MBAJENI MEND KËTË EMËR !
Të bisedosh me Resulin është një kënaqësi e veçantë. Ai është një bashkëbisedues korrekt , i sinqertë, i hareshëm dhe mbi të gjitha mjaft i këndshëm. Megjithatë, për vete sikur nuk ka dëshirë të flasë. “Për mua dhe punën time duhët të flasin të tjerët, ndërkaq mua më mbetet vetëm që të punojë, të mos ndalem dhe të krijojë vepra të mira”, thotë ai me një vendosmëri të theksuar.
Kush është Resul Jusufi?
U lind në fshatin Buzes të Opojës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prizren. Më l992, kur represioni serb bëhët i padurueshëm, ai shkon në Tiranë ku regjistrohet në Akademinë e Arteve të Bukura, në degën e aktrimit, ku edhe është diplomuar. Më pas i vazhdon studimet në Akademinë e Filmit dhe Televizionit në Varshavë, ku specializon për regji filmi. Është anëtar i Teatrit Makata të Polonisë.
Pas lufte kthehet në Kosovë, me ç’rast fillon një punë intensive si regjisor i teatrove amatore, duke themeluar teatrin alternativ. Fillimisht, në Kaçanik themeloi teatrin “A+”, ndërsa me shfaqjen pantomime “Dy molla poshtë, një lartë” në festivalin e Ferizajt vlerësohet për regji më të mirë. Pas këtij suksesi, në Ferizaj themelon teatrin “Po-po”, me të cilin prapë arriti sukses me shfaqjen “Ku janë?”. Pas kësaj kthehet në vendlindje dhe në Sharr themelon “Teatrin Alternativ 503”, ndërsa me shfaqjen “Of- Uf” zen vendin e parë në festivalin e Pejës. Prapë kthehet në teatrin “Po- po”, ku e përgatitë një shfaqje me të cilën paraqitet para publikut të Mynsterit në Gjermani, me ç’rast atje mbajti me sukses edhe work shope. Më pastaj mori pjesë edhe në disa festivale vendore dhe ndërkombëtare (në Poloni, Gjermani, Zvicër etj).
Resuli është mjaft i suksesshëm edhe në pikturë. Në këtë fushë ka pasur disa ekspozita kolektive e personale në vend dhe jashtë (në Varshavë, Gjermani, Zvicër, Shqipëri dhe Kosovë), me ç’rast pikturat e tij janë vlerësuar lartë. Herë pas here merret edhe me skulpturë. Në Tiranë ka botuar edhe dramën “Nesër” ( Histori pa histori). Ndonëse merret me disa arte, atij i flenë në zemër nocioni “artist”.
Ç’është arti për Resulin?
Përgjigjja e tij në këtë pyetje është mjaft e thuktë : – Arti për mua është filozofi. Në këtë mënyrë ai e vlerëson artin, të cilit i është përkushtuar me tërë qenien e tij. Është e qartë se për te jeta pa art nuk do të ishte kuptimplote. Do të ishte e zbrazët, nënvizon ai saherë që flitet për artin. Ndonëse është regjisor, aktor, piktor dhe skulptor, atij më tepër i flenë në zemër nocioni “artist”. Dhe kështu i pëlqen që ta quajnë.
Ndërkaq, i pyetur se a është vështirë të merresh me disa arte dhe sa e pengojnë ato njëra-tjetrën, Resuli pa u hamendur konstaton se për të kjo nuk është aspak e vështirë. Sipas tij artet sikur e plotësojnë njëri tjetrën. “Mendoj se kur njeriu e donë një punë dhe mund të jetojë nga ajo, atëherë kjo punë assesi nuk mund të jetë e vështirë. Në pamundësi për të bërë një film apo kur nuk jam i angazhuar në teatër, unë merrem vazhdimisht me pikturë. Kam shumë energji dhe për çdo ditë bëj diç”, thotë Resuli, ndërkaq bashkëbiseduesi, vërtetë bindet se brenda këtij njeriu mëshifet një energji e pashtershme.
Rreth pozitës së artistit në Kosovë, ai pohon se kjo pozitë, hëpërhë, është mjaft e vështirë, duke shtuar se e tëra kjo është si pasojë e gjendjes aktuale në Kosovë. Për më tepër, ai mendon se një gjendje e tillë do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë. Dukshëm ai është i revoltuar për faktin se të gjitha gjërat në këtë nënqiell janë politizuar tejmase dhe në këtë mënyrë edhe arti dhe artisti janë, padyshim, viktimë e politikës shterpe, si dhe e mungesës së iniciativave të mirëfillta, që artistët të krijojnë arte, e jo pseudo arte. Dhe kjo, natyrisht që është mjaft e dëmshme për shoqërinë tonë.
