Realiteti i vdekjes në Kuran

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Allahu i Lartësuar, në Suren Enbija, ajeti 34 thotë: “Ne nuk kemi bërë asnjë të pavdekshëm para teje. Pra, nëse ti vdes, a do të mbesin ata të përjetshëm”

Shkrimin tonë duam ta fillojmë në kuadrin e vargjeve të mësipërme kuranore dhe të kontribuojmë për të bërë një përllogaritje të hollë, duke theksuar edhe një herë realitetin e vdekjes. Taberi e ka komenduar kështu këtë ajet: “O Muhamed! Ne nuk kemi krijuar para teje askënd prej bijëve të Ademit, i cili do të jetë i përjetshëm, që të të krijojmë edhe ty të përjetshëm atje. Edhe ti do të vdesësh patjetër, ashtu siç kanë vdekur profetët para teje. Nëse ti vdes, a do të mbesin të përjetshëm pas teje në këtë botë ata që i bëjnë ortakëri Zotit të tyre? Jo, situata nuk është aspak e tillë. Edhe nëse jeton apo vdes edhe ata do të vdesin patjetër.” (Taberi, Muhammed b. Xhafer et-Taberi, Xhamiu’l-Bejan fi Tefsiri’l-Kur’an, Kajro, 1987, vol. IX, kapitull. XVII, 18-19.)

Sipas mendimit të shumicës së komentuesve, ky ajet ka zbritur pas fjalës së politeistëve për Profetin, (a.s.): “A mos vallë po thonë: ‘Ai është vjershëtar, të presim derisa ta zhdukë vdekja’” në ajetin 34 të sures Tur. Ata donin që Profetin, (a.s.), ta godiste ndonjë shqetësim dhe të ngushëlloheshin e të gë- zoheshin me këtë. (Shevkani, Muhammed b. Ali b. Muhammed esh-Shevkani, Fethu’l-Kadir Xhamiu bejne Fenneji’r-Rivajeti ve’d-Dirajeti min Ilmi’t-Tefsir, Tas’hih, Ahmed Abdus-selam, Bejrut, 1994 , III, 503; Nisaburi, Muhammed b. Hysejn Kummi en-Nisaburi, Tefsiru Garaibi’l-Kur’an ve Ragaibu’l-Furkan, Bejrut, 1987, vol. IX, kapitull. XVII, 21(Është botuar në anë të tefsirit të Taberit).

Askush nuk e di ku, në ç’kohë dhe si do të vdesë.

Kjo është një çështje e fshehtë. Njeriu vdes atje ku Allahu ia ka përcaktuar vendin. Pas betejës së Uhudit, mushrikët (politeistët) filluan të bënin thashetheme dhe e shfaqën hidhërimin e tyre duke thënë: “Po të kishin marrë mendimin tonë në këtë çështje, nuk do të vdisnim këtu.” Ata pretendonin se do të shpëtonin nga vdekja duke mos marrë pjesë në betejë, nëse ata vetë do të kishin një autorizim lidhur me të. U kërkua një përgjigje e këtillë nga Profeti, (a.s.), për fjalimin e tyre të pavlerë dhe për moszotërimin e kompetencave të përcaktimit dhe planeve rreth realitetit të vdekjes. “… Thuaju: ‘Edhe sikur të kishit qenë nëpër shtëpitë tuaja, prapëseprapë atyre që u është shkruar të vriten, do të dilnin në vendin e vrasjes…” (Al’ Imran, 154) Askush nuk vdes pa caktimin dhe lejen e Allahut. Asnjë armik dhe asnjë sulmues nuk mund ta vrasë dikë, të cilit nuk i është shkruar vdekja akoma. Në të vërtetë, Kurani i referohet kë- saj çështjeje me shprehjen: “Çdo shpirt vdes vetëm me lejen e Allahut, ngase vdekja është shkruar sipas një kohe të caktuar…” (Al’ Imran, 145) Siç e pamë, vdekja ndodh vetëm me caktimin dhe lejen (vullnetin) e Allahut. Por njeriu duhet të marrë masa të rëndësishme dhe të bëjë përgatitjet e domosdoshme kundër rreziqeve, sëmundjeve dhe sulmeve të ndryshme, si dhe të përpiqet të çojë në vend të gjitha mundësitë për t’u vetëmbrojtur. Kjo është detyra e tij si njeri. Por nuk është në dorën e tij pengesa dhe vonesa e vdekjes. Nuk i është bërë e ditur askujt se kur do t’i vijë vdekja. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveç bindjes për këtë çështje. Sado fort të mbrohet njeriu, sado të marrë masa, sado të përpiqet për të ruajtur veten, vdekja do ta kapë atë. Ajeti 78 i Sures Nisa e thekson kështu këtë fakt: “Vdekja do t’ju arrijë kudo që të gjendeni, madje, qofshi edhe në kështjellat më të forta!” Sa njerëz të fuqishëm, të zotë, arrogantë për të pranuar pamposhtjen e tyre dhe që cenojnë të drejtat e njerëzve kanë rënë pre e vdekjes, por ky vetëpëlqim nuk u ka siguruar atyre asnjë dobi. Faraoni, që persekutoi bijtë e Izraelit dhe pretendonte hyjnizim, u mbyt në detin e kuq bashkë me ushtrinë e vet, duke përzënë Hz. Musain dhe ata që i besuan atij. Kurani i Madhërishëm na njofton kështu për fjalët që tha dhe përsëriti Faraoni gjatë mbytjes, në mënyrë që gjithë njerëzimi të marrë mësim: “Ne i mbartëm izraelitët përtej detit dhe Faraoni me ushtrinë e tij i ndoqi ata nga ligësia dhe armiqësia. Por, kur po mbytej, (Faraoni) tha: ‘Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit; dhe unë jam prej myslimanëve.’ “Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar Sot do të shpëtojmë vetëm trupin tënd, që të bëhesh mësim për ata që vijnë pas teje.” (Junus, 90-92) Sado të arratiset njeriu, sado të marrë masa, vdekja do ta arrijë atë. Rreth kësaj çështjeje është thënë kështu: …“Vdekja prej së cilës po ikni, do t’ju arrijë. Pastaj, ju do të ktheheni tek Ai, i Cili e di të padukshmen dhe të dukshmen dhe Ai do t’ju njoftojë ju për atë që keni bërë.” (Xhumu’a, 8) Siç vihet re qartë në ajet, vdekja është kthim tek Allahu. Vdekja është përcaktuar për njeriun që të pyetet se si e ka harxhuar mirësinë e jetës që i është dhënë si amanet dhe përgjegjësi. Të gjithë do të njoftohen për çdo gjë që kanë bërë. Çdo gjë është e përkohshme, përveç Allahut. “Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket e do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim.” (Rrahman, 26-27) Çdo njeri do të vdesë dhe do të kthehet pranë Allahut të Lartësuar. “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (Ankebut, 57) Domethënë, vdekja është pragu i sprovës. Pasi të kalohet ky prag, të gjithë ne do të japim provimet e jetës. Atëherë, le të bëjmë përgatitje siç theksohet në ajetin 18 të Sures Hashr: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” Duhet të shkojmë të përgatitur përtej vdekjes dhe ta bëjmë gjithmonë llogarinë e kësaj. Duhet të respektojmë kënaqësinë e Allahut në të gjitha punët tona dhe ta ndërtojmë jetën tonë sipas kësaj. Sepse ne jemi të vdekshëm. Kemi ardhur në këtë botë për t’u sprovuar. Për të fituar provimin, duhet të japim përpjekjet tona për të jetuar si myslimanë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-