Shehadeti – thelbi i jetës së muslimanit

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Dr. Ajni Sinani

“Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me
pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me
lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj
njerëzve, që t’ua vënë veshin.” (Ibrahim: 24-25).

Ajni Sinani

Ky ajet e përngjet fjalën
e mirë/
kelimeh tajibbehme
shehadetin/dëshminë, ndërsa pemën e mirë
me besimtarin. Dëshmia në brendinë e zemrës së besimtarit është e thellë ashtu
siç janë të thella rrënjët e pemës në brendinë e tokës.

Besimi se Allahu xh. sh. është Zoti i botëve dhe Sundimtar
i të gjithave, është vepër e zemrës. Por ky besim përfshin sjelljen, veprën dhe
adhurimin.[1] Prandaj,
shehadeti, si shtyllë e parë e Islamit,
është një dëshmi e hapur, ose manifestim i besimit. Për rrjedhojë për secilin
është obligim deklarimi i tij. Këto
fjalë të bukura
janë themeli i Islamit dhe vetë esenca e tij. Ato e  dallojnë
muslimanin nga mosbesimtari, apo idhujtari, që krahas Allahut beson edhe zota
të tjerë.

Shehadeti është fjalëkalimi me të cilin hyhet në jetë,
jetohet në këtë botë dhe kalohet në botën tjetër. Ai është një kartë identiteti
shpirtëror e fetar i çdo muslimani. Ai ishte, është dhe do të mbetet, himni i
njeriut për Zotin.

Këto janë fjalët e para që i lexohen foshnjës të sapolindur,
dhe fjalët e fundit që i thekson muslimani në çastet para vdekjes. Përsëriten më shumë se cilado fjalë
tjetër, në
cilëndo gjuhë. Ato janë në ezanin që këndon myezini për namaz, pesë herë gjatë ditës,
nga çdo minare gjithandej botës. Secili, që e pranon vërtet kuptimin e tyre,
është musliman.

Prandaj, shehadeti nuk është vetëm çështje
formale. Ai është strumbullar dhe thelbi i jetës së muslimanit, i pranishëm në
shpirtin e tij dhe vepër që nga lindja deri në vdekje.[2]

Ai është e vërteta dhe adresa e Islamit, është fusha e gjerë
e shtyllave të Islamit,është motivi dhe qëllimi, është fillimi dhe fundi.[3]

I gjithë Islami përmblidhet pikërisht te dëshmia La ilahe il’la Allah: se nuk ka Krijues, Adhurues, Ligjdhënës dhe Gjykues
përveç Allahut. Kjo nënkupton se duhet ta adhurojmë dhe të jemi robër vetëm të
Tij, ta respektojmë dhe ta zbatojmë Ligjin e Tij dhe të përgatitemi për gjykim
para Tij.[4]

Emri Allah, që do të thotë i adhuruar, është i posaçëm
vetëm për Të; nuk ka gjini dhe as trajtë. Ai është vetë  Zoti, i Përhershmi, Krijuesi, Transcendenti.
Atij s’i përngjan asgjë. Ai përgjithmonë është absolutisht i vetëm dhe nuk ka
shokë, ortakë apo rivalë.[5]

Dëshmia se nuk ka zot përveç
Allahut është principi më revolucionar që i është kundërvënë atyre që kishin përvetësuar
prerogativa hyjnore dhe që punonin sipas ligjeve që nuk i kishte shpallur Zoti.[6]

Ajo është frazë e thjeshtë por shumë kuptimplote, e lehtë për t’u deklaruar, me domethënie të jashtëzakonshme dhe shumë e
dashur për zemrën dhe shpirtin e njeriut. Me të
mohohet politeizmi, mënjanohet dyshimi në gjuhë dhe zemër dhe shprehet
përkatësia islame me bindje, përkushtim, sinqeritet e çiltërsi.

Dëshmia
përbëhet nga dy deklarata: Deklarata
e parë, “nuk ka zot, përveç Allahut”, konfirmon që intelekti
njerëzor pranon realitetin hyjnor. Kurse deklarata e dytë “Muhammedi është
i dërguar i Zotit”
, konfirmon pejgamberinë e Muhammedit a.s.

Ebu Seid el Hudari tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush thotë me sinqeritet
La ilahe il’la Allah do të hyjë në xhenet”. Dikush pyeti: Ku konsiston
ai sinqeritet? Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Ta ndalojë nga gjërat që janë të
palejueshme”.

