SHOKU I UDHËS

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Shokët e mirë të përjetshëm

Shoqëria dhe formimi i saj, është një realitet i pashmangshëm i jetës njerëzore, sepse njeriu është qenie shoqërore dhe është i detyruar të jetojë në shoqëri. Në gjuhën arabe, fjalët shok dhe mik, shprehen me fjalët, “halil”“sadik” dhe “rafik”.[1] Në Kuranin Fisnik, këto fjalë janë përdorur në kontekste të ndryshme.[2] Në gjuhën tonë, kjo fjalë përdoret në fusha të ndryshme të jetës, si shokë shkolle, shokë pune, shokë ushtrie, shokë lagjeje, shok jete, etj.

Një fjalë e urtë thotë: “Më thuaj me kë rri, të të them cili je!” Kjo thënie na kujton hadithin e Profetit tonë (a.s.), i cili thotë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij. Prandaj secili prej jush duhet të bëjë kujdes se me kë shoqërohet! (Tirmidhi, Zuhd, 45.)

Shoqëria ka një rëndësi të madhe edhe në çështjet e kësaj bote, edhe në çështjet e botës tjetër. E thënë ndryshe, ajo ka rëndësi të madhe si në fitimin e lumturisë në këtë botë, ashtu edhe në fitimin e lumturisë në botën tjetër. Në këtë shkrim, do të trajtojmë më tepër dhe shkurtimisht çështjen e shoqërisë/miqësisë që përmendet në Kuran.

Besimtarët, përsërisin vazhdimisht këto lutje të sures Fatiha, në çdo rekat, në faljen e pesë kohëve të namazit, në faljen e xhumasë, bajramit dhe të çdo lloj namazi tjetër vullnetar:

(O Zot!) Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!” (Fatiha, 6-7)

Në shikim të parë, në lidhje me përmbajtjen e këtij ajeti mund të lindë një pyetje e tillë: “Një besimtar fal namaz për shkak se beson. Pra, a nuk janë në rrugë të drejtë këta besimtarë që e falin namazin, i cili është shtylla e dytë kryesore e Islamit pas “Kelime-i Teuhidit” dhe që është urdhëruar si farz, jo në tokë, por në qiell (në miraxh)? Përse i luten Zotit dhjetëra herë në ditë që t’i udhëzojë, duke thënë: «Na udhëzo në udhën e drejtë!»”?

Për të shpjeguar një pyetje të tillë që mund të vijë në mendje, komentuesit e Kuranit, fjalën “ihdina/na udhëzo”, e kanë komentuar në kuptimin: “Na e shto udhëzimin! Na i forco këmbët në rrugën e qartë të Islamit dhe Kuranit! Na frymëzo me rrugën e drejtë të fesë!”[3]

Domethënë se, në çdo rekat të namazeve që fal, besimtari i kërkon Allahut, i Cili i ka dhuruar besimin, ta bëjë të qëndrueshëm në Islam/Kuran dhe të mos e lejojë t’i rrëshqasë këmba nga rruga e drejtë. Kjo, sepse është një fakt i vërtetë se shumë njerëz përjetojnë dobësi/plogështi dhe largim nga rruga e drejtë, pas fitimit të pozitave, gradave dhe titujve të kësaj bote. Në këtë kuadër, kjo lutje bart një rëndësi të madhe në jetën e çdo besimtari: “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!”(Al-i Imran, 8)

Në pjesën e lutjes, “Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi”, që përdoret në ajetin 7 të sures Fatiha, theksohen qartë robërit që janë në rrugën e drejtë, të cilëve Allahu i Madhëruar u ka dhuruar mirësi. Në shpjegimin e këtij ajeti, në tefsirë të ndryshëm, tërhiqet vëmendja edhe në ajetin 69 të sures Nisa[4], ku janë bërë të ditur ata, të cilëve Allahu u ka dhënë mirësi dhe shprehet se ata janë shokë shumë të mirë: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!”

Ky shpjegim, tregon se kur besimtari fal namaz, kërkon dhe zgjedh me këmbëngulje shokët e përjetshëm. Ashtu siç kuptohet qartë edhe prej ajetit, kategoria e shokëve të parë, janë të dërguarit e Allahut, të cilët Ai i ka zgjedhur dhe u ka dhënë shpalljet. Këta kanë sjellë civilizimin në tokë dhe janë angazhuar gjithmonë me udhëzimin, edukimin dhe përmirësimin e njerëzimit. Kategoria e dytë, janë besimtarët e fortë, që e aprovojnë pa ngurruar aspak ekzistencën e Allahut, njëshmërinë e Tij dhe profetët që Ai ka dërguar. Kategoria e tretë e shokëve, janë besimtarët e zgjedhur që besojnë dhe e zbukurojnë jetën e tyre me vepra të mira, të sinqerta dhe të bukura. Kategoria e katërt, janë dëshmorët, të cilët e sakrifikojnë gjënë e tyre më të çmuar, jetën, në rrugë të Allahut.

