Sulmohet infermieri në Dragash – Protestojnë mantelbardhët! (Video)

Opoja.net Opoja.net Opoja

Infermieri nga QKMF në Dragash, Nehat Halimi, është sulmuar mëngjesin e sotëm, sapo ka dalë nga QKMF-ja në Dragash dhe është nisur për në shtëpi.

Pas kësaj, i gjithë personeli i këtij institucioni mjekësor ka dalë në oborr për të protestuar, duke kërkuar më shumë respekt dhe mbrojtje për ta. “Kolegu ynë është sulmuar nga një qytetar i komunës së Dragashit, prandaj ne kemi dalë të protestojmë në shenj solidarizimi me të, duke iu bërë ftesë organeve të drejtësisë që të merren me këtë rast”, tha për redaksinë tonë organizatori i protestës, Fitim Karimani, koordinator i Sistemit Informativ Shëndetësorë pranë këtij institucioni.

Nga ana tjetër, drejtori i QKMF-së, dr. Ramadan Jashari, kërkoi nga qytetarët që të kenë më shumë respekt për punëtorët shëndetësor, sidomos në këto rrethana pandemie. “Kur ne po ballafaqohemi me pandeminë dhe aktualisht jemi të lumtur që kemi filluar vaksinimin masiv kundër Covid-19, është i patolerueshëm një veprim i tillë. Me rastin në fjalë, presim të merren organet e drejtësisë, ndërkohë që kërkojmë më shumë respekt nga qytetarët”, tha dr. Jashari, duke bërë me dije se, pas marrjes së tretmanit mjekësor në institucionin e tyre, kolegu i lënduar është shpënë me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Vlen të theksohet se, gjatë kohës kur po organizohej protesta, para tyre ka protestuar edhe personi që po akuzohet për sulm, duke shprehur mllefin e tij se deri tek ky incident nuk ka ardhur kot por se “papërgjegjësia dhe neglizhenca në këtë institucion” e ka shtyrë të veprojë në këtë mënyrë. Pas kësaj, ka intervenuar edhe policia, duke e shoqëruar atë në Stacionin Policor në Dragash. /Radio-Sharri/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-