Opoja.net

Ruaje Zemrën në Namaz

Islame

Namazi, i cili është përkujtimi i begatë i miraxhit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe shenja dalluese e Islamit tonë, është ibadeti më i rëndësishëm prej adhurimeve me të cilat jemi obliguar. Namazi është një adhurim që kryhet në mënyrë të vazhdueshme. Besimtarëve asnjëherë nuk u është lejuar që të mos e falin namazin në udhëtim, në sëmundje apo në gjendje të tjera të ngjashme me këto, por u është lejuar që t’i shkurtojnë rekatët e tij. Namazi e fut në disiplinë jetën e besimtarit duke filluar që nga periudha e pubertetit e deri në frymën e fundit të tij. Në shumë ajete të Kuranit Fisnik është përsëritur urdhri: “Faleni namazin!” – qoftë në mënyrë të vetme apo qoftë bashkë me zekatin.  “Faleni namazin, jepeni zekatin dhe përkuluni në ruku bashkë me ata që përkulen (në namaz).” (Bekare, 43) “Faleni namazin dhe jepeni zekatin! Çfarëdo të mire që të bëni për shpirtin tuaj, do ta gjeni tek Allahu. Në të vërtetë, Ai sheh mirë gjithçka që bëni.” (Bekare, 110) “Thuaj: “Udhëzimi i Allahut është i vetmi udhëzim i drejtë! Ne jemi të urdhëruar t’i nënshtrohemi Zotit të botëve, të falim namazin dhe ta kemi frikë Atë.” Dhe është Ai, para të Cilit do të tuboheni.” (En’am, 72) “Luftoni në rrugën e Allahut, ashtu si duhet luftuar. Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj, fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai ju ka quajtur juve myslimanë qysh më parë (në Shkrimet e Shenjta) dhe në këtë (Kuran), me qëllim që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit e tjerë. Andaj, faleni namazin, jepni zekatin dhe mbështetuni tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai!” (Haxh, 78).  Ndërsa me ajetin fisnik: “Pasi të kryeni namazin, përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë. Kur të jeni jashtë rrezikut, atëherë faleni namazin të plotë, sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” (Nisa, 103) – është njoftuar obligimi i pesë kohëve të namazit. Ndërsa në suren Mu’minun është përmendur “frikë-respekti dhe vazhdimësia në namaz”, të cilat janë prej tërësisë së kushteve të shpëtimit të përhershëm:  “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zekatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve)-, të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra dhe të cilët i kryejnë rregullisht (vazhdimisht) faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht.”(Mu’minun, 1-11). Këtu duam të tërheqim vëmendjen te dy çështje në lidhje me këto ajete fisnike. E para është: Edhe pse në Kuranin Fisnik është njoftuar për obligimin e namazit, nuk është dhënë informacion për mënyrën se si të falet ai. Ndërsa e dyta është: Namazit i është vënë kushti i frikë-respektit dhe vazhdimësisë, në mënyrë që ai të bëhet shkak për shpëtimin e përhershëm. Po, në Kuranin Fisnik nuk është dhënë informacion i detajuar në lidhje me namazin, sepse çdo gjë që duhet ta dimë duke filluar që nga çështjet “lahik” e “mesbuk” dhe deri te dispozitat “zel-letu’l-kari”, janë treguar me anë të praktikave dhe shpjegimeve të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ndërsa në brezat e mëvonshëm këto të dhëna janë mbledhur dhe janë bërë libra…