Gjithashtu Pejgamberi a.s. ka thënë: “La ilahe
il’la Allah
është çelës i Qiejve dhe Tokës”. Kjo Dëshmi është me kuptim
madhështor, sepse tregon kategorisht se çdo gjë tjetër, përveç Allahut, është e
krijuar dhe nuk është zot. Prandaj, kujtdo që i atribuohet cilësia e të qenit
zot, pos Tij, është mashtrim dhe e pavërtetë.

Kur’ani e lufton shirkun/politeizmin, që është
adhurim i zotave të rremë dhe e konsideron atë si një krim të rëndë të cilin Zoti nuk e fal: “Vërtet, Allahu nuk fal që të
adhurohet dikush (apo diçka) tjetër
veç Atij.
” (En Nisa: 48). Kur është
pyetur Pejgamberi a.s. për
mëkatin më të madh ai ka thënë:
“T’i bësh shok Allahut, sakaq
që Ai të ka krijuar.”

Shehadeti përmban
dy elemente shumë të rëndësishme: Mohimin se ndonjë
krijesë posedon cilësi hyjnore, dhe pohimin e këtyre cilësive
vetëm për Allahun që është
Një dhe i Vetëm.

Çdo qenie e gjallë, esencialisht, e di
dhe e konfirmon ekzistimin e Allahut, Një dhe të Vetëm.  Të gjithë të dërguarit e Zotit, gjatë
epokave të ndryshme historike, kanë përkujtuar këtë të vërtetë dhe kanë ftuar në
La ilahe il’la Allah.[7] Prandaj,
refuzohet çfarëdo robërimi ndaj tjetërkujt, sepse ky
robërim është ekskluzivisht ndaj Allahut:

Ne nuk kemi dërguar asnjë të dërguar para teje, që të mos
i kemi shpallur se: ‘S’ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm)
Mua!
” (El-Enbija: 25);

Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që  u thoshte): ‘Adhuroni Allahun dhe shmangni
idhujt!
’” (En-Nahl: 36)

Thirrësi
i njohur amerikan Hamza Jusuf tërheq vëmendjen për faktin se katër fjalët e “La
ilahe il’la Allah
” formulohen prej tre shkronjave “Elif”, “Lam
dhe “Ha”. Me këto tri shkronja shqiptohet edhe fjala “ilah”. Fjala arabe ilah – Zot
nënkupton qenien që, për shkak të fuqisë dhe madhështisë së saj, është e denjë
të adhurohet dhe prej së cilës të tjerët janë të varur, kurse ajo nuk është e
varur prej askujt dhe asgjëje. Ajo, po ashtu, përmban kuptimin e sekretit dhe
fshehtësisë. Ilah është qenie e padukshme dhe e paperceptueshme. [8]

Prandaj, kur  Muhammedi a.s. iu tha idhujtarëve Kurejshë: “Thoni:
La ilahe il’la Allah”, ata u përgjigjën: “A
mos kërkon ai, që të gjithë zotat t’i bëjë një ilah/Zot të Vetëm?
” (Sad: 5).
Populli i Hudit a.s. tha: “Ata thanë: ‘A mos na ke ardhur që të adhurojmë vetëm
Allahun, e t’i lëmë zotat që kanë adhuruar prindërit tanë?!
’” (El-A’raf :70)

Fjala ilah d.m.th edhe zot apo çdo gjë tjetër,
qoftë njeri, kafshë, idhull apo ide që adhurohet nga frika apo dashuria.[9]
Të besuarit bindshëm në Allahun paraqet mohim dhe mosbesim
ndaj tyre. Ky besim flak tutje mbeturinat dhe gjurmët e mosbesimit apo
besimeve të kota. Kjo për
shkak se zemra e muslimanit lirohet nga të gjitha format e idhujtarisë dhe
politeizmit, nga bindja dhe besimet e rreme,nga veset dhe dëshirat e ulëta,
nga shkuarja drejt hapave të shejtanit dhe dhënia pas pasioneve dhe epshit.

Ka njerëz që marrin për ‘ilah’ edhe nepsin
e tyre: “A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka
marrë për
‘ilah’ (zot)?
” (El Furkan: 43). Ibadeti përfshin çdo
formë dhe lloj të adhurimit ndaj Allahut, që buron nga besimi me zemër,
nëpërmjet bindjes, dashurisë së zjarrtë dhe përuljes.

