Opoja.net

Rregullat e këndvështrimit tonë islam

Për ne si myslimanë që besojmë se Islami është një kushtetutë jete, është krejt normale që këndvështrimin tonë ndaj ekzistencës, jetës dhe ngjarjeve apo, me një thënie tjetër, parimet e besimit, veprat dhe sjelljet tona së pari të na i caktojnë bazat që janë shprehur në Sunetin e të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam dhe në Kuranin Fisnik. Fushën që i cakton rregullat e besimit dhe këndvështrimet tona brenda këtyre bazave e quajmë akidja islame. Përgjatë historisë kanë dalë në pah ndryshime në pranimin dhe metodën e të kuptuarit të këtyre bazave për arsye të ndryshme. Këto përqasje të ndryshme kanë pasur ndikim në formimin e fraksioneve dhe medh’hebeve. Ato që u formuan me themele prej dijeje, me një qëllim të mirë dhe me një metodë të drejtë, formuan medh’hebet  e vërteta. Ndërsa ato që u formuan mbi një themel politik, vetjak dhe informacion të mangët/të gabuar me nijet të mirë apo të keq, nxorën në pah medh’hebe, tarikate dhe fraksione të humbura e të devijuara. Në themelin e këtyre dhimbjeve, përçarjeve, fitneve dhe shkatërrimeve që umeti islam po i përjeton nga dje e deri më sot, në shumicën e rasteve gjenden këto probleme që thamë më lart. Ne këtu nuk do të bëjmë analizën e këtyre problemeve. Në vend të kësaj, dëshirojmë t’i rikujtojmë për vete dhe t’jua rikujtojmë edhe juve disa rregulla sipas këndvështrimit të “Ehli Sunetit” që ka fituar aprovimin e shumicës dërmuese të myslimanëve. Kemi nevojë të qartë për dispozitat që vijnë nga burimet hyjnore dhe profetike, në mënyrë që këmbët të mos na rrëshqasin dhe zemrat të mos na devijojnë nga e vërteta.

Në themelin e kësaj rrëmuje që po përjetohet në ditët e sotme, në përgjithësi gjendet humbja e metodës për ta kuptuar fenë në mënyrë të drejtë dhe për ta zbatuar atë në jetë. Njohja me mangësi e shkencës së Usulu’d-Dinit e cila na tregon se kujt dhe si duhet t’i besojmë dhe mosrespektimi i Usulu’l-Fikhut, domethënë, metodologjisë për t’i kuptuar tekstet fetare të cilat na mësojnë se kë dhe si duhet ta kuptojmë e pastaj ta zbatojmë në jetë, formon një kaos të vërtetë. Ndoshta në ditët e sotme njëra prej detyrave më të rëndësishme të dijetarëve tanë, të cilët janë prijësit e umetit islam, është rishtjellimi i këtyre dy fushave, thellimi në to dhe vendosja para umetit e një harte rruge në të cilën mund të ecë. Sepse njeriut të çdo kohe, me një gjuhë dhe metodë që mund ta kuptojë, duhet t’i shpjegohet se si mund t’i zbatojë në jetë të vërtetat hyjnore.

Ne në këtë shkrim, brenda mundësive të faqeve të revistës, do të përpiqemi të shfaqim një kornizë të këndvështrimit tonë islam ndaj ekzistencës dhe ngjarjeve duke u nisur nga vërtetimet e dijetarëve myslimanë. Në këtë mënyrë, do të tërheqim vëmendjen edhe ndaj gjërave të duhura, edhe ndaj atyre që nuk duhen. Sigurisht se çdo çështje nuk mund ta shqyrtojmë. Për këtë arsye, do të kufizohemi vetëm me çështjet kryesore të cilat i shohim si të rëndësishme për ditët e sotme. Kështu që i lutemi Zotit (xh.sh.), që të na udhëzojë për te më e drejta!

