Sensi i Jetës

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Kam menduar shumë lidhur me çështjen e ngritjes së kombeve dhe kam vënë re diçka vërtet të çuditshme. Kam vënë re se periudha e përgatitjes është shumë e gjatë, mund të arrijë edhe dhjetëra vite; teksa periudha e sundimit është e shkurtër, saqë nganjëherë nuk i kalon as disa vite!

Për shembull, do të gjesh se myslimanët shpenzuan një mund të jashtëzakonshëm për një periudhë që i kaloi tetëdhjetë vjet për përgatitjen e ushtrisë që do të ballafaqohej me kryqtarët, përgatitje në të cilën u angazhuan dijetarë të përkushtuar dhe drejtues të shquar e ndoshta prej më të shquarve prej tyre është Nuredin Mahmudi dhe Salahudin Ejubi, Allahu i mëshiroftë në tërësi; duke fituar kështu myslimanët në Hitin, madje duke çliruar jo vetën Kudsin, por edhe një numër të madh qytetesh myslimane të pushtuara. Asokohe myslimanët arritën një nivel vërtet të madh sundimi, duke zotëruar një shtet të madh të unifikuar; por sa çudi! Ky sundim nuk vazhdoi vetëm gjashtë vjet dhe nyja u zgjidh me vdekjen e Salahudinit. Shteti i madh u copëzua midis bijve dhe vëllezërve të tij, madje pati prej tyre që ua dorëzoi Kudsin kryqtarëve thuajse pa çmim.

Qeshë habitur me këtë, derisa hetova ligjësinë, kuptova sensin- domethënien… e pra, e vërteta qëndron se domethënia e vërtetë e ekzistencës sonë në këtë jetë nuk është sundimi në tokë dhe drejtimi i botës, edhe pse e tillë gjë është një nga objektivat për përmbushjen e së cilës duhet të rendë myslimani, porse domethënia e vërtetë për ekzistencën tonë është adhurimi i Allahut, Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk i kam krijuar xhindët dhe njerëzit, përveçse që të më adhurojnë.” (Dharijatë: 56.)

Pikërisht duke qenë se në kohën e problemeve dhe vështirësive jemi më pranë Allahut sesa në kohën e triumfit dhe sundimit, për këtë Allahu i Lartësuar, në sajë të mëshirës së Tij karshi nesh, bën që koha e sprovave dhe krizave tona të zgjasë. Kështu, vijojmë të jemi pranë Tij dhe të shpëtojmë, teksa kur mëkëmbemi në tokë, harrojmë adhurimin dhe mendojmë se aftësia për të vepruar i dedikohet vetes sonë, sprovohemi me dynjanë dhe kështu me radhë me sëmundjet e tjera të sundimit.

Allahu i Lartësuar thotë: Ai-Allahu ua bëri të mundshëm udhëtimin në tokë e në det, teksa kur ju jeni në anije me të cilat bëmë të lundrojnë (udhëtarët) me anë të një ere të lehtë, gjë për të cilën ata janë të lumtur, ia beh një erë e fortë dhe ata nga të gjitha anët rrethohen nga dallgët e binden se janë të shkatërruar, (në të këtillë situatë) e lusin Allahun të kulluar në besim (pa i mveshur Atij ortakë, ndërmjetës a ndihmëtarë e duke i thënë:) “Nëse na shpëton nga kjo (katastrofë), ne do të jemi gjithnjë falënderues! E kur Ai-Allahu i shpëtoi ata, ja, ata veprojnë mbrapshtë në tokë, pa arsye. O ju njerëz! Kryeneçësia juaj është vetëm kundër vetes suaj; është përjetimi i jetës së kësaj bote, pastaj kthimi juaj është te Ne, e Ne ju shpërblejmë për veprimet tuaja.” (Junus: 22-23.)

