Që rreth një muaj, 20-vjeçaret Blinera Tola dhe Alba Cikaqi janë duke jetuar në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara dhe jeta e tyre është fokusuar tek inteligjenca artificiale (IA).
Nga Prishtina, ato bënë rrugën drejt Arlingtonit në Virxhinia pasi u pranuan në një program të Projektit të Studimeve Speciale Konkurruese (SCSP) për IA dhe Siguri Kombëtare.
Nga përdorimi i teknologjive të përditshme si softueri i IA-së, ChatGPT, ato kaluan në një ambient ku ekspertë ndërkombëtarë diskutojnë për mënyrat se si IA-ja mund të integrohet në ushtri e misione për siguri kombëtare të një shteti.
“Kam mësuar se dilema me IA-në është jo nëse duhet ta përdorim apo jo, por kur duhet ta përdorim. E kam parë që është e paevitueshme, është gjithkund. E kemi parë përdorimin e saj nga ushtritë në edukim, bujqësi, transport e shumëçka tjetër”, thotë prishtinasja Tola për Radion Evropa e Lirë.
Bashkëmoshatarja e saj nga Prizreni, Cikaqi, thotë se ditët e para në SHBA i kanë dhënë asaj shumë mësime për mënyrat se si një shtet mund t’i përdorë teknologjitë e reja në të mirën e vet.
“Ambicia ime më e madhe është të kontribuoj në të mirën e vendit tim. Kështu që do të kthehem dhe jam e përkushtuar ta përdor edukimin dhe përvojën time për të sjellë ide të reja në Kosovë”, thotë Cikaqi.
Tola dhe Cikaqi po qëndrojnë në SHBA si pjesë e një bashkëpunimi të Institutit Rochester të Teknologjisë (RIT) në Kosovë (A.U.K) dhe SCSP-së për të ndihmuar studentët në Kosovë “të vetëdijesohen për epokën transformuese në ardhje të IA-së”.
Ky është viti i parë që studentë nga Kosova kanë pasur mundësinë të shkojnë në SHBA për të mësuar për IA-në dhe Cikaqi thotë se ka vërejtur shumë zhvillime teknologjike që do t’i shërbenin vendlindjes së saj.
“Vendi jonë përballet me kërcënime të sigurisë çdo ditë. Sa herë që mësoj për një sistem të sigurisë që po aplikohet ose do të aplikohet këtu, më shkon mendja te Kosova. Kemi nevojë për këto teknologji dhe e di që e kemi talentin e të rinjve për të punuar në këto projekte”, thotë Cikaqi.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar edhe më parë lidhur me hovin e zhvillimit të kompanive të teknologjisë informative në Kosovë, që punësojnë kryesisht të rinj me paga dukshëm më të mëdha se paga mesatare në vend.
Nga Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK) thonë për REL-in se përparësi për Kosovën përbën popullsia e re, për shkak se ky sektor kudo në botë dominohet nga të rinjtë.
Kosova është shteti më popullsinë më të re në Evropë. Sipas të dhënave preliminare të regjistrimit të sivjetme të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), mosha mesatare në Kosovë është 34.3 vjeç.
(shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.