Opoja.net

Shpallen të Pafajshëm Kryetari i Dragashit dhe Diplomati në Bullgari

Lajme Opoja

Kryetari i Dragashit Salim Jenuzi dhe ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal Lulzim Rifaj, aktualisht konsull i Republikës së Kosovës në Sofje janë shpallur të pafajshëm sot nga Departamenti i Krimeve të Rënda pranë Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Drejtuesit e lartë të Komunës së Dragashit akuzoheshin për shpërdorim të pozitës zyrtare, ose të autorizimit.

Vendimin për ta e shpalli Raima Elezi, kryetare e trupit gjykues

“Në emër të popullit, të akuzuarit Salim Jenuzi dhe Lulzim Rifaj, nuk janë fajtorë për shkak të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 i Kodit Penal të Kosovës, prandaj trupi gjykues në bazë të nenit 364 pargraf 1 dhe nënpar.1.3 ka marrë aktgjykim me të cilin i liron nga akuza të akuzuarit” tha Elezi.

Vendimin e gjykatës, e përshëndeti mbrojtja e të akuzuarve.

Mbrojtësi i kryetarit Salim Jenuzi, avokati Ruzhdi Berisha, tha se të akuzuarit kanë vepruar drejt dhe në mungesë të provave të njëjtit janë shpallur të pafajshëm.

“Pas një gjykimi maratonik, ndoshta është pa prej fillimit i panevojshëm, gjykata mori aktgjykimin lirues me të cilin dy të akuzuarit-kryetari i komunës së Dragashit dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal u liruan nga aktakuza në mungesë të provave,” tha Berisha.

Ndërsa avokati Fatmir Jëlliqi, i cili në fjalën përfundimtare kishte deklaruar para trupit gjykues se në këtë rast nuk mund të bëhet fjalë as për kudërvajtje, sot shprehu kënaqësinë për këtë vendim të gjykatës.

Ai tha se që nga fillimi ka qenë optimist për vendimin që do të merrej.

Pasi klienti i tij Lulzim Rifaj është konsull në konsullatën kosovare të Sofjes dhe për gjykim i është dashur të udhëtojë nga Bullgaria, Jëlliqi paralajmëroi mundësinë e kërkimit të kompensimit të dëmit

“Për fat të keq zotni Lulzim Rifaj sot nuk ishte prezent në ditën e komunikimit të vendimit, do të ishte mirë që të ishte së bashku me ne dhe të ndante këtë gëzim. Me siguri brenda ditës do të takohemi dhe në qoftë se ai shpreh dëshirën për ndonjë kompensim eventual, ne jemi të gatshëm të iniciojmë procedurën,” tha Rifaj.

Ndryshe nga mbrojtja, prokurori i shtetit Mehdi Sefa, tha për KALLXO.com se është i pakënaqur me vendimin e gjykatës dhe paralajmëroi se do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Prokuroria e shtetit, i ngarkonte të pandehurit, se më 27 gusht 2009, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, i kanë shkaktuar dëm ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhimi” në Dragash, e cila është nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Sipas aktakuzës Salim Jenuzi, në cilësi të kryetarit të Komunës në Dragash, urdhëroi drejtorin e Urbanizmit që të bartë pronën shoqërore, patundshmërinë në sipërfaqe prej 29,7 hektarësh prej pronarit të ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhim” në pronë të KK të Dragashit.

Pastaj këtë patundshmëri, i akuzuari Jenuzi ua dha në shfrytëzim pa ndonjë bazë juridike, personave fizikë – blegtorëve.

Ndërsa i akuzuari i dytë, Lulzim Rifaj, akuzohej lidhur me këtë bartje të pronës shoqërore, që paraprakisht e kishte vënë në rend dite të Asamblesë Komunale, duke bindur deputetët që të marrin një vendim të tillë, edhe pse e kishte ditur se është në kundërshtim me ligjet pozitive në fuqi, pasi menaxhimi i pronës shoqërore me ligj i përket AKP-së.

Me këto veprime, të akuzuarit thuhej se u kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm material personave fizikë, në këtë rast blegtorëve, duke i shkaktuar dëm ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhimi”.

Duke u bazuar në këto veprime, sipas Prokurorisë së shtetit, të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit.

Shaban Shabani: Dhuna në familje rrezikon paqen

Fari Kolloni

Covid-19 në Dragash, sot dy të infektuar

Fari Kolloni

Ujku filmohet shumë pranë fshatrave të Opojës

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net