Kur luksi dhe shpenzimet e tepruara në Irak (në periudhën e abaside) arritën deri në atë masë, sa që ushqimi i cili vihej në sofër më nuk kthehej në kuzhinë, por i tëri hidhej menjëherë në plehra, dhe ata fare nuk dinin çka do të thotë “ushqimi i djeshëm”, Allahu i sprovoi me bllokadë 10 vjeçare. Ishin aq të uritur saqë nga buka hanin vetëm bukë të moçme, të zezë e të thatë. Nga uria dhe sëmundjet iu vdiqën dy milionë fëmijë …
Me sytë e mi kam parë në Damask dhe rrethinat e tij grumbuj të bukës së hedhur në kantat e plehut, si dhe kam parë një grua të varfër të cilës i ra një kifle në tokë, kurse ajo nuk e mori, e la dhe vazhdoi rrugën … Kam parë, gjithashtu, një tjetër duke shtyrë me këmbë një copë buke e cila i kishte ra për ta larguar nga rruga … Madje e kam parë një burrë, i cili me një copë bukë të bardhë, për fat të keq, i pastronte dhe lustronte këpucët e tij!
Kështu e kuptova se shkapërderdhja në vendin tim kishte arritur përmasa të frikshme. Po ashtu, e kuptova se po na presin ditë të zeza në të cilat do t’i dëshirojmë ato copat e përmendura të bukës në kantat e plehrave.
Këtë e ka shkruar Ibrahim Kuki, një shkrimtar sirian, si pikëpamje të tij për ato që po ndodhin në Siri.
Nëse e shikojmë pak më mirë gjendjen e umetit islam sot, do të shohim se situata është pothuajse e njëjtë, sidomos në vendet e Gjirit arabik.
Allahu e mëshiroftë babanë tim, i cili gjithmonë së pari e hante ushqimin e djeshëm (bajat), e pastaj të sotmin (taze). Bukën e vjetër e të fortë e lagte me ujë dhe e hante, e nuk e hidhte.
Ishte i pari që ngopej, por i fundit i cili ngrihej nga sofra. Ai i mblidhte trohat e bukës e të orizit dhe i hante e nuk lejonte që të hidhen kur pastrohej sofra.
Nëse në kuzhinë e gjente ndonjë pjatë ku kishte mbetje të ushqimit të fëmijëve, nuk hezitonte ta hante gjithashtu. Ai shumë zemërohej nëse hidhej ndonjë ushqim, edhe nëse kishte filluar të prishej. Ai e ruajti edhe sasinë më të vogël të begatisë së Allahut, andaj edhe ishte i ruajtur.
Ai vdiq, Allahu e mëshiroftë, në moshën 72 vjeç, pa asnjë sëmundje të dukshme, nuk ankohej për shtypje të gjakut, sheqer, bllokim të venave, reumatizëm, zemër, as për ndonjë gjë nga të cilat vuan shumica e atyre që kanë jetuar 50 apo 60, e sidomos 70 vjet.
Shpesh na e citonte hadithin e Pejgamberit savs: “Trajtoni mirë begatitë e Allahut, mos i mohoni ato, sepse kur largohen nga një popull, ato nuk kthehen më.”
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Nëse bëheni mirënjohës, Unë, me siguri, do t’ju jap edhe më shumë.” (Ibrahim, 7)
Allahu na ruajtë nga sprovat dhe na dhashtë udhëzim për ta falënderuar vazhdimisht për begatitë e Tij. Amin!
Dr. Zuhdija Adiloviq; Akos.ba; Përshtati: Miftar Ajdini
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.