Qëllimi i krijimit tonë

Ne nuk jemi krijuar për të derdhur gjak dhe për të shkatërruar mbi sipërfaqen e tokës, por jemi krijuar për ta ndërtuar jetën në formën më të bukur në çdo fushë të saj në përputhshmëri të plotë me fenë e Zotit (xh.sh.) dhe për të adhuruar vetëm Allahun Teala. Urtësia e ekzistencës dhe e vdekjes sonë është arritja e suksesit në provimin për të nxjerrë në pah veprat dhe sjelljet më të bukura. Pra, para së gjithash, për ta njohur në mënyrë të drejtë Allahun e Lartësuar dhe pastaj për të formuar marrëdhëniet tona me të gjitha krijesat në bazë të dijes, urtësisë dhe drejtësisë duke u thelluar dhe zhvilluar gjithmonë në dije dhe urtësi. Dhe së fundi, për të dalë në audiencën e Zotit (xh.sh.), me fytyrë të bardhë si një mysliman që ka arritur gradën e zemrës së shëndoshë e të dëlirë.

Zoti ynë është Allahu

Fjala e tevhidit “la ilahe il-lall-llah” formon qendrën e besimit tonë ndaj Allahut Teala. Ajo do të thotë: “Nuk ka asnjë zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut.” Përveç Allahut Teala asnjë qenie tjetër e gjallë apo pashpirt, e dukshme apo e padukshme nuk mund të jetë zot në asnjë mënyrë dhe asaj nuk mund t’i bëhet adhurim në asnjë lloj mënyre. Në krye të mëkateve më të mëdha vjen “shirku” që do të thotë t’i shoqërosh Allahut dikë në adhurim. Ata që i bëjnë shirk Allahut Teala nuk do të falen kurrë.

Qenia dhe natyra e Allahut Teala nuk mund të konceptohet në mënyrë të plotë. Ai mund të njihet vetëm me cilësitë që i ka përshkruar vetë në Kuranin Fisnik apo me gjuhën e të Dërguarve të Tij (s.a.s.). Esmau’l-Husna / emrat më të bukur të Allahut janë korniza më e rëndësishme e dijes që na e prezanton Atë neve. Emri i thellimit në këtë kornizë dhe të ndjerët e kësaj dijeje deri në gradën ilme’l-jakin, ajne’l-jakin dhe hakka’l-jakin është marifetu’ll-llah. Ajo është në raport të drejt për drejtë me gradën e pjekurisë shpirtërore. Përveç kësaj, sigurisht që mund të ketë edhe disa nderime të veçanta ndërmjet Allahut dhe robërve të Tij. Vetëm se këto gjendje janë ndjenja të veçanta për njeriun ndërmjet Allahut dhe robit. Ato nuk duhet t’u tregohen të tjerëve ngaqë nuk kanë asnjë lloj detyrimi prej tyre. Për këtë situatë mund të jepen shumë shembuj.

Siç nuk mund të bëhet fjalë për Allahun Teala që të hyjë brenda asnjë krijese, edhe krijesat (pejgamberët, engjëjt, evliatë, etj.) nuk mund të bëhen Zot cilado qoftë pozita e tyre. Robi është rob dhe Zoti është Zot. Këtu janë pikat e rrëshqitjes së këmbëve të shumë njerëzve. Ata që i kanë bërë zota dijetarët dhe murgjit e tyre, i kanë bërë shirk Allahut (xh.sh.).

Autoriteti për të caktuar haramin dhe hallallin i përket vetëm Allahut Teala. Rregullat e sistemit të jetës i cakton vetëm Ai. Nisur nga këto që thamë, dijetarët janë ata që vetëm i shpallin dispozitat hyjnore dhe që i zbulojnë ato me përpjekjet e tyre. Ata mund të gabojnë në ixhtihadet e tyre (në përfundimet që arrijnë si rezultat i studimeve të tyre). Të gabuarit dhe mangësia i përket njeriut, ndërsa përsosmëria i përket vetëm Allahut. Për këtë arsye, nënshtrimi absolut bëhet vetëm kundrejt Allahut (xh.sh.). Në një vend ku kundërshtohet Allahu i Lartësuar, nuk mund të bëhet fjalë për bindje ndaj krijesës.

