The Telegraph – Çdo ditë nga ora 17:00 deri në orën 21:00, fëmijët mblidhen në një fushë futbolli të betonit në qarkun verior Pascuales në Guayaqui, për të mësuar se si të vrasin.
Për katër orë, ndërsa dielli perëndon në këtë qytet port në Ekuador, “shkolla e vrasësve” mëson nxënësit të mbushin armët, të ndjekin shënjestrat dhe t’i vrasin.
Shkolla, një sekret i hapur, është hapi i parë për vrasësit (Sicario’s) e rinj me pagesë që t’u bashkohen bandave rivale që garojnë për një hise të tregut të kokainës në Evropë që po shënon rritje, transmeton KOHA.
Por, diplomimi nuk është i garantuar.
Detyrimi i fëmijëve për t’i vrarë familjarët
Rekrutët e rinj së pari pritet të vrasin një anëtar të bandës rivale, apo në disa raste, edhe anëtarët e familjes së tyre.
“Kanë detyruar disa fëmijë që t’i vrasin kushërinjtë apo xhaxhallarët”, ka thënë Juani 16-vjeçar për “The Telegraph”. “Është metodë për të dëshmuar besnikërinë”.
Ai vetë ka vrarë 45 persona qëkur u regjistrua si 12-vjeçar, të gjithë i ka vrarë me gjakftohtësi.
“Fëmijët e dinë se nëse refuzojnë, do të vriten. Nuk kanë zgjedhje tjetër”, ka thënë Juan.
Rritja e kampeve të vrasësve në Guayqaquil vjen, ndërsa kanë nisur beteja të reja të ashpra në qytet.
Këto grupe lokale janë duke luftuar brutalisht për të punuar për mjeshtërit e rinj rajonalë të eksportit të kokainës: bandat shqiptare.
Ky port plot zhurmë, që është një portë për plazhet e Ekuadorit në Paqësor dhe Ishujt Galapagos, është kthyer në një zonë lufte.
Dhe këto valë mund të ndihen deri në Grimsby.
Sipas burimeve të policisë britanike, nga një rekord prej 11 tonësh kokainë që u kapën në Britani të Madhe vitin e kaluar, shumica e kësaj sasie ka gjasë që janë marrë nga grupet kriminale nga Ballkani.
Transportojnë drogën në brigjet e Britanisë nga Amerika e Jugut, nëpërmjet Belgjikës apo Holandës, që në vitet e fundit janë kthyer si porte primare për drogë në Evropë.
Shqiptarët e kanë marrë zinxhirin e furnizimit të kokainës nga Amerika e Jugut për në Evropë
Migrimi nga Shqipëria, një prej shteteve më të varfra në Evropë, ka lejuar bandat të vendosen në qytete kyçe nëpër kontinent dhe ta marrin kontrollin e trafikimit të drogës që më herët dominohej nga mafia italiane.
Në Amerikë të Jugut, fragmentimi i strukturave të organizuara kriminale që nga marrëveshjes paqësore me guerilët e Farc-ut, ka hapur tregun e drogës, duke i lejuar bandat shqiptare të futen brenda.
Duke anashkaluar ndërmjetës tradicionalë italianë apo meksikanë, shqiptarët po negociojnë drejtpërdrejt me prodhuesit. Ata tani komandojnë kryesisht të gjithë zinxhirin e furnizimit nga Amerika e Jugut për në Evropë.
Dhe kjo sjell një produkt më të ri dhe më cilësor në vende si Britania, ku përdorimi i kokainës është bërë i shpejtë dhe jo vetëm në mesin e klasave të mesme.
Agjencia Kombëtare e Krimit thotë se grupet e dhunshme kriminale shqiptare tash dominojnë nëntokën britanike.
Guayaquil, një pikë kyçe e dërgesës në “gazsjellësin shqiptar”, është bërë epiqendra e fundit e dhunës në botë të lidhur me drogën, transmeton KOHA.
“Të gjithë duan një copë pite”, ka thënë Juan, që shpjegon se si bandat vendase luftojnë për të marrë primatin për të punuar me shqiptarët dhe për ta marrë hisen.
Vrasjet e fëmijëve në Ekuador janë bërë rutinë
Në lagjet më të varfra të Guayaquil, vrasja është bërë gati rutinë, dhe shumë nga viktimat janë fëmijë apo adoleshentë.