Atyre që i falin namazet në mënyrë të rregullt që prej moshës së pjekurisë, e deri sa dorëzojnë shpirtin e tyre, shpresohet prej Allahut të madhëruar, i Cili ua ka urdhëruar namazin, që t’u pranohen këto lutje të sinqerta që i bëjnë me dhjetëra herë në ditë. Allahu i Madhëruar, ata të cilët pasi kanë besuar, e falin namazin në mënyrë të rregullt, u ka dhënë shpërblimin e zgjedhjes së shokëve të përjetshëm që në këtë botë të përkohshme. Vetëm kjo do të mjaftonte për të treguar se sa detyrë e rëndësishme dhe madhështore është namazi. Në namaz, besimtari i lutet Allahut të Madhëruar për t’u bërë shok me njerëzit më të zgjedhur të Tij, i kërkon të hyjë në rrugën që ndjekin ata dhe të jetë i qëndrueshëm në atë rrugë.

Në fund të ajetit 69 të sures Nisa, përdoret shprehja: “…Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” Kjo tregon qartë se këta e meritojnë të jenë shok e miq të vërtetë. Për këtë arsye, besimtarët duhet të garojnë për të krijuar shoqëri me njerëzit të cilët ua mësojnë fenë, i këshillojnë dhe ua kujtojnë botën tjetër. Nëse besimtari thur gjithmonë shoqëri e miqësi me besnikët, njerëzit e mirë dhe me ata që do ta ndihmojnë të fitojë Xhenetin, kjo do të kontribuojë në ndërtimin e jetës së tij fetare dhe për t’u bërë njeri i drejtë dhe i moralshëm. Madje, ky është një kusht i domosdoshëm i besimtarit dhe një kërkesë e rëndësishme e besimit.

Në Kuranin fisnik, në lidhje me rolin devijues të shokut të keq dhe pendimit që do të ndjejnë në botën tjetër ata që zgjedhin shokë të këqij, urdhërohet:

“Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: «Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë)me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!» Në të vërtetë, shejtani e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës. Dhe i Dërguari do të thotë: «O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer».” (Furkan, 27-30)

Ndërsa në suren Saffat, theksohet se banorët e Xhenetit do të shpërblehen me mirësi të ndryshme, duke na dhënë edhe një skenë dialogu të tillë, në të cilën një prej banorëve të Xhenetit tregon në lidhje me një shokun e vet që e mohonte ringjalljen:

 “Ata do t’i qasen njëri-tjetrit e do të bisedojnë. Dhe njëri prej tyre do të thotë: «Unë kam pasur një shok, i cili më thoshte: “Vallë, edhe ti je nga ata që besojnë se, kur të vdesim e të bëhemi eshtra e pluhur, do të japim llogari vërtet?!” A doni ta shikoni (atë që më qortonte për shkak të besimit tim)?» Dhe ai do të shikojë poshtë dhe do ta shohë atë në mes të Zjarrit flakërues e do t’i thotë: «Për Allahun! Për pak më shkatërrove edhe mua.»”(Saffat, 50-56)

Vendi ku do të fitohen shokët e mirë e të përjetshëm, është kjo botë, në të cilën jemi dërguar për t’u sprovuar. Arritja e kësaj, është e mundur me besimin Islam dhe me shtyllën e tij, që është namazi. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë, se mënyra për të fituar shokë të mirë e të përjetshëm në botën tjetër, për të cilët flet Kurani, kalon vetëm prej shoqërimit në këtë botë me robër të mirë që ndodhen në rrugën e drejtë. Ne kemi nevojë për shokë udhëtimi si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Kjo nevojë është edhe arsyeja që Allahu i Madhëruar ka dëshiruar që ne t’i lutemi e t’i përgjërohemi vazhdimisht në namaze, që të ndjekim rrugën e njerëzve të mirë dhe të qëndrojmë larg prej të këqijve dhe të devijuarve.

 


[1] – shih. Ebu Bekir b. Abdulkadir er-Razi, Muhtaru’s-Sihaha, Daru’l-Marife, Bejrut, 2010, fq. 179, 232, 322.

[2] – shih. Nisa, 4/69, 125; Furkan, 25/28; Shuara, 26/101. etj.

[3] – shih. Bejdaui, Nasiruddin Ebu Said Abdullah b. Omer el-Bejdaui, Enuaru’t-Tenzil ue Esraru’t-Te’uil, (Kitab Mexhmua mine’t-Tefasir), Bejrut, ts. I, 30; Nesefi, Ebu’l-Berakat Abdullah b. Ahmed, Medariku’t-Tenzil ue Hakaiku’t-Te’uil, (Kitabun Mexhmua mine’t-Tefasir) Bejrut, ts I, 30; Hazin, Alauddin Ali b. Muhammed b. Ibrahim, Lubabu’t-Te’uil fi Meani’t-Tenzil, Bejrut, ts. (Kitabun Mexhmuatun mine’t-Tefasir), I, 30; Sheukani, Muhammed b. Ali b. Muhammed esh-Sheukani, Fethu’l-Kadir el-Xhamiu bejne Fenneji’r-Riuajeti ue’d-Dirajeti min Ilmi’t-Tefsir, Tas’hih, Ahmed Abdusselam, Bejrut, 1994, I, 26.

[4] – Hazin, e njëjta vepër I, 31; Sheukani, e njëjta vepër., I, 27.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-