Qenia njerëzore për nga natyra është qenie që mezi pret të zbulojë atë çfarë e ardhmja ka rezevuar. Nga djegia e dëshirës së padurimit ka edhe syresh që rendin të takojnë “parathënësit” e fatit që me mënyrat e tyre konstruktive t’u dëftojnë se ç’ka për t’u ngjarë. Kaq e fortë është kjo dëshirë saqë nuk shohin se me çfarë instrumente kërkojnë të njohin të ardhmen e tyre. Mjafton të dëgjojnë prej tyre se do t’u prijë e mbara dhe nuk kursehen në shpërblimin ndaj tyre. As vetë nuk janë aq të bindur ndoshta se e mbara do t’iu prijë. Është shpresa që ushqen njeriu që kërkon gjithmonë mirë për veten ajo që e bën t’iu besojë këtyre mjeshtrave “fatsjellës”. Kështu njeriu na dëfton dhe njëherë se për të shpresuar se e mira do ta ndjekë në të ardhmen e panjohur është gati ta hedhë tej edhe dinjitetin e vet si qenie njerëzore dhe t’i besojë llumit të një filxhani kafeje, një fije peu të përdredhur që lexohet nga një zonjë e madhe, disa kombinacioneve prej letrash apo dhe të tjera gjëra të kësaj natyre.
Të shpresosh për mirë është e natyrshme. Shpresa se ajo çfarë vjen do të jetë më e mirë se ajo që lë pas është bashkëshoqëruese e përhershme e njeriut në përkohësi. Për ta mbërritur atë që dëshirohet me padurim njeriu shtrydh energjitë e tij, sakrifikon rininë e tij, vetëm e vetëm që të mundet ta prek më të mirën gjendje, që shpresat e veta t’i shohë të realizuara. Kryejnë punë nga më të shumëllojshmet, gjenerojnë mënyra nga më të ndryshme për të bërë para me shpresën se e ardhmja do të jetë më e mirë se e kaluara. Nuk duan t’ia dinë se çfarë kostosh duhet të paguajnë, mjafton që shpresat të realizohen.
Shpresues i madh është njeriu. Ndoshta ky shpresim është një nga të mirat që mbart njeriu brenda vetes, edhe pse ndonjëherë e baltos me gjëra të paqëna “fatsjellëse”. Është mirësi shpresimi, sepse mban gjallë përpjekjet për të zbuluar më tej veten, për të zbuluar më tej projektin që mban brenda vetes. Të shpresosh për më të mirën nuk je duke bërë ndonjë mëkat. Vetëm se duhet të kuptosh ç’është realisht e mira. A është e mirë vetëm sigurimi i mirëqenies materiale? Apo duhet ta shohim të mirën si diçka sublime, si gjënë që tejkalon përfytyrimet tona të zakonshme për të?
Shpresimi për më të mirën është ylli polar që na bën të orientohemi në anën e duhur të horizontit për të mos humbur udhë. Në netë të kthjellëta ylli polar aty është gjithmonë, i shqueshëm për ata që sytë e zemrës dhe të mendjes i çojnë drejt qiellit. Po aty është edhe në netë të mbushura me re apo të rënduara me mjegull. Në pritje për ta ndjekur. I palëvizshëm dhe i paluhatshëm në shkëlqimin e vet. Prandaj me shpresën që në netë të mbushura me re dhe të rëndura nga mjegulla të gjejmë rrugën e duhur, nuk duhet braktisur shpresa për prezencën e yllit polar tek ne. Kush e braktis këtë shpresë ka hyrë në udhën e pakrye të paudhësisë.