Prandaj robi, çdo aspekt të ibadetit,
duhet t’ia dedikojë vetëm Allahut, sikurse janë lutjet, frika, dashuria,
mbështetja, respekti, sakrifica dhe therja e kurbanit, betimi, rukuja dhe sexhdja. Allahu
ia ka vënë botën në shërbim njeriut sepse ajo i takon atij, kurse njeriu duhet
t’i shërbejë Krijuesit sepse ai i takon Zotit.[10] 

Adhurimi dhe bindja
ndaj Zotit e mbron njeriun nga përulja dhe robëria ndaj të tjerëve. Shehadeti e
ndalon njeriun që të besojë në çfarëdo zoti, përveç Zotit të vërtetë, apo që të
përulë kokën apo t’i përshkruajë ndonjë krijese cilësi hyjnore. Kjo i jep
njeriut pavarësi dhe dinjitet. Njeriu i nënshtrohet vetëm Zotit dhe ai nuk u
krijua që të ngrejë krye dhe të jetë rival me Krijuesin, por ta adhurojë Atë.[11]

Dëshmia
e parë

Dëshmia e parë “La ilahe il’la Allah” bën
dallimin e të Vërtetit nga e pavërteta; të Absolutit nga relativja; të Allahut
nga çdo gjë tjetër ekzistuese. Kjo dëshmi ka Zotin e vet, i Cili është Një dhe
i Vetëm dhe s’ka qenie tjetër, pos Tij, që ka fuqi hyjnore.[12]
Ajo përmban njëkohësisht mohim dhe pohim, besnikëri e përbuzje, lojalitet e mospërfillje.
Lojalitet ndaj Allahut që është Zoti i gjithësisë dhe mospërfillje ndaj çdo
sendi dhe çdo gjëje që adhurohet përveç Allahut: “Ndiqni atë që ju është
zbritur nga Zoti juaj e mos ndiqni mbrojtës të tjerë, përveç Tij.
” (El
Araf: 3). Ajo i zhvleftëson pseudoforcat dhe pseudoatributet që u përshkruhen
idhujve.[13]

Pjesa mohuese

Pjesa mohuese “La ilahe” nuk ka zot mohon
që krijesat të kenë realitet thelbësor dhe të pavarur dhe flak tutje nga i
Vërteti realitetet false dhe zotat e rremë. Ajo është të foluritnegativ
që e largon zemrën prej idhujve, prej prirjeve negative e egoiste (nefsani) që
e çojnë atë në indiferentizëm dhe hutim.[14]

Ndërmjet “la” (nuk ka) dhe “il’la” (përveç), ndërmjet mohimit dhe
pohimit që janë në maksimën e shehadetit, gjendet i tërë besimi. Me “la” mohuese
mohohet hyjnia e çdo gjëje që na mashtron dhe na josh nga të mirat e kësaj bote,
si: pasuria, dinjiteti, pozita, sundimi, çdo formë e kënaqësisë, luksi, gratë,
krenaria. U themi “Jo!” të gjithë atyre që kërkojnë nga ne t’i adhurojmë në
vend të Zotit.[15]
  

Fjala “ilahun” është “failun”, ndërsa “failun” do të thotë
ai i cili vepron. Te ne ai që vepron është Zoti, kurse çdo gjë tjetër është
mjet.[16]  

Pjesa pohuese

Pjesa pohuese “il’la Allah” – përveç Allahut pohon që realiteti
hyjnor është ekzistenca thelbësore dhe absolute. Të qenit e Zotit është thelbësor
e i vetvetishëm dhe vetëm Ai i jep ekzistencë të tjerëve. Faktin se s’ka zota të
tjerë përveç Allahut e vërtetojmë me pjesëzen“il’la”. Ajo
tregon se askush tjetër, përveç Allahut, nuk e gëzon të drejtën e adhurimit.
Prandaj të qenit zot (hyjnia) i përket vetëm Allahut dhe kjo prerogativë i
mohohet çdo gjëje përveç Tij. Një bindje e këtillë embush zemrën e
besimtarit me nurin e imanit dhe e bën të kuptojë madhështinë e Krijuesit dhe
vogëlsinë e tij para Zotit.

Pejgamberi a.s ka thënë: “Allahu ishte, e asgjë nuk ishte
me Të
”. Kjo do të thotë se e gjithë ekzistenca është e krijuar dhe e ndarë
si diçka tjetër nga Zoti.

