Si ta fitojmë dhe si ta ruajmë bereqetin

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Vëllezër të dashur!

Në hutben e sotme do të flasim për bereqetin.

Fjalën bereqet ne shpesh e shqiptojmë me gjuhët tona dhe e kërkojmë në çdo kohë dhe rast, por çka është bereqeti dhe si ta sigurojmë ne atë në pasuritë tona, në familjet tona dhe në bizneset tona?

Bereqeti në kuptimin gjuhësor, do të thotë tepricë e diçkaje dhe rritje e saj, kurse në kuptimin fetar, do të thotë, prania e të mirës në çdo gjë, që nënkupton shfrytëzimin e diçkahit për ta arritur kënaqësinë e Allahut të Plotfuqishëm.

Bereqeti në pasuri,nënkupton rritjen e saj, bereqeti në shtëpi apo apartament,nënkupton gjerësinë e tyre, qetësinë dhe sigurinë, bereqeti në ushqim, nënkupton bollëkun dhe vlefshmërinë e tij, bereqeti tek pasardhësit,nënkupton numrin dhe moralin (edukimin e mirë të) tyre, bereqeti në familje, nënkupton harmoninë e saj dhe dashurinë e ndërsjellë, bereqeti në kohë, nënkupton gjerësinë dhe ekzekutimin e të gjitha detyrave të parapara, bereqeti në shëndet, nënkupton aftësinë fizike dhe mendore, bereqeti në jetë, nënkupton gjatësinë e saj dhe dinjitetin në dituri, njohuri dhe në transferimin e tyre tek të tjerët.

Me një fjali, bereqeti e nënkupton të mirën në kuptimin më të gjerë!

Njerëzit në përgjithësi në këtë botë nxitojnë: për pasuri, fëmijë, pozitë dhe begati të tjera të kësaj bote, dhe mendojnë se në to është krejt fati, kurse besimtarët i luten Allahut të Plotfuqishëm, që tu japë bereqet në çdo gjë. Pejgamberi (savs), i është lutur Allahut të Plotfuqishëm, që t’i japë bereqet në atë që është hallall.

Vëllezër të dashur!

Besimtarët kanë bereqet në të gjitha gjërat, ashtu që në pasurinë që posedojnë ndjejnë kënaqësi, sepse e fitojnë dhe e shpenzojnë në mënyrë hallall, fëmijët i kanë të dëgjueshëm, kanë bereqet në kohë, ashtu që në të njëjtën kohë bëjnë shumë më tepër punë se sa njerëzit e tjerë, dhe ata gjithmonë janë të kënaqur me caktimin e Allahut të Plotfuqishëm.

Nga ana tjetër, ka nga ata që janë të pasur, por në atë që kanë, nuk kanë kënaqësi, dhe për këtë arsye ata nuk mund të flenë natën, duke menduar se si ta rrisin pasurinë, si të kenë fëmijë, pastaj fëmijët e tyre e shkapërderdhin pasurinë e tyre,janë të padëgjueshëm ndaj tyre, e të ngjashme.

Vëllezër të dashur!

Shtrohet pyetja: Si mund ta arrijmë bereqetin në jetën tonë?

Përgjigja gjendet në disa gjëra të vogla, të cilat – me vullnetin e Allahut –do t’i theksojmë, duke i argumentuar me ajete, hadithe dhe me mendime të dijetarëve(ulemave):

1. Takvallëku (devotshmëria), sepse takvallëku është çelësi i të gjitha të mirave. Thotë Allahu i Plotfuqishëm, në pjesën e dytë të ajetit të dytë dhe në ajetin e tretë të sures et-Talak:

“… E kush i druhet Allahut, Ai i bënë rrugëdalje atij, – dhe e furnizon atë prej nga nuk e pret…”

2. Tevekkuli (mbështetja në Allahun e Plotfuqishëm), për çka flet hadithi, i cili transmetohet nga Imam Ahmedi:

Transmeton Omer ibn el-Hattabi (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë:“Nëse ju do të mbështeteni në Allahun me tevekkul të vërtetë, Ai do të ju furnizojë, siç i furnizon zogjtë, të cilën gdhihen të uritur, ndërsa ngrysen të ngopur!”(Transmeton Ahmedi)

3. Shukri (falënderimi ndaj Allahut të Plotfuqishëm), për begatitë e Tij, siç thuhet në pjesën e dytë të ajetit 144, të sures Alu Imran: وسيجزياللهالشاكرين“Allahu do t’i shpërblejë mirënjohësit!”