I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, thotë në një hadith fisnik: “Faleni namazin siç më keni parë mua duke e falur!” (Askalani nga Buhari, I, 379.) Në këtë hadith fisnik janë treguar kufijtë e kijamit (qëndrimit në këmbë), kiraatit (këndimit të Kuranin përgjatë qëndrimit në këmbë), të rukusë dhe të sexhdes. Po ashtu, janë treguar dhe fillimi dhe mbarimi i kohëve të namazeve farz. Përveç të tjerash, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), na ka inkurajuar që ta bëjmë si traditë faljen e namazit të Duhasë, Evvabin dhe Tehexhxhudit. Ndërsa në një hadith tjetër, (s.a.s.), na ka dhënë këtë sihariq duke u shprehur: “Pesë kohët e namazit i ngjajnë një lumi që kalon para shtëpisë së ndonjërit prej jush dhe ai lahet pesë herë në ditë aty.” (Muslim, Mesaxhid, 284.) Po ashtu, me hadithin fisnik: “Namazi i falur me xhemat është njëzet e shtatë herë më i mirë se namazi i falur i vetëm.” (Buhari, Ezan 30.)  – na ka inkurajuar që namazin ta falim me xhemat. Hz. Pejgamberi na i ka treguar edhe rregullat e pastërtisë nëpër xhamia. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e ka qortuar dikë që e falte namazin pa e respektuar tadilu’l-erkanin duke i thënë: “Kthehu dhe fale namazin përsëri, sepse ti nuk ke falur namaz.” Pasi e qortoi tri herë, i tha për t’ia mësuar se si falet namazi: “Bëj ruku në namaz dhe qëndro në ruku derisa të të qetësohen të gjitha gjymtyrët! Pastaj, kur të ngrihesh nga rukuja, drejtohu mirë! Pastaj shko në sexhde dhe qëndro në sexhde derisa të të qetësohen të gjitha gjymtyrët. Pastaj ngrihu nga sexhdeja dhe qëndro ulur derisa të të qetësohen të gjitha gjymtyrët. Pastaj shko përsëri në sexhde dhe qëndro në sexhde derisa të të qetësohen të gjitha gjymtyrët. Pastaj vepro kështu në të gjitha namazet e tua.” (Muslim, Salat, 45.) Tashmë mund të themi: Me anë të këtyre haditheve fisnike të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), sa herë që t’i lexojmë, do ta kuptojmë më mirë inkurajimin dhe qortimin e Hz. Pejgamberit. Gjithashtu, krahas kushteve dhe rëndësisë së namazit, do ta perceptojmë edhe frikë-respektin ndaj Allahut Teala në namaz dhe vazhdimësinë që duhet të shfaqim përgjatë gjithë jetës në lidhje me namazin. Përveç të tjerash, do të përpiqemi më shumë për t’i rinovuar emocionet tona në lidhje me faljen e namazit, i cili është shenja jonë dalluese për besimin që i përkasim. Pastaj do të jemi më të përpiktë ndaj faljes së namazit duke e respektuar tadilu’l-erkanin, në mënyrë që prehja shpirtërore të depërtoje te të gjitha gjymtyrët tona. Pastaj do të përpiqemi që të lidhemi me poseduesin e zemrës kur të drejtohemi nga kibla fizikisht dhe do të përpiqemi të jemi të vetëdijshëm në lidhje me lartësimin e Zotit (xh.xh.), që bëhet me fjalët e Tij (me këndimin e Kuranit). Nisur nga këto që thamë, nefsin duhet ta përgatisim më shumë në lidhje me namazin. Gjithashtu duhet të përpiqemi seriozisht që këtë vetëdije ta mbartim edhe te të afërmit tanë, edhe te ata që i kemi nën përgjegjësi. Gjithmonë duhet të jemi të përpiktë në namaz, në mënyrë që namazi ynë të konsiderohet miraxh. Namazin asnjëherë nuk duhet ta falim sikur të ishte një detyrë. Këtë e kemi të nevojshme që ta përsërisim gjithmonë në mënyra të ndryshme… Në lidhje me këtë çështje, besoj se është shumë e dobishme që t’ia vëmë veshin paralajmërimit të Imam Gazaliut, rahmetullahi alejh, i cili thotë: “Pa mendo pak! Kufiri i fundit i ibadetit dhe dhikrit tënd është namazi. Për këtë arsye, kontrolloje zemrën tënde! Pa shikoje një herë se në çfarë gjendjeje është ajo! Kur ti je në namaz, Shejtani i mallkuar ta merr zemrën dhe ta çon nëpër rrugë, të bën që të mendosh për llogaritë e të tjerëve, të kujton përgjigjet që mund t’ua japësh njerëzve kryeneçë dhe të shpie nëpër lugina e male. Ai të shpërqendron aq shumë saqë t’i kujton të gjitha ato që ke harruar jashtë namazit. Shejtani ta sulmon zemrën veçanërisht kur je në namaz. Ndërkohë namazi është pasqyra e zemrës. Mirësia dhe ligësia e zemrës bëhet e qartë në namaz. Një namaz që falet me zemër të mbushur plot me epshet e kësaj bote, nuk pranohet nga Zoti (xh.xh.). Siç e shikon edhe vetë, Shejtani përpiqet të të largojë nga qëllimet sublime edhe në namaz duke i shtuar vesveset e tij. Ai të dëmton siç të dëmtojnë ilaçet që konsumohen pa bërë dietën e duhur. Nëse dëshiron të shpëtosh nga shejtani, para së gjithash bëj dijet me devotshmëri. Ja, pikërisht atëherë, Iblisi i mallkuar do të ikë edhe prej teje siç ka ikur nga Umeri (r.a.).” Le ta përmbledhim temën me një fjalë të Abdullah ibn Abbasit, radijallahu anhuma: “Dy rekatë namaz që falen me qetësi dhe frikë-respekt ndaj Zotit (xh.xh.), janë më të mira se namazi i falur nga mbrëmja e deri në mëngjes prej një zemre të shkujdesur.”

