Kur është Nata e Kadrit?
Është e
padiskutueshme që Nata e Kadrit është në muajin ramazan, po ashtu, që ajo është
e vendosur në të tretën e fundit të këtij muaji të bekuar.
Buhariu dhe Muslimi
transmetojnë hadithin në të cilin thuhet: “Kërkojeni Lejletul Kadrin në të
tretën e fundit të muajit ramazan.” Po ashtu: “Përpiquni ta gjeni Natën
e Kadrit në netët teke të 10 ditëve të fundit të ramazanit.”
Imam Buhariu,
gjithashtu, regjistron një transmetim nga Ubade ibn Samit, se ai ka thënë: “Muhamedi
(savs), doli që të na informojë për Natën e Kadrit, por dy muslimanë ishin duke
u grindur me njëri-tjetrin, kështu që Pejgamberi (savs), tha: “Unë dola të
ju informoj për Natën e Kadrit, por kur këta po dy grindeshin, atëherë ajo u ngrit,
mbase është më mirë për ju. Prandaj ju kërkoni atë në natën e nëntë, në të
shtatën dhe në të pestën” dmth, në netët teke.
Siç transmeton hz.
Aishja (r.a.), Pejgamberi (savs), ishte bujar dhe bënte shumë ibadet, por në 10
ditët dhe netët e fundit të ramazanit ai e intensifikonte këtë. Ai tërë natën e
kalonte në ibadet, dhe pothuajse fare nuk flinte. Përveç kësaj, ai i zgjonte të
gjithë anëtarët e familjes së tij në ato net, në mënyrë që edhe ata t’i kalonin
në ibadet.
Dijetarët konsiderojnë
se, misteri i kësaj nate është arsye edhe më e fortë, për ibadet të
intensifikuar dhe kërkimin e mëshirës në disa net të ramazanit. Në bazë të
fjalëve të Pejgamberit (savs), shenjat me të cilat mund të njihet Nata e
Kadrit, janë: qielli është shumë i qartë; nata është relativisht e butë, as
shumë e nxehtë as shumë e ftohtë, është e qetë; lehjet e qenve janë të zvogëluara;
uji i njelmët është disi më i ëmbël; disa njerëz mund të vërejnë se krijesat e
ndryshme të Allahut, në mënyrën e tyre bëjnë Allahut sexhde; disa njerëz mund
të dëgjojnë, si fjalim njerëzor, se si çdo gjë e madhëron Allahun; në agim dita
është veçanërisht e ndritshme dhe e qartë.
Fadiletet – përfitimet e
Natës së Kadrit
I Dërguari i Allahut
(savs), ka thënë: “Kush e arrin Natën e Kadrit dhe e kalon atë me ibadet me
besim në zemër e duke e pritur shpërblimin vetëm e vetëm nga Allahu, i falen të
gjitha mëkatet e bëra më parë.”
(Buhari).
Veçantia e kësaj
nate përmendet në fjalët e Pejgamberit (savs), ku thotë: “O njerëz, po ju
vjen një muaj i madh dhe i bekuar, muaji në të cilin gjendet një natë më e mirë
se 1000 muaj…”
Çka duhet të bëjmë në Natën
e Kadrit?
Ibadeti në këtë natë
është më i vlefshëm se ibadeti në 1000 muaj të tjerë, në të cilët nuk është kjo
natë.
Dijetarët islamë
kanë përmendur tre lloje të ibadetit me të cilat, ndër të tjera, mund të
plotësohet kjo natë e bekuar:
– Me namaz: – Ka thënë Pejgamberi
(savs): “Kush e kalon me namaz Natën e Kadrit, me besim tek premtimi i
Allahut dhe shpresë tek Ai, i falen mëkatet që ka bërë më parë.” (Buhariu) E gjithë nata përgjithësisht është koha kur lejohet
falja e namazit nafile, prandaj besimtari duhet ta kalojë Natën e Kadrit, sa më
shumë që të jetë e mundur, në namaz.
– Me lutje: – Përmendja e
Allahut; lutja dhe dhikri janë përcaktuar përgjithësisht, dhe veçanërisht lutja
e përmendur në hadithin e Aishes (r.a.). Përkatësisht, Aishja (r.a.), e pyeti Pejgamberin
(savs): “O i Dërguari i Allahut, sikur ta dija që është Nata e Kadrit,
çka duhet t’i lutem Allahut në atë natë?” Dhe Pejgamberi
(savs), i tha: “Thuaj: ‘Allahumme
inneke afuvvun tuhibbul-afve fa’fu anni’ – O Zoti im, Ti Falës, dhe e do
faljen, andaj më fal mua.”
Ky hadith pa
mëdyshje tregon legjitimitetin e lutjes ndaj Allahut në këtë natë të bekuar.
– Me lexim të
Kuranit: – Muaji ramazan përgjithësisht është muaj i shoqërimit
me Kuranin, veçanërisht në Natën e Kadrit, sepse kjo është nata e shpalljes së
Kuranit, udhëzim për njerëzit dhe mëshirë e përgjithshme e Allahut të
Madhëruar.
Duke i pasur
parasysh të gjitha sa më sipër, por edhe faktin që Nata e Kadrit është më e
mirë se gjithçka që dimë dhe që na është transmetuar neve, atëherë është plotësisht
e qartë pse muslimanët me shekuj kërkojnë mëshirë në këtë natë dhe e intensifikojnë
ibadetin në ditët e fundit të ramazanit të bekuar. Do të ishte dëm i madh, nëse
jemi të pakujdesshëm ndaj këtij lloji të mëshirës. Andaj, le ta shfrytëzojmë
këtë mundësi, dhe ta inkurajojmë çdo besimtar, që përsëri ta kërkojë
“natën e tij të Kadrit”, natën e cila do të duhej t’ia ndryshojë
jetën dhe ta kthejë kah më e mira.
O Zot, ma mëshiro
dhe na jep mëshirë në Natën e Kadrit!
Hatib: Elvedin ef. Klisura;
Përshtati: Miftar Ajdini
(Islampress)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.