Muajin e kaluar, dy vëllezër të moshave 6 dhe 10-vjeçare janë qëlluar për vdekje në shtëpitë e tyre ndërsa po luanin me lodra. Një fëmijë tjetër, 5-vjeçar, u lëndua.
Fillimisht, Policia besoi se fëmijët ishin “dëme anësore”, por tash thonë se të miturit direkt ishin shënjestruar nga rivalët kriminal të babait të tyre.
“U zgjidh një hesap tjetër”, thotë Juani.
Shifrat e Policisë tregojnë se numri i personave nën 18 vjeç që janë vrarë në qytet është trefishuar këtë vit për dallim nga viti i kaluar.
“Kjo është e gjitha e re për ne”, thotë koloneli Byron Ramos, zëvendëshef i njësitit antidrogë të Policisë së Ekuadorit. “Po përkeqësohet”.
Shkalla e vrasjeve është dyfishuar për në 34.1 për 100 mijë banorë në 12 muajt e fundit, duke e bërë atë një nga qytetet më të rrezikshme në botë.
Dhe nuk janë vetëm gangsterët ata që vriten.
Janë vrarë edhe prokurorët që merren me rastet kundër trafikuesve të drogës, gazetarët që ekspozojnë rrjetet e paligjshme.
Dy javë më parë, shpërtheu një bombë në një makinë, duke vrarë pesë persona.
Ministri i Brendshëm i Ekuadorit kishte thënë se bombardimi është një shpallje lufte nga bandat.
Presidenti i Ekuadorit, Gullermo Lasso, menjëherë shpalli gjendjen emergjente, duke militarizuar qytetin dhe duke vendosur edhe postblloqe e orë policore.
Por, është tepër vonë.
Veprimi i bandave shqiptare me bandat lokale të Ekuadorit
Arrestimet e fundit të gjykatësve, avokatëve dhe komanduesve të marinës – të gjithë të implikuar në skandale të korrupsionit dhe trafikim ndërkombëtar të kokainës – tregojnë se sa shpejt Ekuadori po bëhet një narkoshtet.
Shqiptarët mbështeten në bandat lokale në Ekuador që t’i ndihmojnë ata të transportojnë kokainën dhe të ofrojnë sigurinë. Dhe kjo ka krijuar një rivalitet të ashpër mes kundërshtarëve që të bëhen më të mëdhenj e më të mirë.
Sipas disa burimeve të inteligjencës së Ekuadorit, shqiptarët bashkëveprojnë me banda të ndryshme në pika të ndryshme gjatë zinxhirit furnizues, por ato banda që kanë më së tepërmi territor, më së tepërmi armë dhe më së tepërmi kontroll bëhen partnerë të preferuar.
Një nga humbëse në këtë rend të ri është banda Choneros, që dikur dominonte botën e krimit në Ekuador, transmeton KOHA.
Vrasja e liderit të bandës vitin e kaluar nxiti një luftim të brendshëm dhe një seri të përleshjeve në burgje, ku më tepër se 300 të burgosur janë vrarë, shumicës prej të cilëve iu është këputur koka.
“Ka të bëjë me të bërët më i fortë”, ka thënë Jonny, lider i ri i bandës.
Ai flet nga një veturë e blinduar.
“Ne duhet t’u tregojmë shqiptarëve, meksikanëve, apo cilitdo, se jemi seriozë dhe mund të bëjmë biznes të vërtetë”, thotë Jonny, ndërsa mban syze diellit, një kapelë të bejsbollit dhe po ashtu zinxhir.
Vrasjet mes bandave brenda burgjeve të Ekuadorit
Trazirat nëpër burgje ende hedhin një hije mbi Ekuadorin. Aq e madhe ishte dhuna, saqë çoi në copëtimin e dhjetëra të burgosurve.
John Campuzano Trivino, një baba, u lut nga qelia nëpërmjet rrjeteve sociale që autoritet të ndërhynin para se ai të vritej.
Djali i tij ka thënë për “The Telegraph”: “Banda po hapte një vrimë nëpër mur. Plani i tyre ishte të vrisnin rivalët e tyre dhe babai im, që nuk ishte gangster, ishte një nga shumë që u kapën në mes. Autoritetet nuk bën ndonjë gjë”.