Lexo / Mendo

Horizontet e pafundme të mirësisë

Në suren Bekare thuhet: “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zekatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.” (Bekare, 177). Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës nga lindja apo perëndimi. Përkundrazi, mirësia është pasuri e përbashkët e të gjithë njerëzve. Për këtë arsye, specifikave që jepen me detaje në ajetin fisnik duhet t’u dalim për zot si një tërësi. Këto mund t’i mbledhim në katër pika kryesore: 1) Besimi ndaj kushteve të imanit, 2) Kryerja e ibadeteve, 3) Ndershmëria dhe besnikëria në vepra, 4) Posedimi i virtyteve etike. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë: “Mirësia është moral i lartë. Ndërsa mëkat janë ato gjëra që ta brejnë zemrën dhe nuk dëshiron që t’i dinë njerëzit.” (Muslim, Birr 14, 15.) Ndërsa në Ihjau Ulumi’d-Din ka një transmetim të tillë: “Janë dy vepra që s’ka më të këqija se ato: T’i bësh shirk Allahut dhe t’u bësh dëm robërve të Allahut. Janë dy vepra që s’ka më të mira se ato: T’i besosh Allahut dhe të jesh i dobishëm kundrejt robërve të Allahut.” Si përfundim mund të themi: Dyert e mirësisë janë të hapura për të gjithë, qofshin të mëdhenj apo të vegjël. Kufijtë e tyre janë të gjerë aq sa korniza e hallallit. Mjafton që ne ta plotësojmë fetarinë tonë me mirësi.

Mos i humb

Kujtimet e një djali për nënën tij, mësim i artë për shumë djemë të tjerë

Opoja.net

Allahu na tregon rrugën e lumturisë, por ne duhet të ecim në të

Opoja.net

Bëhuni bamirës, edhe nëse njerëzit nuk ua kthejnë me bamirësi

Opoja.net

Nuk do të hyj në Xhennet bartësi i fjalëve të huaja (nemmami)

Opoja.net

Ç’të mbjellësh, do të korrësh

Opoja.net

Gruaja, një mirësi e madhe për të thënë saherë “elhamdulilah”

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net