Por përtej faktit që duhet të shpresojmë për më të mirën, nuk duhet të lëmë jashtë vëmendjes se për të mbërritur tek kjo e mirë duhet të përballemi më prezencën e diçkaje tjetër, e cila na tërheq teposhtë me peshën e saj që të humbim shpresën nga gjetja e rrugës së njëmendtë që duhet të ndjekim. Dhe kjo diçka është padyshim e keqja dhe gjithë instrumentet që ajo përdor. Përballja me të keqen dhe gjithë vështirësitë e tjera që lidhen me të janë diçka e pashmangshme. Në një çast apo në një tjetër njeriu nuk mund ta evitojë përplasjen me të. Kjo është krejt e sigurt, ashtu siç je i sigurtë që për të jetuar duhet të mbushesh me oksigjen.
Mirëpo njeriu kur shpreson për më të mirën shpesh harron se rruga drejt së mirës është e mundimshme, e lodhshme dhe e djersitshme. Duke shpresuar për më të mirën harron se në rrugën që duhet të shkelë duhet të largojë ferrat, gjembat, plehrat që të shpëtojë prej pasojave që vijnë prej mbartjes së tyre. Kjo mungesë vëmendje bën që fortësia e goditjeve që do të marrësh nga e keqja dhe instrumentet e saj të jetë dërrmuese, sepse ke rendur në një terren të molepsur i pavetëdijshëm për rrezikun e infektimit nga molepsja. Dhe ndërkohë që infektohesh nuk e kupton aspak sesi ajo të thith shpresën për më të mirën dhe të devijon drejt fanitjeve të së mirës, duke të mbushur mendjen se fanitjet janë realiteti që ke shpresuar të arrish në jetë.
Dhe që të mos mbetesh një i sëmurë kronik nga molepsja me të keqen duhet ta parapërgatitësh veten për stuhitë që do të ndeshësh përpara se ato të vijnë e të zënë vend në qiellin tënd. Përpara se të shpresosh për më të mirën dhe të ëndërrosh ndonjëherë edhe me sy hapur për arritjen e saj, duhet të zgjohesh dhe të ngjeshësh armaturën mbrojtëse nga goditjet e rrufeve, vetëtimave, shpatave, shigjetave të helmuara. Duhet të marrësh antidotin përpara se të pish kupën e helmit që do të të shërbejnë, më shpesh ata që të rrethojnë me oborrtarizëm dhe përkulje servilësh.
Kjo parapërgatitje kërkon mbi të gjitha vullnet për të duruar. Shpreso dhe parapërgatitu me vullnetin për të duruar zjarrin e betejave që do kalosh në mejdan. Hyr në betejë duke shpresuar më të mirën, fitoren, dhe harroji plagët që do të kullojnë gjak përpara se të hysh në betejë. Kujtohu t’i kurosh pasi ke dalë nga beteja se beteja të tjera të presin. Ruaje vullnetin për të duruar të paprekur, sepse është garanci që edhe në çastet më të vështira është ura më e palëkundshme që mban në këmbë shpresën për më të mirën.
E pathënë, e pazgjedhur më mbeti shpresa ime më e madhe! Dhe më vdiqën të gjithë përfytyrimet dhe kënaqësitë e rinisë sime!
Si durova? Si u shërova, si i mbijetova ato plagë? Si u ngjall shpirti im prej varresh të tillë?
Unë kam diçka të pacenueshme, të pavarroshme, diçka që shkëmbinjtë dërrmon; ky quhet vullnet.
E heshtur e pandryshuar viteve mbeti. Vullneti im plak të ecë me këmbët e mia; i pazemër, mizor dhe i pacenueshëm është fundit i tij.
I pacenueshëm unë jam veç në thembër. Akoma ti rron, dhe i barabartë me veten qëndron, o shembull durimi! Edhe njëherë rrugën e çave mes të gjithë varreve!
Rron akoma tek ti ajo që s’m’u zgjidh gjatë rinisë’ dhe si rini dhe jetë akoma ti këtu rri, mbi gërmadha verdhacake varresh duke shpresuar.
Po ti je ai që të gjithë varret gërmadha i bën; të përshëndes, o vullneti im! Se veç ku ka varre, ka edhe ngjallje. (Nietzsche, F. (2001), Kështu foli Zarathustra, Tiranë: Phoenix, f. 94)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.