Të mençurit e kuptojnë se qëllimi me adhurimin në fjalë nuk është vetëm namazi dhe agjërimi, porse adhurimi real është programues i jetës. Me adhurim këtu kuptohet drejtimi korrekt përkah Allahut, synueshmëria e kulluar e Tij, mbështetja e përsosur tek Ai, të qenët i varfër për Të, të punuarit me pasion dhe dashuri për Të, frika prej një distancimi të mundshëm prej Tij, të shpresuarit e fuqishëm tek Ai, të pasurit frikë në vazhdimësi prej Tij. Adhurimi i synuar është që të jesh ashtu siç të ka urdhëruar Allahu të, të jetosh ashtu siç Allahu të deshi të jetosh, të duash dhe të urresh për hatër të Allahut, lidhjet t’i vendosësh dhe t’i shkëpusësh vetëm për hatër të Allahut. Bëhet fjalë për adhurimin, këtë gjendje të altartë të besimit, në të cilën vlera e dynjasë gremiset aq sa bëhet më e pavlerë se pikëlza e ujit në det, më e përçmuar sesa cofëtira e një keci veshëcung..

Sa prej njerëzve e arrijnë në periudhën e sundimit dhe mëkëmbjes gjendjen brilante të adhurimit!?

Ata janë vërtet pak!

A nuk na alarmon ne i Dashuri ynë prej shtimit të parave, pasurisë dhe katandisë, kamjes dhe bollëkut, prej hapjes dhe zgjerimit të dynjasë?!

A nuk na thotë duke na tërhequr vërejtje: “Për Allahun nuk ua kam frikën për varfëri, por ua kam frikën t’ju hapet dynjaja siç iu hap atyre që ishin para jush, të garoni pas saj sikurse garuan dhe t’ju shkatërrojë sikurse i shkatërroi”?!

A nuk jemi ne ata që qëndrojmë bashkë, hamë bashkë, mendojmë dhe lodrojmë së bashku; e, kur dikush nga ne arrin mbi karrigen e pushtetit apo gjalmën e qeverisjes, i harron të vobekëtit që njihte dhe humbet nga sytë e “masës” që qenë dashamirët dhe vëllezërit e tij?! A nuk na tërheq vërejtjen i dashuri ynë nga kjo gjë e përhapur në masë tek njerëzit dhe na thotë: “Kujt i ka dhënë pushtet Allahu i Lartmadhëruar në një çështje të myslimanëve dhe ai rri në prapaskenë larg halleve, telasheve dhe nevojave të tyre, edhe Allahu ka për t’iu fshehur atij dhe ka për të qenë larg halleve, telasheve dhe nevojave të tij”?!

A humbet nga sytë e Allahut i varfri, apo i vobekti, apo i pastrehu..?!

Jo.. ai i cili mbetet prapa perdes është sundimtari, i pasuri, pushtetari. Mbërritja e tyre në objektivat që kanë do të thotë izolim dhe humbje e tyre nga sytë e masës së gjerë të njerëzve; e personi i të tillë gjendjeje privohet nga vështrimi dhe përkujdesi hyjnor, teksa vetëm Ditën e Kijametit në Amëshim ai do të vetëndërgjegjësohet se, po të kishte vdekur para se të kishte pasur pushtet dhe fuqi vendimmarrjeje, kjo do kishte qenë më paqësore dhe lumturuese për të…, porse atë ditë, kthimi pas në dynja është i pamundur, vate koha e punës dhe hyri koha e përgjegjësisë.

Do ta gjesh të sëmurin, që në të shumtën e kohës të jetë pranë Allahut, teksa i shëndetshmi i kundërvihet Allahut me mëkatet e tij..

Personin që ka humbur fëmijën apo të dashurin e tij, do ta gjesh t’i pëshpërisë Allahut, të strehohet tek streha hyjnore vërtet gjatë; teksa ai që këndellet hareshëm prej pranisë së fëmijëve dhe dashamirëve të vet, as që e ndjen se e tillë gjë është dhuntia e Allahut mbi të dhe ata.

Një person që ka rënë në telash apo që ka humbur pas mureve të burgut apo që është përzënë nga shtëpia dhe toka e vet apo që është cënuar nga padrejtësia e fqinjit të tij apo që pati për short të jetonte në kohë krizash e dobësish, e gjen pranë Allahut…, teksa kur e përmbush synimin e tij dhe padrejtësia i qërohet nga kreshtja e tij e bukur, sakaq harron Allahun, përveç një pakice fare të vogël njerëzish që i ka mëshiruar Allahu..