Dëshmia e dytë

Dëshmia e dytë “Muhammedun resulullah”- Muhammedi
është i dërguar i Allahut
do të thotë
të pranuarit e sistemit hyjnor që ka shpallur Krijuesi për besimtarët. Muslimanët
duhet ta ndjekin ligjin e Krijuesit (sheriatin) dhe të përpiqen ta realizojnë
atë në jetën e tyre të përditshme.[17] Me këtë
mision erdhi Muhammedi a.s.   

Besimet e korruptuara dhe të shtrembëruara, që besonin zota
të rremë, e kishin katandisur shoqërinë dhe kishin topitur mendjen e njerëzve.
Idhujt dhe putat ishin vendosur padrejtësisht në brendi të Qabesë dhe kishin
pushtuar mendjet dhe çoroditur imagjinatën e njerëzve.     

Muslimanët e parë, pasi që rrënuan idhujt e rremë në zemrat
e tyre, me rastin e çlirimit të Mekës, i thyen idhujt dhe putat që ishin
vendosur nga idhujtarët brenda Qabesë.

Prandaj shehadetin duhet ta pranojmë me vetëdije të plotë, në mënyrë që
ai të ndikojë plotësisht duke zbrazur tërësisht zemrën, mendimet dhe sjelljet
tona nga çdo nuancë e mosbesimit, politeizmit apo besimeve të rreme dhe feve të
shpikura a të devijuara. 

Zemrën
e njeriut, në të cilën ka depërtuar dhe është qëndisur “La ilahe il’la Allah”, mund ta krahasojmë me pasqyrën tek e cila arrin
drita dhe që e reflekton atë tek çdo gjë që e rrethon. Zemra e muslimanit është si zemra e trëndafilit që shpërndan aromën tek
ata që janë rreth
tij.[18]   Dëshmia e Zotit Një e të Vetëm, Krijuesit të
gjitha botëve, është ruajtur në thellësi të zemrës së bijve të Ademit.

Për babanë dhe nënën e njerëzimit, kjo dëshmi ishte
një realitet i plotë që nga momenti i krijimit të tyre. Ademi a.s. pati
mundësinë të jetojë në njohjen direkte të Zotit. Ai u ngarkua që këtë dije
direkte t’ua përcjellë bijve të tij.[19] Edhe Hazreti Hava kishte
qëndruar me bashkëshortin e saj në xhenet. Ne bijtë e Ademit, përveç
pejgamberëve, nuk patëm fatin të jetojmë në njohjen direkte të Zotit.

Megjithatë, edhe ne, trashëguesit e tyre, kemi qenë
dëshmitarë në ‘alemu dherr’. Njeriu, vetja e tij, shpirti i tij, tashmë
e ka pranuar Allahun si Zot të vetin, madje qysh para ekzistencës së tij si
njeri. Prandaj, ai, si i tillë, do ta njohë dhe do ta pranojë Krijuesin e tij,
Jetëdhënësin dhe Furnizuesin e tij.[20] Kemi pranuar amanetin e fesë dhe
përgjegjësinë që nuk e pranuan toka dhe qiejt.     

Fitrah

Fitrah, që është besimi në ekzistencën e
Zotit dhe pranimin e hyjnisë së Tij, është ngulitur dhe qëndisur në shpirtin e
secilit njeri. Muhammedi a.s. thotë: “Çdo
foshnje lind me natyrë të pastër (fitrah), prindërit pastaj e bëjnë atë çifut,
të krishterë, etj
…” Ebu Hurejre thotë[21] nëse doni lexoni: “fitretallah el leti fatare en nase alejhanatyrën
(e pastër) fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit
… (Er Rum:
30)”.

Mu për këtë tevhidi
është i hershëm sa vetë njeriu. Ai është fitrah,
diçka e
lindur dhe e natyrshme prandaj nuk mund të fshihet, por mund të turbullohet, të
mbulohet me simptomat e mosbesimit dhe politeizmit. E nëse largohen këto simptome dhe
shkaqet e tyre, njeriu kthehet prapë në natyrën e tij dhe e beson Zotin.[22]

Në një hadith
kudsi, Allahu i Madhërishëm thotë: “I krijova robërit e Mi të pastër. U
erdhën djajtë dhe i larguan nga feja e tyre, ua lejuan atë që ua kisha ndaluar
dhe i urdhëruan që të më bëjnë shok, ndonëse për këtë nuk u kisha zbritur
kurrfarë argumenti
.”(transmeton:
Ahmedi).