Ndërsa bandat e reja po kërkojnë kontrollin brenda dhe jashtë burgjeve, nevoja për “ushtarë” të rinj janë bërë më të rëndësishme se kurrë. Adoleshentët janë bërë shënjestra të qarta.
“Unë punësoj dikë vetëm për të marrë të rinj”, thotë Jonny, ndërsa bën me pistoletë në drejtim të një vajze të re që po e kalonte rrugën. “Ata që nuk kanë prindër, nuk kanë para apo janë të varur nga droga, binden më së lehtë, por ata nuk janë më të ndriturit dhe me aftësitë më të mëdha. Për këtë arsye investojmë shumë në ‘shkollat e vrasësve’”.
Të rinjtë shpesh nxiten nga ëndrrat për një jetë më të mirë, sipas adoleshentit Juan, këto ëndrra mund të bëhen realitet.
Juan thotë se shqiptarët kanë nisur të marrin vrasësit më të mirë me vete për të punuar në Evropë.
“Unë e di tre shokë të mi kanë shkuar. Ata paguajnë për vizë dhe çdo gjë. Kurrë nuk kam pasur rast. Por, është ajo që ëndërrojmë shumica prej nesh”, thotë Juan.
E ardhmja e Juanit brenda bandës, së paku, duket premtuese.
Adoleshenti – që ka shtatë armë në arsenalin e tij, përfshirë dy pistoleta .38, një 9 mm një mini uzi – ka formuar grupin e vet të cilin e quan “forcat speciale”.
“Agulas Menores” – “Shqiponjat e reja” – janë grup rreth 20 fëmijëve apo adoleshentëve, që kryejnë disa prej vrasjeve më të vështira apo të profilit më të lartë.
“Vrasjet më të vështira janë të viktimave të cilat ishin kidnapuar fillimisht. Ata e dinë se do të vdesin dhe gjithmonë luten për të jetuar”, thotë Juan, transmeton KOHA.
Si shumë gangsterë adoleshentë, ai nisi karrierën e tij kriminale duke e lëvizur drogën nëpër Ekuador. Ai thotë se ka një ushtri të fëmijëve që transporton me kilogramë kokainë me anë të transportit publik duke e paguar shoferin.
Mënyrat se si shqiptarët e transportojnë drogën për në Evropë
Shqiptarët drejtojnë dy zinxhirë furnizues për në Guayquil, një nga jugu i Kolumbisë dhe një nga Peruja.
“Ekuadori është bërë një vend i rëndësisë strategjike për shqiptarët”, thotë koloneli Ramos, i Policisë antidrogë të Ekuadorit. “Ne jemi në mes të operacioneve të tyre”.
Porti në lumin Guayas në Guayaquil është bërë një qendër e madhe e shpërndarjes së drogës për shqiptarët, ndërsa ata shikojnë të rrisin eksportet për në Evropë.
Në vitin 2021, policia ka sekuestruar një rekord prej 210 tonësh kokainë në port, një rritje prej 128 tonë sa ishin sekuestruar në vitin 2020.
Shumica e teknologjisë që përdoret nga policia ekuadoriane është ofruar si ndihmë nga Britania e Madhe, përfshirë edhe qendra e re, ku policia e inteligjencës shikon çdo dërgesë që largohet nga porti.
Policia në port i ka thënë “The Telegraph”, se ka katër teknike që përdoren nga trafikuesit në portë.
E para, që është më e përhapura te shqiptarët, përfshin drejtimin e një kompanie, që e themelojnë vetë apo e blejnë për të fshehur kokainën në çdo gjë nga çaji e deri te karkalecat.
Një teknikë tjetër është që trafikantët hapin kontejnerët e eksporteve legjitime për të transportuar drogën dhe përdorin vula të klonuara doganore për të fshehur ndërhyrjet që kanë bërë. Më pas kokaina hiqet nga gangsterët në Evropë, të cilët kapin kontejnerët në destinacionin e tyre.
Së treti, trafikuesit fshehin drogën në zgavrat e anijeve me kontejnerë dhe kanë nisur të përdorin edhe anije peshkimi për të kapur disa anije me kontejnerë në det.
Së fundi, trafikantët kanë filluar të lidhin drogën në anijet e ankoruara në porte dhe policia është e detyruar të trajnojnë kapitenët e anijeve për t’i zbuluar ato paraprakisht.
