Shkoi Jonuzi, erdh… Shabani: Çfarë ndodhi me ‘Dragashin Evropian’ të PDK-së?

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Në fund të këtij viti bëhen dymbëdhjetë vite që Partia Demokratike e Kosovës qeveris me Komunën e Dragashit. Ishte fundi i vitit 2007 kur kjo parti, me Salim Jonuzin kandidat për kryetar, arriti t’ia marrë pushtetin Lidhjes Demokratike të Kosovës. Që nga ajo kohë, Salim Jonuzi nuk e lëshoi fronin e të parit të Komunës edhe për dy palë zgjedhje të tjera lokale.

Tashmë po bëhej një dekadë që Dragashi i vogël po qeverisej nga një grup i njëjtë njerëzish, të cilët, përkundër premtimeve elektorale për ta bërë Dragashin evropian, u bënë protagonistë të shumë shkeljeve dhe keqpërdorimeve buxhetore, dallavereve me konkurse publike, si dhe dëshmuan paaftësi të skajshme për të menaxhuar politikisht dhe ekonomikisht me Komunën e Dragashit.

Në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Demokratike e Kosovës vendosi të garojë me një kandidat tjetër për kryetar të Komunës së Dragashit: ai ishte Shaban Shabani, i cili më herët kishte kryesuar edhe Kuvendin Komunal. Shabani arriti t’ia shpërblejë këtë të mirë partisë së tij, duke e ruajtur pushtetin e PDK-së në Dragash edhe për katër vite të tjera. Ndonëse rivalët politikë, sidomos ata të LDK-së, kishn hedhur një mori akuzash për keqpërdorime dhe vjedhje të votave nga partia e Shabanit, deri edhe transport kriminal të votave nga Serbia dhe Maqedonia.

Pavarësisht premtimeve për ndryshim, Partia Demokratike në Dragash duket se ende nuk ka dhënë ndonjë shenjë të qartë për lëvizje pozitive të gjërave. Tash kur ka kaluar më shumë se një vit që kur Shaban Shabani u vu në krye të Komunës, qytetarët vazhdojnë të ndjehen të zhgënyer me punën e deritashme të këtij pushteti. Nepotizmi në institucionet publike vazhdon të jetë i pranishëm. Komuna e Dragashit vazhdon të përballet me probleme formale dhe ligjore, në lidhje me keqpërdorim të tenderëve. Infrastruktura dhe investimet kapitale po zvarriten, duke vështirësuar edhe më tepër jetën e qytetarëve.

Sot, kur vala e largimit të të rinjve nga vendi po rritet dita-ditës, shpresat për ndryshime pozitive në Komunën e Dragashit po shuhen. Pyetja për ata që po qeverisin gjithë këto vite me komunën tonë është: çfarë ndodhi me ‘Dragashin Evropian’?!

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-