Shqiptaro-amerikanët: Ardhja e Joe Biden, rast historik që Kosova t’i realizojë qëllimet kryesore

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Lajme

Në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tashmë është presidenti i ri Joe Biden, i cili njihet jo vetëm si miku i Kosovës, dhe i shqiptarëve, por prej shumë vitesh njihet edhe si mbështetës i pakushtëzuar i Kosovës.

Shqiptaro-amerikanët, thonë se për Kosovën, ardhja në Shtëpinë e Bardhë të Joe Biden, është një rast ideal, i cili duhet të shfrytëzohet maksimalisht për të përmbyllur çështjet që Kosova i ka pezull.

Kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës “Vatra”, Elmi Berisha, ka uruar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, dhe e ka siguruar atë, se shqiptarët e Amerikës dhe mbarë kombi shqiptarë do jetë përherë në mbështetje dhe mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ndihmën e pakursyer dhe vëmendjen e veçantë që SHBA, i ka dhënë popullit e kombit shqiptar.

“Zgjedhja si President i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Joe Biden, ka bërë të lumtur çdo shqiptaro-amerikan në Amerikë, e çdo shqiptar në Shqipëri, Kosovë e mbarë hapësirat shqipfolëse. Është një fat i madh për popullin shqiptar dhe kombin shqiptar që një mik i madh i tyre dhe një mbështetës i pakushtëzuar, është zgjedhur në këtë post kaq të nderuar dhe të rëndësishëm. Ne do të jemi  përgjithmonë në krahun e Presidentit Biden, dhe të agjendës Amerikanë në Shqipëri, Kosovë e kudo jetojnë e punojnë shqiptarët. Jam i bindur se nën administratën e Presidentit Joe Biden, marrëdhëniet miqësore dhe ndërshtetërore mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të kombit shqiptar, do të vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme dhe gjithnjë ma të forta, e më të shëndosha për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve në shtetet ku ata veprojnë e jetojnë”, tha për Telegrafin kryetari i Vatrës, Elmi Berisha.

Më tutje, ai theksoi se që nga koha kur Joe Biden ka shërbyer si Senator, si zëvendëspresident i SHBA-së. dhe tani si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët kanë pasur një mik të veçantë dhe një mbështetës të madh të çështjes shqiptare.

“Mbi gjithçka, për Kosovën sidomos, ardhja në Shtëpinë e Bardhë të Joe Biden duhet të shfrytëzohet maksimalisht për të përmbyllur çështjet që Kosova i ka pezull dhe nëpërmjet kryerjes së reformave, mbështetja e SHBA do të çojë përpara proceset euroatlantike në Kosovë, integrimin evropian, dialogun me Serbinë, luftën ndaj korrupsionit dhe ndërtimin e institucioneve të forta dhe të qëndrueshme. Ky është një rast ideal për shqiptarët e Kosovës. SHBA-të kanë qëndruar gjithmonë në krah Kosovës, dhe vetëm falë SHBA e Perëndimit ne fituam lirinë, u çliruam prej okupatorit  dhe gëzojmë jetën e shtetin në tokën e të parëve tanë. Falë mbështetjes së SHBA, u bë realitet i pandryshueshëm Kosova e pavarur dhe sovrane e cila ka forcuar paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal”, tha Berisha, duke shtuar se presidenti Biden njihet gjerësisht si një nga mbështetësit më të fortë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, dhe se Biden, dhe administrata e tij do të kenë ndikim pozitiv në fuqizimin e mëtejshëm të miqësisë dhe të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Ndërkaq, kryesuesi i Kongresin Panshqiptar Amerikan, Bruno Ceka, një organizatë e avokimit publik në Washington, e cila synim ka për të afirmuar interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të vendeve amë të këtij komunitetit, tha për Telegrafin, se ai vet dhe Kongresi PanShqiptar Amerikan, janë të gëzuar për zgjedhjen e Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikes, ku u inaugurua si president i ri një mik, një mirëdashës dhe një President që e njehë kombin shqiptar, për shumë vite me radhë.

“Shpresoj se zgjedhja e Presidentit Biden, dhe administrate e tij, do të thellojë bashkëpunimin ndërmjet SHBA-ve dhe kombit shqiptare kudo që ata jetojnë dhe veprojnë. Zoti e bekoftë SHBA-të dhe kombin shqiptare”, tha Ceka.

