët dhe dhomat e Xhenetit!’ Ai do të vazhdojë të ngjitet, për sa kohë që do të lexojë. Qoftë me shpejtësi apo ngadalë”. (Ibni Maxhe)
Ibën Mesudi r.a., thotë: “Kush e donë Kuranin, ai e donë edhe Allahun dhe të Dërguarin e Tij”. Kurse Othman b. Afani r.a., thotë: “Po të ishin me të vërtetë zemrat e juaja të pastra, kur nuk do u ishte mjaftuar leximi i fjalëve të Allahut xh.sh.”
Kthimi në mësimet e Kuranit
Kthimi në mësimet e Kuranit është shpëtimi i vetëm në çdo kohë dhe çdo vend. Ky kthim nuk do të thotë vetëm leximi i tij (edhe pse vetë leximi i tij është ibadet), por praktikimi i mësimeve kuranore të përfituara nga leximi i ajeteve të tij.
Sot, sa më shumë që myslimanët flasin rreth Kuranit, për fat të keq, më duket sikur janë sa më larg mësimeve të tij, dhe atë për dy arsye: ose nuk janë të sinqertë gjatë leximit të tij ose nuk dëshirojnë që të përfitojnë nga margaritarët dhe urtësitë e tij.
Prof. Husein Xhozo bukur kishte thënë: “Derisa ishte Kurani mënyra e praktikimit të përditshëm, derisa jetohej me direktivat e tij, misioni i tij ishte i gjallë dhe për myslimanët paraqiste fuqinë lëvizëse.” Me të drejtë imam Gazaliu i quajti njerëzit (e posaçërisht kjo u dedikohet njerëzve të sotshëm): “Të vdekurit që ecin nëpër tokë.”
Kur masa ndjeu se nga Kurani nuk mbeti më asgjë përveç fjalëve, kur liderët në vendet islame e larguan nga jeta e përditshme dhe e penguan zbatimin e tij në praktikë, dhe kur ulemaja pushoi dhe u ndal nga predikimi i fjalëve të tij (me urtësi e mençuri) ose duke bërë keqinterpretimin e mësimeve të tij (pa dije të thuktë e pa maturi), si pasojë e gjithë kësaj vërshuan problemet në mbarë botën islame të cilave u jemi edhe vetë ne dëshmitarë.
Rreth kësaj çështje, dr. Almir Fatiqi, thotë se sot ballafaqohemi me interpretime të ndryshme të Kuranit (nuk është e thënë që interpretimet e ndryshme të jenë në kundërshtim njëri me tjetrin), mund të themi, në nivelin lokal dhe global, për arsye se sot me interpretimin e Kuranit merret çdokush, edhe ata që janë kompetent për këtë lëmi dhe që janë të kualifikuar, por edhe ata që janë të veshur nga këto kualifikime, nuk kanë kompetenca për një gjë të tillë, dhe nuk i plotësojnë kushtet e parapara nga dijetarët e njohur në lëmin e tefsirit për interpretimin e Kuranit, e që e gjithë kjo sjell huti dhe përçarje, si në botën islame ashtu edhe më gjerë.
Imam Buhariu dhe Imam Muslimi, shënojnë se Abdullah b. Omeri r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., kishte thënë: “Me të vërtetë, Allahu nuk do e merr dijen duke e marr atë nga njerëzit, por, duke i marr jetët e njerëzve të ditur (dijetarëve), duke u marr jetën një nga një, deri sa të mos mbetet asnjë (dijetar). Atëherë, njerëzit do të kërkojnë dije nga të pa diturit, do t’u kërkohet që të gjykojnë (të japin fetva e të interpretojnë Kuranin), dhe ata do të gjykojnë pa dije, e që do e humbin vetën e tyre dhe njerëzit tjerë.”(Muttefekunalejhi).
_______________
1. Teufik Muftić, Arapsko-bosanskirječnik, El-Kalem, Sarajevë, 1997, f. 423.
2. Mr. Azmir Jusufi, „Myslimanët e sotshëm dhe ibadeti i tyre”, Edukata Islame, nr. 111, KBI – Prishtinë, 2016.
3. Jusufel-Kardavi, Kako se odnositi prema KuranuČasnom, Sarajevë, 2012, f. 533.
4. Husein Đozo, Islam u vremenu(Izabranadjela), vëll. 1, El-Kalemdhe FIN, Sarajevë, 2006, f. 481.
5. Ibn Haxherel-Askalani, Tahdhib et-Tahdhib, 2/222; Es-Sujutiu, El-Xhami’ es-Sagir, 6/150.
6. Ahmad Farid, Čišćenjeduše – prema prvim izvorima, Libris, Sarajevë, 2005, f. 40.
7. Asmir Salihović, O začudnosti, Bemust, Sarajevë, 2010, f. 171.
8. Shih në: Glasnik, Rijaseti I Bashkësisë Islame në BeH, XXXV/1972, nr. 7-8, Sarajevë, f. 309-317.
9. Shih më shumë në: Husein Đozo, Islam u vremenu, Novi Pazar, 1998, f. 191-192.
10. Azmir Jusufi, „Disarregullathemelorepërkuptimindheinterpretimin e Kuranitnëkohënmoderne”, Takvim/Kalendar, përvitin 2015, KBI-Kosovë, Prishtinë, 2015, f. 29.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.