Ne jetojmë me një trup që përbëhet nga mishi dhe kockat. Ato që hamë dhe pimë shndërrohen në mish dhe kocka. Mangësia në ushqim bëhet shkak për rënien apo sëmurjen e trupit tonë. Kjo është e vërteta e dimensionit tonë fizik.
Bota jonë shpirtërore dhe identiteti ynë prej besimtari, i cili është identiteti ynë i vërtetë, qëndron aktiv me vepra të mira dhe adhurime duke filluar që nga besimi. Ndërkohë që ushqimi mban të gjallë trupin tonë, veprat e mira mbajnë të gjallë strukturën tonë shpirtërore.
Ndërsa ajo që e shpëton nga mbytja në jetën e kësaj bote identitetin tonë prej besimtari, i cili është rezultati i përbashkët i trupit dhe shpirtit tonë, është shpresa. Ne kemi sytë që e shikojnë horizontin aq sa kemi shpresë. Kur të na mbarojë shpresa, mund të na mbarojë edhe trupi, madje edhe besimi. Këtë e tregon edhe ajeti i Kuranit Fisnik i cili shprehet: “Vetëm qafirët e presin shpresën nga mëshira e Allahut.”
Shpresa është ushqim edhe për foshnjën, edhe për të moshuarin. Çfarë nuk ka humbur ai që ka humbur shpresën? Ai që humb shpresën, humb edhe besimin, edhe identitetin. Të shpresuarit për të marrë frymë edhe një herë tjetër, është emri i shpresës për të qëndruar në jetë. Kjo është kështu për secilën prej mirësive të kësaj bote dhe të botës tjetër. Xheneti dhe çdo gjë që është premtuar prej tij, janë për ta mbajtur të gjallë këtë shpresë. Shpresa te Allahu është esenca e besimit. Falja e namazit të mëngjesit dhe mbajtja e agjërimit të muajit të Ramazanit me shpresën për të hyrë në Xhenet është dallimi i njeriut besimtar.
Rënia dëshmor duke e shpresuar shpërblimin nga Allahu është dallimi i njeriut besimtar. Përpjekja për të lexuar qoftë edhe një ajet më shumë nga Kurani Fisnik është për të marrë një sevap më shumë. Edhe kjo është një shpresë. Falja e namazit farz duke i shtuar edhe dy rekate nafile, do të thotë ta mbash shpresën në gjendje të gjallë. Të njëjtën gjë mund ta themi edhe për haxhin, edhe për zekatin.
Shpresa është energjia e jetës sonë në besim. Siç është e vërtetë se ata që e shkëpusin shpresën nga jeta materiale mund të tentojnë për të bërë vetëvrasje, kështu është e vërtetë se edhe ata që e shkëpusin shpresën në çështje që kanë të bëjnë me besimin tentojnë të bëjnë vetëvrasje shpirtërore. Përpjekja e shejtanit të mallkuar duke na thurur mijëra dredhi për të na larguar nga Allahu, Ahireti, Xheneti dhe mirësitë e tij, duke na hedhur në pesimizëm, me të vërtetë është e tmerrshme. Nëse besimtarët si individë bien në pesimizëm, atëherë si pasojë e kësaj edhe umeti bie në pesimizëm. Çdo lloj bisede apo fjalimi që e nxjerr në pah pesimizmin, ia shteron energjinë besimit tonë.
Ne si shoqëri besimtare jemi të obliguar ta mbrojmë shpresën tonë ndaj Allahut siç jemi të obliguar për t’i mbrojtur xhamitë në lagjen tonë. Mbrojtja e xhamisë dhe mbrojtja e shpresës ndaj Allahut Teala duhet të bëhet çështje e edukimit modern në këtë botë që po vlon nga luftërat. Shpresa jonë ndaj fuqisë së Allahut, ndaj përhershmërisë së fesë së Tij, ndaj të vërtetës se sheriati do të sundojë dhe ndaj faktit se në Ahiret do të shfaqet drejtësia absolute, duhet të hyjë në veshët tanë si ezanet përgjatë ditës dhe nga aty të zbresë në zemër.
Nëse themi se njerëzit janë aq sa shpresat që kanë në zemrat e tyre, nuk gabojmë aspak. Ndryshimi ndërmjet shpresës për Xhenetin që kishin të parët e këtij umeti me shpresën për Xhenetin që kanë pasardhësit e tyre është si ndryshimi ndërmjet veprave të tyre.
Shpresat që ata kishin për Allahun dhe Xhenetin dhe besimi që kishin për gjërat që ua premtoi i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, në disa situata u shndërruan në debate filozofike ndërmjet brezave të mëvonshëm. Besimi dhe shpresa që kishte brenda tij ndaj premtimeve besimtari që tha: “Nuk mund të pres për të shkuar në Xhenet qoftë edhe për aq kohë sa të ha këtë bistak.” – është si një thesar që ka humbur në ditët e sotme. Si mund të shihet një njeri që vrapon drejt Xhenetit në një vend ku ka humbur shpresa?
Po të mos kishin shpresa te gjera sahabët e rinj, Allahu qoftë i kënaqur me ta, a mund t’ia dedikonin rininë e tyre përhapjes së Islamit duke ecur nëpër shkretëtirë? Të gjithë prej tyre bënë një jetë sikur e kishin para syve edhe Xhenetin, edhe Xhehenemin. Kur dëgjonin ajetet që flisnin për Xhenetin, ndjeheshin sikur kishin mundësi t’i zgjasnin duart dhe të merrnin një grusht ujë nga lumenjtë e tij. I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, u tregoi atyre për dexhalin. Ata u kthyen pas dhe panë nëse ishte apo jo pas tyre. Kjo tregonte besimin që ata kishin ndaj haditheve që dëgjonin dhe shpresën për realizimin e atyre fjalëve të Hz. Pejgamberit.
Pesimizmi është një gjendje në të cilën e ndjen veten të mbaruar. Kjo është një e vërtetë duke filluar që nga pesimizmi në jetën tonë private e deri te pesimizmi në lidhje me të nesërmen e fesë sonë. Në këtë rrugë duhet të ecim duke u mbushur çdo ditë me një energji të re krahas të gjitha vesveseve të shejtanit. Edhe qendrat që na pompojnë pesimizëm duhet t’i njohim si pika që nuk janë të dobishme për ne.
Shpresa jonë duhet të ecë në të njëjtën gradë me besimin tonë, sepse ne jemi me Allahun. Çdo gjë është e Atij. Edhe dispozitat Ai i vendos. Nëse i besojmë dikujt, ne i besojmë Atij. Për këtë kemi shpresë të plotë. Ne e shohim shpresën si një energji të pashterueshme. Në të vërtetë, e tillë është.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.