Politeizmi
është si pasojë e defektit të natyrës së njeriut dhe besimit të rremë në zota
të supozuar. Me kalimin e kohës, për fat të keq, pas Ademit a.s.,
shumë njerëz, nën ndikimin e shejtanit, u mashtruan, u larguan nga rruga e
drejtë dhe e thyen zotimin e dhënë. Kjo çoi në traditën dhe praktikën e
politeizmit.

Për shkak të devijimit të
tyre nga Rruga e Vërtetë, njerëzit, nga padija,
adhuruan si zot diellin, hënën, idhujt prej druri dhe guri, zjarrin, kafshët,
njerëzit e shenjtë sikurse budistët, lopën sikurse hindusët, pejgamberët
sikurse hebrenjtë Uzejrin, dhe të krishterët Isain a.s.[23]

Por, i
dashuri Allah, me urtësinë e Tij të përsosur dhe mëshirën e pafund ndaj pasardhësve
të Ademit, në intervale të caktuara kohore, ka përzgjedhur pejgamberë dhe përmes
tyre ka shpallur libra që kanë pasur një qëllim të vetëm[24]: t’iu kërkojnë njerëzve t’i
kthehen Allahut dhe t’i binden vetëm Atij. Në këtë kanë insistuar Suhufet e
Ibrahimit, Tevrati, Zeburi, Inxhili dhe Kurani fisnik.

Imani në Allah është gjëja më
fisnike dhe më e madhërishme në këtë botë. Pejgamberi a.s ka thënë: “Gjëja
më me vlerë që kam thënë unë dhe pejgamberët para meje është: Nuk ka zot tjetër
përveç Allahut.
Atij i përket i gjithë pushteti dhe falënderimi dhe Ai cakton fatin e të
gjithëve
.” [25] Mendimtarët më të njohur të botës pohojnë se harmonia universale e universit
tregon qartë për Zotin i cili i di dhe i sheh kufijtë e gjithësisë, fillimin dhe
fundin e saj[26]. Prandaj dijetarët, duke e soditur dhe studiuar botën, arrijnë te dëshmia e vërtetë
dhe e drejtë: “Allahu dëshmon, e po ashtu edhe
melekët, dhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër përveç Tij, duke mbajtur
drejtësinë.
” (Ali Imran: 18).

 Fjala më e rëndë në peshore

Muhammedi a.s. thotë: “Pa dyshim,
ditën e kiametit Allahu do të nxjerrë në shesh një person nga ummeti im, pastaj
do të hapen para syve të tij plot nëntëdhjetë e nëntë regjistra (me veprat e
tij), secili aq i madh sa mezi ta rrok syri… dhe do t’i nxjerrë atij një letër
ku është shkruar: “La ilahe il’la
Allah, Muhammedun resulullah”…
Në njërën anë të peshores do të vihen regjistrat e në anën
tjetër letra me shkrimin e Dëshmisë. Ana me letrën do të rëndojë më shumë se gjithë ai numër regjistrash! Sepse emrin e Allahun nuk mund ta
masë asnjë peshore”. (Tirmidhi)

Gjithashtu Muhammedi a.s. tregon se Allahu xh.sh. i ka thënë
Musait a.s.: “O Musa, po qe se shtatë kate qiej e shtatë kate tokë vihen në një
anë të peshores dhe ‘La ilahe il’la Allah’ të vihet në anën tjetër, ‘La ilahe il’la Allah’ peshon më rëndë se to!” (Nesai)[27]

Besimi islam e pohon robërinë, por vetëm ndaj Allahut
xh.sh., sepse në realitet kjo është çlirim i vërtetë ndaj çdo nënshtrimi tjetër
pos Allahut. Maksima kur’anore ‘La ilahe il’la Allah’ kërkon që
njeriu ta rregullojë jetën e vet sipas saj, dhe jo vetëm ta përsërisë me gjuhë.
Ajo është program i jetës.[28]

E drejta e Allahut është që të kërkojë nga robërit e Vet
që ta adhurojnë vetëm Atë. Allahu është më i madhi, më i madh se gjithësia e
dukshme, më i madh se të gjitha hapësirat e fshehta të universit. Prandaj
kordat e zemrave të muslimanëve e përsërisin: Ti, Ti je Allahu, i Madhi,
Furnizuesi, i Gjithëmëshirshmi, Fuqiploti, i Përhershmi, i Bukuri, Madhështori.
Ti, Ti je Allahu që nuk ka Zot tjetër përveç Teje.[29]
O, Zot bëje zjarrin e ndaluar për atë që e beson dhe e lexon këtë
dhe vendose në vendin më të lartë në Firdeus!

