SHBA bën thirrje për qetësi pas aksionit të Policisë së Kosovës

Opoja.net Opoja.net Kosova

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për qetësi, pas zhvillimeve të 13 tetorit në Kosovë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n për t’iu ndihmuar të gjitha palëve që të arrijnë përparim në normalizimin e marrëdhënieve dhe ulje të tensioneve”, është thënë në përgjigje.

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion policor kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut më 13 tetor.

Ky aksion është kundërshtuar nga serbët lokalë në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, të cilët kanë protestuar dhe kanë ngritur barrikada.

Në orët e mbrëmjes, barrikadat e vendosura në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë, përkatësisht në vendbanimin në Rudarë, në Komunën e Zveçanit si dhe ato të vendosura në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, janë tërhequr.

Sipas autoriteteve, dhjetë policë dhe dhjetë qytetarë janë lënduar në Mitrovicë të Veriut, ndërkaq tetë persona janë arrestuar ose ndaluar.

Po ashtu, dhjetë persona të dyshuar për përfshirje me kontrabandë me mallra, janë shpallur në kërkim.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se gjatë aksionit janë sekuestruar mallra të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë të mërkurën se aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovë kundër kontrabandimit të mallrave, është pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal.

“Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti. Ky operacion është i drejtuar kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra në mënyrë ilegale në Kosovë. Prokurorja e rastit është serbe, gjykatësi i procedurës paraprake është serb, pjesëtarët e njësisë së reagimit të shpejtë në Mitrovicë të Veriut janë shumica serbë, shumica e të arrestuarve janë shqiptarë, shumica e të kërkuarve janë shqiptarë”, ka thënë Sveçla. /REL/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-