Ndonëse Resuli është edhe aktor i shkolluar, atij deri më tani nuk i është ofruar asnjë rol aktrimi në Kosovë. “ Në Kosovë më njohin vetëm si regjisor dhe piktor, e jo edhe si aktor, ndonëse mjaft herët e kam kryer aktrimin në Tiranë. Përndryshe, jam në formë të mirë dhe me kënaqësi do ta luaja ndonjë rol në film apo teatër. Në pyetjen tonë se përse si regjisor i teatrove amatore është përcaktuar për teatrin alternativ, ku nuk ka fjalë, ngase ato zëvendësohen me mimikë, gjestikulacione, pantomimë, ai konstaton se teatri alternativ ofron më shumë mundësi dhe hapësirë në skenë, edhe për aktorin edhe për regjisorin.
Si regjisor i teatrove amatore ai, kryesisht është përcaktuar që të punojë me të rinjtë e shkollave të mesme. I pyetur se a ka vështirësi në këtë drejtim ai thotë: “Po, është kjo një punë e lodhshme, por njëherit është edhe mjaft e këndshme, kur sheh se në Kosovë ka shumë talentë të rinj, të cilët përparojnë shpejt.
Piktura
Të gjitha muret e brendshme të shtëpisë së tij në Prizren, ku ai tani jeton, janë të stërmbushura me piktura të ndryshme, prej tyre disa edhe me dimensione të mëdha. Ngjyrat për Resulin janë ato që shprehin një botë të tërë ndjesish, të cilat nuk mund të shprehen me fjalë. Dhe kjo natyrisht që e habitë vizitorin, ngase ai nuk është piktor i shkolluar. Rastësisht ka filluar të pikturojë në Poloni dhe pasi kjo u pëlqeu të tjerëve, po edhe vetë atij, ai e vazhdoi këtë punë deri më sot. Me pikturat e tij, ai ka hapur shumë ekspozita, të shumtën e rasteve jashtë vendit (në Poloni, Gjermani, Zvicër, Shqipëri dhe Kosovë). Ka marrë pjesë edhe në ekspozita kolektive. Dhe ajo që e gëzon atë pa masë është fakti se pikturat e tij vazhdimisht janë vlerësuar lartë nga kritikët e pikturës. Ndërkaq blerësit e pikturave të tij janë kryesisht të huajt. Për t’i shitur pikturat, duhet të kesh një emër të madh, konstaton ai. “ Piktura është art individual dhe shumë luksoz. Kushton më pak dhe realizohet më lehtë, në krahasim me filmin e teatrin. Pothuaj se çdo ditë pikturoj”, nënvizon Resuli.
Po cilat janë ëndrrat e tij? – Sipas tij, njeriu pa ëndrra jeton kot. Ëndrrat dhe imagjinata qëndrojnë afër njëra-tjetrës. Të bëjë një film për Kosovën, ashtu siç e perceptoj unë, kjo është ëndrra ime më e madhe.
Resuli tek njerëzit çmon më shumë sinqeritetin dhe humanitetin, ndërsa e urren gënjeshtrën dhe burokracinë, kurse gëzohet shumë sa herë që e kryen një punë të suksesshme. I pyetur se ç’bën gjatë kohës së lirë, ai përgjigjet se fare nuk ka kohë të lirë, ngase atë e shfrytëzon për të pikturuar dhe për të bërë ndonjë skulpturë nga druri. Në shtëpinë e tij qëndrojnë krenare shumë sosh.
Ndonëse në shikim të parë ai len përshtypjen e njeriut të hareshëm dhe të pabrenga, thellë në shpirtin e tij duket se flenë shumë shqetësime. Ai nuk është i kënaqur me shumë rrjedha të shoqërisë sonë. Me keqardhje konstaton se Kosovën e lirë e ka ëndërruar krejt ndryshe.
Sa dhe si do të shfrytëzohen mundësitë dhe talenti i tij në nënqiellin kosovar, mbetet të shihet. Mjerisht, kjo nuk varet vetëm prej tij.
Shkruar nga Muharrem Qafleshi
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.