Një numër i madh i njerëzve kanë folur për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s nga perspektiva të ndryshme. Disa e përshkruajnë si luftëtarë, bashkëshort ideal, udhëheqës i drejtë, ndërsa ka edhe prej atyre që e përshkruajnë në aspektin negativ. Në këtë tekst të shkurtër dëshiroj që në mënyrë shumë unike të sqaroj se sa i rëndësishëm është i Dërguari i Allahut s.a.v.s. për mua dhe muslimanët tjerë me nevoja të veçanta.
Për ne, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte iniciatori dhe mbrojtësi i personave me invaliditet. Qysh para 1400 vjetëve ai ka siguruar që personat me nevoja të veçanta të jenë nën kujdes dhe të fitojnë të drejtat e tyre, duke përfshirë edhe jetën normale sikur të gjithë njerëzit.
Muhamedi a.s ndryshoi jetët e njerëzve me invaliditet duke mësuar shoqërinë se nuk duhet të ekzistojnë qëndrime negative ndaj njerëzve që kanë vështirësi në zhvillim. Ai potencoi se vet hendikepi nuk ndikon tek individi nëse imani i tij është i fortë. Ai i siguroi njerëzit me nevoja të veçanta se invaliditeti i tyre nuk është dënim por një mjet për falje mëkatesh. I Dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë se kur muslimani përballet me sprova, qoftë edhe kur e shpon një ferrë, atij i falen mëkatet.
I Dërguari i Allahut s.a.v.s, personave me nevoja të veçanta ua shtonte vetëbesimin, ua largonte pikëllimin dhe mërzinë. Gjithmonë ua përkujtonte se “Allahu nuk shikon në trupat dhe pamjet tuaja, por Ai shikon në zemrat tuaja”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. insistonte për të drejtat e njerëzve dhe e largoi diskriminimin për shkak të invaliditetit që ekzistonte në kohën e injorancës. Ai, p.sh. e caktoi njërin nga sahabët e tij, Abdullah ibn Mektumin si muezin edhe pse ai ishte i verbër, Gjithashtu ai udhëhiqte Medinën kur Muhamedi a.s udhëtonte jashtë qytetit.
Për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s verbëria e Abdullahit nuk ishte pengesë që ai ta kryej obligimin e tij. Nëpërmjet këtij shembulli, mëshira e të gjitha botëve, e mësoi njerëzimin se personat me nevoja të veçanta nuk duhet t’i shikoj si të paaftë dhe t’i nënçmoj. Edhe pse disa persona janë me nevoja të veçanta, ata mund të jenë të aftë të kryejnë vepra të caktuara dhe të kontribuojnë për shoqërinë.
Njëri nga shokët më të mirë të Muhamedit a.s ishte Xhulejbib, një njeri me pamje të deformuar dhe i shkurtër. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u bë shok me të, kujdesej dhe mundohej t’ia ngrejë dinjitetin e tij. Dashuria e Muhamedit a.s ndaj Xhubejbit ishte aq e madhe sa që ai tha: “Ky njeri është prej meje dhe unë jam nga ai”. Ky është një shembull unik i liderit të bashkësisë i cili edhe me fjalë edhe me vepra tregoi respektin ndaj personave të cilët të tjerët i kishin lënë në margjinat e shoqërisë.
Gjithashtu, i Dërguari i Allahut i lehtësoi obligimet e personave me nevoja të veçanta. P.sh. personat që nuk mund ta falnin namazin në këmbë, mund ta bënin ulur, nëse edhe ulur s’mund të kryenin namazin, mundeshin duke qenë shtrirë. Muhamedi a.s tha se ai persona i cili lexon Kuranin me vështirësi (që ka probleme në të shprehurit) do të ketë shpërblimin e dyfish.
Derisa sot bota tallet me personat me nevoja të veçanta, i Dërguari i Allahut ndaloi njerëzit të tallen me këtë kategori. Një nga shokët e tij, Abdullah ibn Mes’ud që ishte dhe njëri nga komentuesit më të mirë të Kuranit, hipi në dru, sahabët filluan të qeshin me këmbët e tij shumë të dobëta. Megjithatë, i Dërguari i Allahut reagoi duke u thënë: “Përse qeshni? Këmbët e Abdullahut në Ditën e Gjykimit do të jenë më të rënda se kodra e Uhudit. Me këtë mëshira e njerëzisë na mëson se nuk guxojmë të tallemi me njëri tjetrin, sidomos kur është fjala për pamjen fizike. Pejgamberi ynë na përkujtoi neve se meshkujt dhe femrat nuk i definon invaliditeti i tyre, por kontributi i tyre për shoqërinë.
Në të vërtetë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është burim i inspirimit tim që t’i ndihmoj dhe të luftoj për të drejtat e njerëzve me nevoja të veçanta. Ai na tha se kush i largon një vështirësi dikujt në këtë botë, Allahu do t’ia largoj një vështirësi në Ditën e Gjykimit. Ai e fton gjithë shoqërinë të ndjek shembullin e tij duke u kujdesur për personat me nevoja të veçanta.
Në këtë mënyrë i Dërguari i Allahut s.a.v.s sillej ndaj atyre personave me nevoja të veçanta. Dhe kjo është një arsye që unë e admiroj profetin tim dhe mbroj nderin dhe dinjitetin e tij.
Autor: Muhammed Zulfikar Rahmet
Përshtati: Arsim Dauti
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.