E gjithë dija e gajbit që ka të bëjë me fushat jashtë perceptimit tonë i përket vetëm Allahut Teala. Asnjë krijesë, duke përfshirë edhe pejgamberët, nuk e njohin gajbin. Por Allahu Teala disa robërve të Tij mund t’u japë të dhëna nga gajbi aq sa dëshiron Vetë.

Allahu Teala është më afër me të gjitha krijesat se vetvetja e tyre. Në këtë kontekst, nuk ka nevojë për asnjë ndërmjetës për t’iu lutur Allahut, për ta adhuruar Atë dhe për t’i kërkuar ndihmë Atij. Ndërsa pejgamberëve, dijetarëve, të urtëve dhe të devotshmëve mund t’u kërkojmë që të na e mësojnë adhurimin ndaj Allahut, të na mësojnë që ta bëjmë atë në formën më të bukur dhe që t’i bëjnë dua Allahut dhe t’i kërkojnë falje për ne. Kjo gjendje nuk është ndërhyrje ndërmjet Allahut dhe robit, por është ndihmë reciproke në mirësi e devotshmëri në rrugën për t’u bërë robër prej të cilëve Zoti (xh.sh.), është i kënaqur.

Njeriu besimtar dashurinë më të madhe e ka për Allahun Teala. Asnjë dashuri tjetër nuk duhet ta kalojë këtë dashuri. Të gjitha dashuritë e tjera duhet të sistemohen sipas kësaj dashurie qendrore.

Udhërrëfyesi dhe shembulli ynë është i Dërguari i Allahut (s.a.s.)

Muhamed Mustafa (s.a.s.), është pejgamberi i fundit që Zoti (xh.sh.), e ka dërguar si mëshirë për të gjitha botët. Ai është si një kandil që shpërthen dritë dhe që është dërguar për ta nxjerrë njerëzimin nga errësirat në dritë me lejen e Allahut. Ai është usvetun hasene / shembulli më i mirë për ata që i besojnë Allahut e Ahiretit dhe që e përmendin shumë Allahun. Detyra më themelore e tij është që t’i lexojë ajetet e Allahut që së pari t’i zbatojë vetë në jetë, që t’ua mësojë njerëzve hallallin e haramin, dispozitat hyjnore e urtësinë dhe që t’i zhvillojë ata me të gjitha cilësitë e bukura duke i pastruar nga të gjitha llojet e ligësive.

Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), është një njeri, por jo një njeri i zakonshëm. Ai është një njeri që merr shpallje nga Allahu i Madhëruar. Fjalët dhe veprimet e tij janë të edukuara me shpalljen hyjnore, të rregulluara me anë të saj kur ka qenë e nevojshme dhe të mbrojtura. Në këtë aspekt, ai ka qenë i mbrojtur. Nisur nga kjo, bindja ndaj tij është bindja ndaj Allahut (xh.sh.). Kështu ka thënë Zoti (xh.xh.). Besimtarët nuk kanë të drejtë zgjedhjeje kundrejt ligjit që ka vendosur Allahu Teala. Shfaqja e një nënshtrimi të plotë nga besimtarët pa ndjerë asnjë vështirësi nga brenda është vullnet i vetë Zotit (xh.sh.).

Asnjë individ dhe shoqëri që thotë se Kurani Fisnik na mjafton duke e lënë jashtë funksioni të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), kurrë nuk mund të jetë mysliman i plotë dhe asnjëherë nuk mund ta ndërtoje civilizimin islam. Fjalët, veprat, morali, gjendjet dhe sjelljet e tij të bekuara do të jenë rregulla dhe dritë për çdo besimtar që do të vijë deri në Ditën e Kiametit. Ana të cilën duhet ta theksojmë është vlera e lajmit të këtyre informacioneve që kanë ardhur deri në ditët e sotme. Përgjatë të gjithë shekujve shumë dijetarë kanë nxjerrë në pah shumë libra të vyer në këtë fushë. Pasi këto lajme, të cilat ne i quajmë sunet dhe hadith, të vërtetohen se i përkasin atij (s.a.s.), detyra që i takon besimtarit për të bërë është që t’i zbatojë në jetë dhe të bëjë një jetë më të gjallëruar me to.