Por sa do të jetë e vështirë që presidenti Biden të fokusohet në politikën e jashtme si shkak i problemeve të brendshme që janë krijuar atje, sidomos as i përket fokusit te tij tek shtetet shqiptare, si Kosovës dhe Shqipërisë, kryesuesi i Kongresin Panshqiptar Amerikan, Bruno Ceka, tha se nuk beson se fokusi i presidentit Biden tek shtetet shqiptare do të mungoj për sa i përket problemeve të brendshme, por Ceka beson se Biden do t’i tejkaloj me punë dhe ndihmë prej shumicës së popullit amerikan, edhe pse sipas tij, probleme do të ketë, mirëpo nuk do të jenë të pakalueshme.

“Jemi shumë me fat që Amerika zgjodhi një mik të vërtetë të  shqiptarëve. Ne duhet të jemi të kujdesshëm, që mos të anojmë nga një parti politike në tjetrën, por duhet t’i respektojmë si demokratët ashtu edhe republikanët, se të dyja partitë politike i kanë ndihmuar shqiptarët më parë dhe vazhdojnë të na ndihmojnë edhe tani”, tha mes tjerash Ceka.

Kurse, bankieri, filantropi i dhe aktivisti i njohur shqiptaro-amerikan, Richard Lukaj, tha në një deklaratë për Telegrafin, se Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi, e kanë detyrë te shfrytëzojë këtë moment historik, për të realizuar disa qëllime kryesore, pasi që sipas tij, kjo administratë amerikane, është shumë e informuar dhe e kanë si prioritet Ballkanin dhe marrëdhëniet me Rusinë, Kinën dhe Turqinë.

Ai shpreson, se liderët që do zgjedhën në Kosovë dhe në rajon i kuptojnë ndryshimet dhe e marinë më intensivisht dhe me seriozitet më të madh këto punë, pasi që shumë pritet nga kjo kohë!

“Sa i përket qeverive të reja të Kosovës dhe Shqipërisë, të dyja qeveritë shqiptarë duhet të përgatiten me propozime konkrete për zhvillim e shtetit, kërkesa konkrete për rritjen e partneritetit me ShBA-rë, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, dhe jo vetëm shitje interesash për ta akomoduar Serbinë/Rusinë. Presidenti, Sekretari i shtetit dhe të tjerët të Administratës së re, janë shumë të mirinformuar për situatën në rajon”, tha mes tjerash Lukaj.

Ai shtoi se edhe pse ata kanë interesat fillimisht të Amerikës si prioritet dhe jo interesat te huaja, sipas Lukaj “Kosova dhe Shqipëria kanë për detyrë për të negociuar interesat e veta, dhe mos të keqpërdorin, si ka vepruar Grenelli me ish presidentin Trump. Ka ardhur koha për vetëbesim, guxim dhe veprime të mirë dhe me vizion të qartë për punë”.

Megjithatë, analisti politik shqiptaro-amerikan, Ukë Lushi, tha se Joe Biden do të jetë në krye të SHBA-së me Kamala Harris si zv. Presidente, dhe suksesi i tyre do të jetë sukses i Amerikës.

“Kombit tonë shqiptar, si çdo herë pas ndryshimeve në Presidencën e Amerikës, i uroj bashkëpunim dhe mençuri me administratën e re dhe shtetin amerikan. Lidhja shqiptaro-amerikane është përtej partive dhe ndryshimeve të pushtetit. E di që ka pritje realiste dhe jorealiste nga shqiptarët në Ballkan. Por, Amerika qëndrimet strategjike nuk i ndërron me ndërrimin e një administrate, por vazhdimisht mban konsistencë në interesa vitale dhe adapton sjelljen taktike varësisht situatave”, tha Lushi.

Ai tha se si shqiptarë me çështje kombëtare ende të pastabilizuar, duhet të punojmë më shumë për të depërtuar me zërin, planet dhe strategjitë tona në Washington D.C. dhe në White House. Suksese Amerikës dhe shqiptarëve kudo!

Ndryshe, presidenti i ri i zgjedhur amerikan Joe Biden, është betuar si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Në prani të të ftuarve, Biden është betuar se do t’i shërbej vendit dhe të mbroj interesat nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm.

Presidenti Biden, do të jetë presidenti më i moshuar amerikan, që ka bërë betimin si president i Shteteve të Bashkuara. 78-vjeçari ka fituar kundër kandidatit nga radhët e republikanëve, Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit 2020. Ceremonia e 59-të, ishte me një  numër të vogël të pranishmëve, duke respektuar masat për parandalimin e COVID-19.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-