Mos ndoshta kuptimi i gjithë kësaj është që të rendim pas dobësisë, varfërisë, sëmundjes dhe vdekjes?

Kurrësesi, nuk është ky synimi.. jemi urdhëruar të derdhim mund, të jepemi pas punës dhe pasurimit, të kurohemi nga sëmundja, ta ruajmë jetën dhe të përkujdesemi për të.

Synimi është të kuptojmë sensin dhe domethënien e jetës, që është adhurimi, paskësaj adhurimi dhe sërish, adhurimi.

Kështu që, nuk ka asnjë kuptimi të na kaplojë dëshpërimi dhe pesimizmi në kohët e dobësive dhe krizave, nuk ka asnjë kuptim të na humbasë shpresa kur nuk jemi të mundshëm të vetëvendosim dhe sundojmë, as ka logjikë të pikëllohemi dhe brengosemi kur pllakos mbi ne varfëria, sëmundja dhe lëndimi. Në të tilla rrethana- duke ditur se Allahu na kërkon t’i evitojmë ato- jemi edhe më të predispozuar për adhurim, jemi më të bindshëm karshi Allahut, më shpresues tek Ai; teksa në të kundërt, bëhemi më të dobët në adhurim dhe distancohemi më shumë nga Allahu. Ne nuk rendim pas në fjalë, por kur biem në to durojmë, nuk rendim pas tyre, por ngjarja e tyre nuk na indinjon, përkundrazi, kënaqemi me to në kontekstin e qenies së tyre caktimi hyjnor që Krijuesi vendosi për ne.

Koha, e cila na ikën për të arritur mëkëmbjen dhe sundimin, nuk është një kohë e humbur, përkundrazi, e tillë kohë është koha në të cilën ne mësojmë dhe kuptojmë sensin e jetës, është tempi në të cilin ne e “adhurojmë” realisht Allahun e Lartmadhëruar, ndërsa, kur arrijmë objektivin, ky sens humbet, dhe psonisemi në të tillë persona, që e adhurojmë Allahun me metodën që “ne pëlqejmë”, jo ashtu siç “Ai pëlqen”!.. Po deshe thuaj e adhurojmë Allahun sipas tekave ose po deshe të jesh më i përpiktë, thuaj adhurojmë tekat dhe pasionet tona!! Allahu i Lartësuar thotë: “A e ke parë atë që për Zot të tij ka marrë epshin e tij; a do jesh ti garantues për të?!” (Furkan: 43.)

Për efekt të gjithë kësaj, Allahu i Urtë, i Cili do që ne të përmbushim qëllimin e jetës, Allahu Mëshirues që do shpëtimin dhe suksesin tonë; zgjodhi që periudha jonë e përgatitjes, sprovimit dhe rëndesës të zgjasë; e ne s’na mbetet përveçse të kënaqemi me zgjedhjen e Tij. Për më tepër, duhet të na lumturojë kjo zgjedhje e Tij, pasi Ai nuk e bëri këtë përveçse nga dashuria e Tij për ne dhe nuk e fiksoi këtë ligjësi, veçse nga mëshira e Tij për ne.

Le të meditojmë së bashku të nderuar vëllezër dhe motra, sa i përket rrjedhës së historisë.

Sa vjet jetoi Nuhu (paqja e Allahut qoftë mbi të), duke ftuar tek Allahu, sa u lodh dhe sa duroi; dhe në krahun tjetër, sa vjet jetoi ai pas Tufanit dhe sundimit?!

Ç’dimë për historitë e Hudit, Salihut, Shuajbit apo Lutit (paqja e Allahut qoftë mbi ta), pasi ata sunduan?! Ajo që dimë nga historia e tyre është vetëm përgënjeshtrimi që u bëri atyre populli i tyre dhe vuajtjet e besimtarëve; teksa shpejtazi e rrëmbimthi vjen historia e fitores me përfundimet që na surprizojnë.