Shembulli më i mirë i zbatimit të Islamit është shfaqur nga ana e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Nisur nga kjo,mai është shembulli që duhet ta marrin në zbatimin e Islamit. Askush nuk ka të drejtë dhe mundësi ta kalojë atë në këtë çështje. Përparimi dhe përsosja shpirtërore fitojnë vlerë dhe kuptim në raport me afrimitetin ndaj pjekurisë shpirtërore të Pejgamberit (s.a.s.).

Ne besojmë se pasimi i Sunetit dhahiri dhe batini i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i cili ka qenë i dashuri i Allahut, do të na bëjë të fitojmë dashurinë e Allahut Teala. Ne pranojmë se sunetet dhahiri që kanë lidhje me ibadetet, veprat, moralin dhe marrëdhëniet i mësojmë nëpërmjet dijes dhe veprave, ndërsa sunetet batini / shpirtërore si dashuria ndaj Allahut, frika ndaj Allahut, sinqeriteti dhe modestia i mësojmë nëpërmjet dashurisë. Ai (s.a.s.), është krijesa më kulmore ndaj të cilës mund të ndjejmë dashuri ndërmjet të gjitha krijesave. Dashuria dhe respekti që kemi ndaj tij, asnjëherë nuk mund t’i afrohet kufirit të shndërrimit në Zot. Ne besojmë se ai është robi dhe i Dërguari i Allahut dhe e nderojmë dhe e duam me këtë cilësi.

Ndarja e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, nga Kurani Fisnik do të thotë mangësi në njohjen edhe të Kuranit Fisnik, edhe të tij, sepse ai është i pari që e ka predikuar Kuranin Fisnik, që e ka shpjeguar, që e ka zbatuar dhe që ka poseduar moralin e tij. Të kuptuarit e Islamit që është feja e fundit prej të cilës është i kënaqur Allahu Teala, të zbatuarit e tij dhe shndërrimin e tij në mish e kocka si një civilizim pa e njohur Hz. Pejgamberin, pa e dëgjuar siç duhet dhe pa e mësuar e dëshmuar jetën e tij me dije, urtësi dhe syrin e zemrës, nuk është gjë tjetër përveçse një imagjinatë boshe. Për këtë arsye, rruga e atyre që përpiqen ta shfaqin si të pavlerë apo ta nënvlerësojnë Sunetin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), asnjëherë nuk të nxjerrë te sirati mustekim / rruga e drejtë.

Sipas besimit tonë edhe shefaati / ndërmjetësimi është i vërtetë në Ditën e Kiametit. Besimtarët edhe në Kiamet do ta shohin dhe do ta ndjejnë, me lejen e Allahut, se ai pejgamberi i mëshirës me të vërtetë ka qenë i tillë. E vërteta hyjnore që duhet ta dimë në lidhje me këtë çështje është: Askush nuk do të ketë të drejtë ndërmjetësimi pa lejen e Allahut Teala.

Kurani Fisnik është libri i jetës dhe kushtetuta jonë

Kurani Fisnik është fjala hyjnore plot udhëzim, mëshirë dhe begati që Zoti (xh.sh.), ia ka dërguar të gjithë njerëzimit. Ai është koleksioni i të vërtetave hyjnore që ka arritur deri te ne pa u ndryshuar dhe për të cilin është premtuar që do të mbrohet deri në Ditën e Kiametit. Ai është një libër mrekulli. Edhe sikur të gjitha krijesat të mblidheshin bashkë, nuk do ta bënin dot një libër të ngjashëm me atë.

Ai, siç shprehen disa njerëz, nuk është një libër historik që ka iluminuar një periudhë të caktuar të historisë, por që nuk mundet ta bëjë këtë në ditët e sotme apo në të ardhmen nisur nga dispozitat që përfshin. Dispozitat e Kuranit Fisnik do të mbeten deri në Kiamet.

