Shoqëri me Kible të gjallë

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Qëndrova në prezencën Tënde… Ndoqa Kuranin Tënd… U ktheva nga Kibla1 … Kibla ime Qabja… Kur mendojmë për rruzullin tokësor, me miliona myslimanë kthehen në atë drejtim pesë herë në ditë të përqendruar me zemër në namaz… Me miliona zemra lidhen me Qaben. Kibla i mbledh zemrat rreth Qabes dhe ia paraqet Krijuesit si një trup të vetëm. Pesë herë në ditë, Krijuesit i ofrohet një buqetë e përbërë prej miliona zemrash… Vetëdija ndaj kiblës është një gjendje e cila e shpëton zemrën nga devijimi dhe shpërndarja; e mbledh atë dhe e mban vazhdimisht në drejtimin e duhur. Islami e ka predikuar këtë gjendje si gjëja më e domosdoshme për mbajtjen gjallë të zemrës së myslimanit. Namazi është i domosdoshëm për myslimanin, ndërsa kibla është e domosdoshme për namazin. Ashtu si namazi, që e nxjerr njeriun përpara Krijuesit të tij në mëngjes, në drekë, në ikindi, në aksham dhe në jaci dhe me këtë siguron lidhjen e zemrës së njeriut me Krijuesin, ashtu edhe vetëdija ndaj kiblës, në strukturën e namazit luan rolin e mbledhjes së zemrës prej lëkundjeve, devijimeve, hutimeve dhe humbjeve në këtë botë.

Vetëdija ndaj kiblës është perceptimi “i drejtimit” që duhet të gjendet tek myslimani. Nëse identiteti i myslimanit është i detyruar të jetë i lidhur në rrugën e drejtë -siratul mustakim- e jo në rrugë të tjera- edhe qëndrimi në “siratul mustakim” varet nga ekzistimi i një kible absolute. Kibla është një gjilpërë busulle e “siratu mustakijm”it, që ka zënë vend në zemër. “Fe ejne tedhhebuuun / E ku jeni duke shkuar?”2 Njeriu është gjithmonë në lëvizje e në udhëtim mbi rruzullin tokësor. Jeta s’është gjë tjetër veçse një udhë- tim. Pyetja në të cilën fokusohet zemra, ndërkohë që je duke vërejtur qiellin, tokën e nëntokën, është: Ku është kibla juaj? Ku është Veriu, Jugu, Lindja e Perëndimi? Vetë drejtimet nuk kanë ndonjë kuptim. Por nëse drejtimet shprehin zgjedhjen e një besimi apo një më- nyre jetese, aty fillon edhe zgjedhja e kiblës dhe Islami kërkon prej myslimanëve që zemrat e tyre t’i drejtojnë nga “Shtëpia e Allahut”. Kudo që shkon, puna e parë që bën një mysliman, është kërkimi i kiblës, sepse pak më vonë do të falë namazin. Namazi është qëndrimi në audiencë të Allahut. Namazi është kuptimi i të fshehtës së krijimit. Namazi është të thuash pesë herë në ditë: “Lebbejke Allahumme lebbejk / Iu përgjigja thirrjes Tënde, o Allah!” dhe të qëndrosh gatitu. Namazi është shfaqja më kuptimplote e devotshmërisë. Nëse myslimani nuk e ka humbur ndjesinë ndaj namazit, do të thotë se nuk ka humbur as lidhjet e zemrës me Zotin e tij. Zemra e njeriut që nuk i humb lidhjet me Zotin e saj, nuk humbet as perceptimin e kiblës. Për myslimanin, këta janë damarë që ushqejnë njëritjetrin. E kundërta e kësaj, njeriu i cili nuk vihet në kërkim të kiblës në vendet ku shkon, është njeriu i cili ka probleme në lidhje me namazin. Dhe njeriu që ka problem në lidhje me namazin, është e vështirë të bëjë një jetë si mysliman. Në bazë të kësaj, vetëdija ndaj kiblës, për personalitetin e myslimanit do të thotë se vetëdija e tij është gjallë. Qabja, gjatë periudhës së haxhit, hyn si një tjetër realitet në botën e myslimanit… Qabja, për nga ku drejtohet pesë herë në ditë, tashmë qëndron në horizontin e tij për t’u parë me sy, për ta bërë tavaf dhe për të prekur trupin e saj…

Jashtë xhamisë, ka një jetë që nuk është aspak sterile. Pikërisht, këtu tregohet edhe aftësia. Kur të largohesh prej atmosferës ku gurëzohet e dëbohet shejtani e të kthehesh në realitetin e kësaj bote. Pyetja jetësore është: Kush shkon në haxh, ka mundësi ta marrë Qaben brenda vetes dhe ta sjellë. Tashmë, këtej e tutje, a jeton ai duke ndjerë rrahjen e damarit të Qabes në zemrën e tij? Besimtari që qëndron në namaz, a mund të ndërtojë një jetë të vetëdijshme ndaj rrugës së drejtë që e fitoi në sajë të kiblës dhe e formoi gjatë qëndrimit në prezencë të Allahut? Ka një thënie popullore, në të cilën thuhet: “Kali i dobët nuk ka kible” . Pra, kalin që nuk ka këmbë e trup të fortë, nuk është e mundur ta mbash në një drejtim. Goditja më e vogël mund ta lëkundë e ta rrëzojë atë. Edhe njeriu, nuk është më ndryshe. Kujdesi i njeriut ndaj kiblës, megjithëse nuk është një çështje e lidhur me forcën fizike, është e sigurt se është një çështje e lidhur me forcën e zemrës. Kush shkon në haxh, duhet ta qëndisë në zemër duanë që bëhet në Arafat. Kush bën tavaf Qaben, duhet ta gdhendë Qaben në zemrën e vet si një gjilpërë busulle që tregon kiblën. Kush hyn në xhami, duhet të bartë në rrahjet e zemrës së vet harmoninë e kthimit nga kibla… Shoqëria myslimane duhet të marrë formën e një shoqërie të kiblës. Të dërgosh çdo vit dhjetëra mijëra myslimanë në Qabe, pastaj të jesh një shoqëri që ka probleme në marrëdhëniet me kiblën, nuk është e lehtë të shpjegohet brenda kuadrit islam. Themi se ata që dalin këtë vit në udhëtimin e shenjtë, duhet ta fusin Qaben në zemrat e tyre pa dalë ende për udhë dhe kur të kthehen në vendet e tyre, duhet të marrin prej atje aq sa të munden, që të ndërtojnë një shoqëri me kible të gjallë. Kur shoqëritë myslimane të shpëtojnë prej gjendjes së devijimit të kiblës, edhe bota do të ndryshojë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-