Allahu është gjithmonë një Zot, nuk ka tjetër pranë Tij: “Thuaj
Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm.” Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet
gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është
i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë
!” (El Ihlas: 1-4)

Lavdëruar qofsh o Allah i Madhërishëm që, me mirësinë Tënde, na dërgove Muhammedin a.s. të na nxjerrë nga terri në dritë, nga errësirat e mosbesimit dhe adhurimit të krijesave në dritën e adhurimit Tënd, Një dhe të Vetëm! Lavdëruar qofsh o Krijuesi ynë dhe të i gjitha krijesave!  


[1] Ali Tantavi, Prezantimi i Përgjithshëm i Fesë Islame,
Prishtinë, 2000, f. 37

[2] Hasan Selimoviq, E vërteta për Islamin, Sarajevë, 1981, f.
74.    

[3] Muhammed Gazali, Besimi i muslimanit, Shkup 1421/2001,
f. 79.

[4] Dr. Muhammed Abdullah Draz, Dirasatun
islamijeh, Kuvajt, 1974, f. 21.

[5] Ismail Raxhi el Faruki, Tevhidi, Implikimet e tij për mendimin dhe jetën,
Shkup/Prishtinë/Tiranë, 2000, f. 39.

[6] Revista Zem Zem, Sarajevë, 1984, nr.2-3, op. cit., f. 9)

[7] Ali Bulac, Islami dhe demokracia, Shkup,
1419/1998, f. 205.

[8] Mevdudi, Të Kuptuarit e drejt të Islamit, Shkup,
1999/1420, f. 70.   

[9] Abdul Wahid Hamid, Islamizmi rruga e
natyrshme, botimi i dytë, Istanbul, 1992, f.
21-22. 

[10] Sejid Kutub, Kjo Fe, Shkup,1413/1993, f. 13.   

[11] Hasan Cengiq, Temat Islame, Shkup, 1420/1999, f.
55.      

[12] Mevdudi, Parimet Islame, pa vend dhe vit botimi, f. 37.

[13] Ali Bullac, Historia, shoqëria
dhe tradita, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2003, f. 232.

[14] Osman
Nuri Topbash, Islami, Besimi dhe Adhurimi, Stamboll, 2002, f. 190. 

[15] Mustafa Mahmud, Dialogu me mikun tim ateist, Shkup
1996/1416, f. 120.

[16] Mustafa Mahmud, Dialogu me mikun tim ateist, op. cit., f.
120

[17] Mevdudi, Parimet Islame, op. cit., f. 38.

[18]  Revista Zem Zem, Sarajevë, 1984, Nr.2-3, f. 25-26.           

[19] Muhamed Muteveli Esh Sharavi, Ithbat vuxhudilahi ve
vahdanijetihi, Kajro, 1409/1988, f. 14

[20] Sejid Muhammed Nakib El-Attas, Islami dhe shekullarizmi,
Shkup, Prishtinë, Tiranë,
2006, f. 84.

[21] Transmeton: Buhari dhe Muslimi.

[22] Ali Bullac, Historia, shoqëria
dhe tradita, op. cit., f. 160.

[23] Abdul Wahid Hamid, Islamizmi rruga e natyrshme, op.
cit., f. 21-22. 

[24] Vehbi Sulejman Gavoci, Shtyllat e Islamit ose Si e Pse,
Dubai, 1992, f. 8.

[25] Revista Zem Zem, Sarajevë, 1984, Nr.2-3, fq. 25-26.         

[26] Ibrahim Hodzic, O intelektuanom i primitivnom shvatanju
vjere i vjerskih propisa, Sarajevë, 1971, f. 172.

[27] Osman Nuri Topbash, Islami, Besimi dhe Adhurimi, op.
cit., shih: f. 186.

[28] Mustafa Mahmud, Dialogu me Mikun tim Ateist, op. cit., f.
119.

[29] Muhammed Gazali, Besimi i muslimanit, op. cit., f.112

(Islampres.ch)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-