Përse Profeti ynë jetoi plot njëzet e një vjet në përgatitje për përmbushjen e çlirimit dhe sundimit; teksa nuk jetoi vetëm se dy apo pak më shumë vjet si sundimtar?!

Ç’dimë për sundimin e Musait apo Isait (paqja e Allahut qoftë mbi ta), gjatë jetës së tyre?! Po për sundimin e Ibrahimit, babait të profetëve (paqja e Allahut qoftë mbi të)?!

Këta modele profetike janë modelet që do të përsëriten në historinë e tokës, dhe ata janë “adhuruesit më perfektë” të Allahut “…ndaj me udhëzimin e tyre udhëzohu!” (Enam: 90.)

Tanimë, pasi e njohe sensin, besoj se e more vesh se përse Umar ibn Abdul Azizi jeton vetëm dy vjet e gjysmë si sundimtar; e kuptove përse Imadudin Zenki vritet pas më pak se dy vjet mbas çlirimit të Ruhasë; edhe pse Kutzi vritet pas më pak se një vit mbas fitores së tij të pavdekshme kundër tatarëve në Ajn Xhalut; edhe pse u vra Eleb Erseleni pas më pak se dy vjet mbas fitores historike të Meledhkredit, edhe pse nuk “u kënaq” Salahudini me frytin e fitores së tij në Hitin, veçse më pak se një vit pas të cilit Akea ra sërish në duart e kryqtarëve; edhe pse Abdullah ibn Jasini, themeluesi i vatanit të llogores, as që e pa me sy sundimin; edhe pse më i miri burrë i vatanit të njësuesve, Ebu Jakub Jusuf el Mensuri, vdiq pas më pak se katër vjet mbas triumfit të tij të shkëlqyer në ngjarjen e Erikes?!

Episodet e tilla janë panumër dhe që të gjithë orientojnë në atë se Allahu i Lartmadhëruar për këta “adhurimtarë” deshi që ta mbyllin jetën e tyre duke qenë në altaret e adhurimit, para se të përlyhej adhurimi i tyre me dynjanë dhe të prekeshin nga sëmundjet e sundimit.

Ata e “adhuruan” Allahun vërtetësisht në kohën e përgatitjes, mundimit dhe kontributit; gjë për të cilën Allahu “i shpërbleu” me ndarjen nga dynjaja para se të sprovoheshin nga stolitë e saj.

Dihet që ndonjë person mund të pyesë: “A s’ka pasur përgjatë historisë ndonjë mbret të mirë që ka jetuar gjatë në dynja dhe nuk është dhënë pas saj e as ka rënë viktimë e provokacioneve të saj?!” Them: “Po, ka pasur të tillë, por kanë qenë vërtet aq pak, saqë mund të numërohen me gishta!” Në mesin e profetëve nuk gjejmë vetëm se Daudin dhe Sulejmanin (paqja e Allahut qoftë mbi ta), teksa, përsa i përket Jusufit (paqja e Allahut qoftë mbi të), historia e tij ishte prekëse dhe përlotëse nga fillimi deri pranë fundit dhe për sundimin e tij nuk dimë veçse fare pak. Ndërsa, përsa u përket udhëheqësve, liderëve dhe monarkëve, thuajse nuk do gjesh vetëm një pakicë që nuk i kalon gishtat e dorës, si Harun Rashidin, Abdurrahman Násirin, Meleshkehun dhe një pakicë krahas tyre..

Kështu që, përjashtimi në fjalë nuk e rrëzon parimin, duke qenë se vetë Allahu i Lartësuar, në Librin e Tij thotë: “…Është e vërtetë se shumica prej ndërvepruesve (ortakëve) i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, me përjashtim të atyre që kanë besuar dhe punuar vepra të mira, por të tillët janë pak!…” (Sad: 24), pra sipas vetë citimit kuranor, ata që durojnë karshi të tillë sprove dhe tundimi janë pak; madje, Allahu i Lartësuar na ka bërë me dije se, kur do të shkatërrojë një komb prej kombeve, Ai ia shton atij sundimin, thotë: “Kur lanë pas dore atë me të cilën u këshilluan (përmes vërejtjeve hyjnore), Ne ua hapëm dyert e çdo gjëje (prej mirësive për t’i ndjellë), derisa kur u hyri vetja në qejf me atë që u dhamë, ndëshkimi Ynë i kaploi befasishëm, e ata (u zhgënjyen dhe) mbetën të dëshpëruar” (Enam: 44.)

