Rrjetet sociale: e mirë apo e keqe?

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Të gjendur përballë një zhvillimi teknologjik që e mahnitin njeriun, sot në aktualitetin tonë ka hyrë edhe një “fushë” që mund ta quajmë “morali teknologjik”. Në fakt, morali është një koncept që nuk ka të bëjë me teknologjinë, por me njeriun që e përdor atë. Nëse njeriu prishet, edhe gjërat më të padëmshme mund të kthehen në mjete të së keqes.

Tregohet një ndodhi e tillë:

“Një njeri u ngrit prej gjumit një ditë të diele pas një jave të lodhshme pune. Mori në dorë gazetën dhe me kënaqësinë e madhe se do të kalonte një ditë të tërë në shtëpi duke pushuar, u rehatua mbi kolltuk. Ndërkohë, vjen djali i tij i vogël me një frymë dhe e pyet se kur do të shkonin në park.

Babai ia kishte premtuar djalit se atë fundjavë do ta çonte në park. Por, për shkak se nuk dëshironte të dilte fare jashtë, tani duhej të gjente një arsyetim. Atë moment i vajti syri tek një hartë bote e cila ishte dhënë si promocion së bashku me gazetën. Ai e mori hartën dhe pasi e preu në copa të vogla, i përzjeu ato dhe i tha djalit:

– Shiko mor bir! Nëse arrin ta rregullosh këtë hartë, do të të çoj në park!

Më pas mendoi:

– Tani për tani shpëtova! Këtë hartë nuk e rregullon deri në mbrëmje edhe sikur të vijë profesori më i mirë i gjeografisë!

Pasi kaluan vetëm dhjetë minuta, djali vrapoi tek babai dhe i tha:

– Baba unë e rregullova hartën. A mund të ikim në park tani?

Babai në fillim nuk arriti ta besonte dhe kërkoi që ta shihte. Kur e pa, u habit jashtë mase dhe e pyeti të birin se si arriti ta përfundonte kaq shpejt. Djali i vogël, pa e zgjatur shumë tha:

– Në copat e hartës që më dhe vura re se pas tyre gjendej një figurë njeriu. Kur rregullova njeriun, vetvetiu u rregullua edhe bota!”

Lidhur me këtë fakt, ky hadith i të Dërguarit të Allahut (a.s.), është shumë kuptimplotë: “Sa mirësi e madhe është pasuria për një njeri të mirë!” (Ahmed b. Hanbel, IV, 197,202.) E në fakt, ai që e bën pasurinë të mirë ose të keqe është vetë njeriu.

Një mirësi e rënë në dorën e një njeriu të paedukuar dhe rob të dëshirave të tija primitive, e thënë ndryshe, rob i “nefsit emmare”, egos që urdhëron gjithmonë vetëm për keq, ajo mund të shndërrohet në një mjet të së keqes.

Ebu Said el Hudriu (r.a.), tregon:

Kur i Dërguari i Allahut (a.s.), vishte një rrobë të re, e përmendte emrin e rrobës, p.sh., këmishë, çallmë etj., dhe bënte këtë dua:

“O Allah! Falënderimi të takon vetëm ty. Ti ma veshe mua këtë. Prej teje kërkoj të mirën e saj dhe të mirën e qëllimit të prodhimit të saj. Po ashtu, strehohem tek Ti prej së keqes së saj dhe së keqes së qëllimit të prodhimit të saj.” (Ebu Daud, Libas, 1; Tirmidhi, Libas, 28.)

Nëse një ditë do të përpilonim rregullat e moralit të përdorimit të teknologjisë, si besimtarë që jemi, do ta vendosnim këtë dua në pikën e parë të tyre. Po! Të kërkosh prej Allahut të mirën e dhuntive dhe të strehohesh tek Ai prej të keqes së tyre.

Lidhur me qasjen ndaj një dhuntie, në këtë hadith fisnik bien në sy këto dy çështje:

Një mirësi apo dhunti, mund të bëhet shkak i së keqes, po aq sa mund të jetë shkak i së mirës. Në këtë aspekt, mund të thuhet se tek çdolloj mirësie gjenden të dyja këto mundësi.

Qëllimi i prodhimit të një gjëje që duket si mirësi, mund të jetë edhe i mirë, por edhe i keq. Edhe pse në dukje mund të jetë një mesxhid, në të vërtetë ai mund të luajë rolin e “Mesxhid-i Dirar”, pra një vendi të ndërtuar për të prodhuar ngatërresa dhe probleme.

Çfarë mendje mund të jetë ajo e cila mendon të prodhojë armë shfarosëse pa bërë dallimin ndërmjet fajtorit dhe të pafajshmit? A është e mundur që një mendim i tillë të vijë në zemrën e një besimtari, qoftë edhe kalimthi?

Ekzistojnë teknologji të tilla të prodhuara prej atyre që e kanë bërë profesion zullumin, të cilat janë projektuar për të shkatërruar botën dhe për të hapur probleme mbi të. Dhe, eliminimi i këtyre, është përgjegjësia e të gjithë njerëzimit. Ndërsa përgjegjësia e zemrave besimtare që u është lënë amanet kjo tokë, padyshim që është edhe më i madh. Për rrjedhojë, ne duhet të strehohemi tek Allahu prej të keqes së tyre dhe të mos i neglizhojmë kurrë masat që duhen marrë kundër tyre.