4. Urdhëresa e familjarëve dhe falja e namazeve të përcaktuara,, siç thotë Allahu i Plotfuqishëm, në ajetin132 të sures Taha:

“Dhe urdhëroje familjen tënde që të bëjë namaz dhe në këtë bëju këmbëngulës! Na nuk kërkojmë furnizim prej teje. Na të furnizojmë ty, e përfundimi i mirë është për ata që ruhen nga mëkatet.”

5. Leximi i Kuranit,sepse ai është Libër i bekuar ilaç për trupin dhe shpirtin. Allahu i Plotfuqishëm, në ajetin 29 të sures Sad, thotë:

“(Ky) është një libër (Kurani), që ta kemi zbritur ty, libër i bekuar, për t’i studiuar dokumentet e tij dhe për t’u këshilluar mendimtarët me të.”

6. Pasimi i sunetin të Pejgamberit (savs), në të gjitha rrethanat, sepse kjo gjithmonë sjell mirë. Njëra nga këto gjëra është ushqimi para vetes, siç thuhet në hadithin, të cilin e regjistron imam Muslimi:

Transmeton Xhabir ibn Abdullahu(r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë:“Vërtet bereqeti zbret në mes të ushqimit, andaj hani nga anët, dhe jo nga mesi! Ju, me të vërtetë, nuk e dini se në cilën pjesë të ushqimit është bereqeti!”(Muslimi)

7. Lutja dhe istigfari (kërkimi i faljes nga Allahu i Plotfuqishëm), kurse Pejgamberi (savs), ka bërë lutje në raste të ndryshme dhe ka bëri istigfar me qindra herë në ditë.

8. Largimi nga pasuria haram, në çfarëdo forme qoftë, veçanërisht nga kamata, siç thuhet në ajetin 276, të sures el-Bekare:- يَمْحَقُ اللَّهُ الرِّبَا وَيُرْبِي الصَّدَقَاتِ– “Allahu e shkatërron kamatën, ndërsa e rrit (shton) sadakën…”

9. Dhënia e sadakës dhe ndihma e të varfërve, siç thuhet  në hadithin Kudsij:

Transmeton Ebu Hurejre (r.a.),se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Ka thënë Allahu i Plotfuqishëm: ‘O njeri, jep ti, pastajUnë do të jap ty.” (Muslimi)

10. Kryerja e detyrimeve në pjesën e parë të ditës, në përputhje me praktikën dhe lutjet e Pejgamberit (savs).

Prandaj, besimtarët shkojnë për të fjetur herët, pushojnë një pjesë të natës, pastaj ngrihen në pjesën e tretë të natës për të falë namazin e natës (salatul-lejl) dhe namazin e vitrit, e falin në xhami me xhemat namazin e sabahut dhe pas dhikrit, lexojnë Kuran dhe nisën për kryerjen e punëve dhe obligimeve hallall.

Për të tillët, Pejgamberi (savs), ka bërë lutje:-اللَّهُمَّ بَارِكْ لِأُمَّتِي فِي بُكُورِهَا ‏ – “O Allah, Ti jepi bereqet umetit tim në mëngjes!” (Ahmedi)

Nga kjo lutje (hadith) e Pejgamberit (savs), kuptojmë se koha më e bereqetshme për të punuar dhe fituar nafakën është në orët e para të ditës.

Disa nga të parët tanë kanë thënë:“Është e çuditshme se si mund ta arrijë furnizimin, ai që e fal namazin e sabahut, pas lindjes së diellit!”

Vëllezër të dashur!

Le të përpiqemi që në të gjitha punët tona të arrijmë bereqet, le t’i kryejmë të gjitha obligimet tona në kohë dhe ashtu siç kërkohet nga ne, le të garojmë në vepra të mira dhe të përgatitemi për Ditën e llogaridhënies, kur do të shikohen vetëm veprat e mira!

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm, që të na ndihmojë ta ruajmë fenë islame,
– që t’i ndihmojë vëllezërit tanë në rrezik kudo qofshin,
– që të na japë bereqet në të gjitha gjërat,
– që të na mbrojë nga sprovat që nuk mund t’i përballojmë,
– që t’i mëshirojë prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur,
– që fëmijët dhe pasardhësit tanë t’i bëjë dritë tësyve dhe zemrave tona dhe udhëheqëstë umetit,
– që të na mëshirojë neve në ditën e Gjykimit, dhe

– që të na nderojë në xhenet me shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Përkthim me përshtatje: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-