Pasi kuptova këtë sens dhe domethënie arrita të kap komentimin real të shumë prej situatave të mahnitshme përgjatë historisë..

U ndërgjegjësova se përse Utbe ibn Gazuani e pati vënë në be Umar ibn Khatabin, që ta hiqte prej sundimit të Basrës! Perceptova se përse Ebu Bekër Sidiku e shpenzoi të gjithë pasurinë e tij në Rrugë të Allahut, kuptova se përse Uthman ibn Afani e mbajti i vetëm mbi supe shqetësimin e përgatitjes së Ushtrisë së Usras pa u kërkuar të tjerëve të mbanin përgjegjësinë e tyre në këtë, kuptova se përse Khalid ibn Uelidi hoqi dorë nga pozita e komandimit të ushtrisë triumfatore, kuptova se përse Ebu Ubejde ibn Xherahu nuk u gëzua kur u emërua në krye të një territori të madh si Shami, kuptova se përse u pikëllua Talha ibn Ubejdilahu në natën kur i erdhën shtatëqind mijë dirhem si dhe kuptova se përse ai u gëzua pa masë pasi “u çlirua” nga kjo dynja, duke ua shpërndarë të varfërve gjithë këtë sasi parash brenda po asaj nate!!

U ndërgjegjësova për gjithë këtë… për më tepër kuptova se përse gjenerata e sahabëve u bë gjenerata më e mirë! Kjo nuk qe vetëm sepse ata qenë bashkëkohës dhe shoqërues të Profetit (paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të), por qe sepse ata qenë personat që e kuptuan më së miri sensin e jetës ose qenë personat që më së miri e “adhuruan” Allahun; ndaj dhe me sinqeritet u angazhuan t’i qëndronin sa më në distancë dynjasë, parasë, mallit, sundimit dhe qeverisjes, ndaj dhe nuk sheh në jetën e tyre mjerim kur i prek sëmundja, as brengë, as shqetësim dhe as pesimizëm kur persekutohen dhe keqtrajtohen, as pikëllim kur varfërohen.. gjithë sa në fjalë ishin “shanse për adhurim”, që iu mundësuan atyre dhe ata i shfrytëzuan, për t’u bërë falë kësaj njerëzit më të mirë.

Kushdo që zotëron botëkuptimin, e tyre do të lumturohet ashtu siç ata u lumturan edhe në jetoftë në kohën e dobësisë! Ndërsa ai që nuk do arrijë ta kapë dhe kuptojë këtë sens që ata perceptuan mbi jetën, ka për të qenë i humbur dhe i mjeruar edhe në sundoftë tërë dynjanë.

Këtë fjalë ua kam drejtuar të gjithë atyre që mendojnë se janë “të pashpresë”, për shkak se nuk kanë as mall, as para, as sundim, as paqe, as shëndet, as dashamirës.

U them atyre: Sihariq! Allahu jua ka trajtësuar “shansin e adhurimit”, ndaj shfrytëzojeni atë para se të largohet sprova dhe belaja, për të ardhur pas saj kamja e të harrosh Allahun, teksa kurrsesi nuk duhet ta harrosh, Allahu i Lartësuar thotë: “E kur njeriun e godet diçka e dëmshme, ai na lutet shtrirë, ulur ose në këmbë qoftë, teksa, pasi Ne ia largojmë atij të keqen, vazhdon ecejaken e tij sikur të mos na ishte lutur fare për dëmin që e pat goditur. Kështu u është zbukuruar shpërdoruesve ajo që veprojnë” (Junus: 12.)

E lus Allahun të na bëjë prej atyre që i drejtkuptojnë ligjet e Tij dhe t’i bëjë  triumfatorë Islamin dhe myslimanët

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-