Disa ajete të tij janë të lehta për t’i kuptuar të gjithë, domethënë, siç shprehet edhe vetë Kurani Fisnik, janë ajete muhkem. Ndërsa disa ajete të tjera, ngaqë nuk mund të kuptohen lehtë me shikim të parë, janë ajete muteshabih që mund t’i kuptojnë në një lloj mënyre apo që mund t’i shpjegojnë deri në një shkallë të caktuar njerëzit që janë thelluar në dije. Veçanërisht ata që kanë sëmundje në zemër dhe që dëshirojnë t’i komentojnë ajetet e Allahut sipas dëshirave vetjake të tyre, më së shumti u drejtohen këtyre ajeteve të grupit të dytë. Nisur nga këto që thamë, tentativat e ditëve të sotme që i lënë jashtë loje të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), selefët e devotshëm dhe dijetarët tanë të vërtetë duke e nisur rrugën me sloganin “myslimanizmi i Kuranit”, ndërkohë që nga njëra anë janë rezultati i një mashtrimi vetjak e djallëzor, nga ana tjetër janë një plan cinik i projekteve për ta shkatërruar Islamin dhe myslimanët. Rezultati i një iniciative të tillë përfundon me shndërrimin në idhull të dëshirave vetjake dhe formon dyshime serioze në kokat e njerëzve dhe turbullim shpirtëror në emër të Islamit.

Këtë çështje nuk duhet ta harrojmë asnjëherë: Ndërkohë që Kurani Fisnik shfaq ndikimin e tij me shërim dhe mëshirë kundrejt atyre që i besojnë plotësisht dhe që dëshirojnë të përfitojnë prej tij sipas metodës së duhur, ai është edhe një libër që ua shton humbjen shumë të padrejtëve që dëshirojnë ta komentojnë atë sipas qejfit të tyre dhe që nuk i afrohen me edukatën dhe nderimin që meriton. Edhe pse të lexuarit e teksteve të përkthyera të Kuranit është i rëndësishëm nga aspekti i formimit të kulturës së Kuranit, nuk është i mjaftueshëm për ta kuptuar Kuranin dhe për të nxjerrë dispozita për jetën tonë. Përfitimi nga tefsiret e dijetarëve tanë të cilët kanë fituar mendimin e mirë të umetit dhe që kanë punuar me dijen e tyre, duke i pyetur dhe duke mësuar nga ata, është rruga më e saktë. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë duhet të lexohen përkthimet me shpjegime dhe asnjëherë nuk duhet të tentojmë të kemi guximin për të nxjerr dispozita.

Për ta konceptuar Kuranin Fisnik në mënyrën e drejtë duhet të mësojmë shkencat që janë të domosdoshme në atë rrugë apo të gjendemi nëpër mësimet dhe ligjëratat e dijetarëve që punojnë me dijen e tyre dhe që janë të devotshëm.

Thellësitë e kuptimeve të Kuranit Fisnik hapen sipas pjekurisë sonë shpirtërore. Atyre që i afrohen me nijet të dëlirë dhe me zemër të dorëzuar, u hapen shumë dritare, sepse ky libër i lartë, siç është udhëzim për të gjithë njerëzit, është një udhërrëfyes dhe udhëzim i plotë edhe për ata njerëzit e devotshëm që dëshirojnë ta zbatojnë fenë në mënyrën më të bukur.

Të komentuarit e Kuranit Fisnik jo me qëllimin për t’ju dorëzuar atij dhe për të përfituar prej udhëzimit të tij, por me qëllim për ta shfaqur atë sikur i pranon mendimet e dikujt prej njerëzve, në një aspekt është tentativë për manipulim të ajeteve të Allahut Teala. Apo siç shprehet i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, është një mëkat i madh që e shpie njeriun deri në mohimin e Zotit.

Marrëdhënia e një njeriu mysliman me Kuranin Fisnik së pari është një besim i fortë dhe pastaj formimi i një miqësie me të nëpërmjet leximeve të rregullta edhe të teksteve, edhe të kuptimeve të tij. Gjithashtu, kjo marrëdhënie është të punuarit siç kërkon ai, zbatimi i plotë i tij dhe shpirja e mesazheve të tij të përhershme te robërit e Allahut sipas mundësisë.

Dita e Arafatit – Dita më e veçantë e vitit

Opoja.net

Vlera e ditës së Arafatit: Pse agjërimi në këtë ditë i fshinë mëkatet e dy viteve?

Opoja.net

”Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vete atë që veproi mirë ose keq…

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net