Ekzistojnë edhe teknologji të tilla, prej të cilave mund të përfitohet plotësisht në bazë të gjendjes së zemrës së njeriut. Kjo është edhe tema kryesore e këtij shkrimi. Kjo teknologji përbëhet veçanërisht nga mediat, rrjetet sociale dhe mjetet e komunikimit.

Çfarë qëndrimi duhet mbajtur përballë zhvillimeve mahnitëse të teknologjisë së internetit dhe telekomunikacionit? Nga një anë shohim se janë me të vërtetë zhvillime të vlefshme. Pra, është e mundur të flasësh për dobi të panumërta që ato kanë pothuajse në çdo fushë, si në arritjen e informacionit, në edukim, komunikacion, ndarje vlerash, në përshpejtimin, cilësinë dhe administrimin e punëve, etj. Por e parë nga një aspekt tjetër, ato mund të funksionojnë edhe si mjete të reklamimit të egos dhe shejtanit. Pra, ato janë si një lloj grope gjynahesh që lind pasoja të ulëta e të poshtra si amoralitetin, përgojimin, shpifjen, hetimin e të metave të njerëzve, thashethemet, mendimet djallëzore, marrjen me punë të padobishme dhe shumë vese të tjera negative. Ato janë si një rrjet i organizatave kriminale, si viruse që shkatërrojnë familjen dhe si një makinë krimi që degjeneron shoqërinë.

Aparatet e komunikimit që njihen si smartfonë dhe tableta, e kanë lehtësuar shumë kryerjen e gjynaheve dhe krimeve të ndryshme. Në sajë të tyre janë eliminuar muret mbrojtëse që qëndrojnë para njeriut si frika nga opinioni, kontrolli prindëror, etj., dhe njeriu është lënë vetëm për vetëm me “nefsin emmare”. Pra, ujku e ka kapur delen pa zot. Në fakt, kur gjendet i vetmuar, njeriu e çan më lehtë ndjenjën e turpit që e ka në natyrën e vet. Të gjitha gjynahet dhe krimet e mëdha planifikohen kur njeriu është i vetmuar dhe kryhen në vende ku askush nuk shikon.

Kur gruaja e ministrit të Egjiptit deshi ta tundonte Jusufin (a.s.), për të kryer amoralitet me të, ajo i mbylli të gjitha dyert. Këtë skenë, Allahu i Madhëruar na e përshkruan kështu në Kuranin Fisnik:

“Kur Jusufi arriti moshën e pjekurisë, Ne i dhamë aftësinë e të gjykuarit dhe dituri. Kështu i shpërblejmë Ne punëmirët. Por ajo, në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi ta joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe tha: “Jam e gatshme për ty!” Kurse ai tha: “Allahu më ruajt! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë”. Ajo e dëshiroi atë; por edhe Jusufi do ta kishte dëshiruar atë, sikur të mos kishte parë provën e Zotit të vet. Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” (Jusuf, 22-24)

Ja pra, përballë kësaj teknologjie që sot po zhvillohet në mënyrë të habitshme, njeriu ka mbetur vetëm për vetëm në një dhomë me shejtanin dhe dëshirat e ulëtat të egos. E fshehta që e mbrojti Jusufin (a.s.) dhe u bë shkak i dërgimit të ndihmës hyjnore për të, qëndron tek fakti se ai kishte një zemër dhe një vullnet që e bëri të thotë “Meadhallah!” (strehohem tek Allahu). Për rrjedhojë, mund të themi se, cilësia njerëzore që do të na ruaj neve dhe fëmijët tanë sot prej kurtheve të rrjeteve sociale, është zotërimi i një zemre dhe një vullneti që do të kërkojë strehimin tek Allahu nga frika prej Tij dhe vetëdija e botës tjetër.

Për t’i bërë fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit tanë të fitojnë një zemër dhe një vullnet të tillë, duhet t’i njohim ata me Allahun që në moshë të vogël, t’ua bëjmë të dashur Atë, të sigurohemi që të kenë frikë-respekt ndaj Tij dhe të fitojnë vetëdijen e dhënies së llogarisë në Ditën e Kiametit.

Deri në moshën e pjekurisë, përgjegjësia është e familjes, e shkollës dhe e shtetit. Ndërsa më pas, në përgjithësi përgjegjësia është tek vet individi. Njeriu, duke u larguar me të gjitha forcat prej ambienteve fizike dhe virtuale që do t’ia ndotin trupin, mendjen, zemrën dhe imagjinatën, do ta ruajë veten, do ta zhvillojë veten në aspektin pozitiv dhe do të forcohet ndaj çdolloj armiku.

Padyshim se është e nevojshme të dihet përdorimi i drejtë i teknologjisë. Mirëpo, të dish nuk është e mjaftueshme. Ndjenjat dhe instinktet ndonjëherë arrijnë ta nënshtrojnë edhe mendjen edhe dijen, duke shkatërruar shumë njerëz. Nëse nuk edukohet dhe pastrohet egoja që i pëshpërit vazhdimisht njeriut të keqen, edhe nëse mosha biologjike e njeriut arrin të shtatëdhjetat, vrima e zezë e teknologjisë përpin shpirtin dhe zemrën e shumë njerëzve, duke i hedhur ata drejt “esfel-i safilin”-it, më të ulëtit e të ulëtëve.

Shkurtimisht, për çdo mirësi kërkohet edhe falënderim, edhe një zemër që strehohet tek Allahu ndaj rreziqeve të saj të mundshme.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-