Shumica e kontejnerëve që nisen nga Guayaquil arrijnë në Antwerp të Belgjikës apo Rotterdam të Holandës, ku zyrtarëve doganorë u ofrohen dhjetëra e mijëra euro për të mbyllur sytë.
Është një zhvendosje e madhe, ku shumica e kokainës në të kaluarën arrinte në portet jugore të Evropës, të kontrolluara nga bandat spanjolle e mafia italiane.
Portet veriore afrojnë shqiptarët me tregjet më luksoze, përfshirë Britaninë e Madhe.
Joshja e të rinjve për të hyrë në biznesin e drogës
Autoritetet belge në Antwerp thonë se një rekord prej 90 tonë kokainë, me vlerë 13 miliardë euro, është kapur në port vitin e kaluar.
Ekspertët besojnë se shqiptarët punojnë si një rrjet i lirshëm dhe jo si një bandë nga lart-poshtë me një figurë udhëheqëse.
Por, pasuria në rritje ka shkaktuar fërkime. Pesë vrasjet e shqiptarëve në Guayaquil në vitet e fundit janë rezultat i rivaliteteve të brendshme, besojnë prokurorët.
Dritan Rexhepi është një kokat shqiptare të krimit në Ekuador dhe i njohur për trafikimin e kokainës në Britani, duke bërë porositë e tij për dërgesa nga brenda burgut.
Në vitin 2020, ai kërkonte të lante hesapet me një gangster rival shqiptar në Britani, Ndrek Prengan, të cilin e akuzonte se ia kishte vjedhur një nga dërgesat. Ai thuhet se organizoi kidnapimin dhe vrasjen e vëllait të Prengas në Shqipëri.
Në nëntor të vitit të kaluar, Rexhepi u lirua me kusht nga burgu ku po vuante për akuzat për trafikim të drogës. U lirua pavarësisht se konsiderohej si rrezik i ikjes.
39-vjeçarit iu tha të raportonte tek autoritetet çdo 15 ditë derisa dënimi i tij të përfundojë në vitin 2027. Mirëpo, dokumentet e gjykatës, të siguruara nga “The Telegraph”, tregojnë se që nga janari i këtij viti, ai nuk është paraqitur.
Avokati i tij në Ekuador është qëlluar për vdekje në prill të vitit të kaluar.
Në Britani të Madhe, kokaina me burim shqiptar hyn përmes porteve të Harwichit apo Tilburyt në Essex, dhe Immigham e Hull përgjatë lumit Humber.
Pjesa më e madhe e saj mendohet se gjen rrugën për në duart e Hellbanianz, një bandë me rrënjë në Barking në lindje të Londrës, e cila rekruton tregtarë të rinj në rrjete sociale duke u premtuar Ferrari, orë Rolex apo grumbuj të kartëmonedhave 50 funtëshe.
Në qytetin bregdetar të Grimsbyt në verilindje të Lincolnshiret, tregtarët vendës i thanë “The Telegraph” se bandat shqiptare kanë krijuar një rrjet dyqanesh e floktarishë ku sheshin drogën e tyre.
“The Telegraph” ka zbuluar gangsterët shqiptarë duke u ofruar adoleshentëve kredi në formë të parave e po ashtu drogë. Kur këto nuk mund të kthehen, përdoruesit e cenueshëm detyrohen të fshehin dhe shesin drogë si kthim borxhi, në një formë të skllavërisë moderne.
“Më dhanë drogë falas. E dija se ishte shumë e mirë për të qenë e vërtetë, por po ‘vdisja’ për pak kokainë”, thotë një 16-vjeçar, përdorues i kokainës, që ka dashur të mbetet anonim. “Më pas më thanë se u kam borxh 200 funte. Nuk isha në gjendje të paguaja dhe nisën të më kërcënonin nënën, motrën dhe të gjithë. Tash jam skllavi i tyre derisa ta shlyejë borxhin”.
Në Guayaquil, adoleshenti Juan po ashtu ndihet i bllokuar. Ai thotë se dëshiron të fillojë një jetë të re, por e pranon se ka shumë të ngjarë që të vdesë brenda pesë vjetëve.
“Njerëzit si unë nuk kanë të ardhme. Për dikë diku, unë jam vetëm një ‘borxh për t’u larë’”, thotë Juan, transmeton KOHA.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.