Sulmoi fizikisht bashkëshorten në Prizren, i caktohen 30 ditë paraburgim

Opoja.net Opoja.net Kronika

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës – Vjollca Buzhala, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 31.05.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 30.06.2021, ndaj të pandehurit Sh.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: Sulmi nga neni 184 paragrafi 3 nën par. 3.1, lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit Sh.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

– Me datë 31 maj, në orët e mbrëmjes, saktësisht në shtëpinë e përbashkët familjare, i pandehuri Sh.K., me dashje e sulmon fizikisht të dëmtuarën-bashkëshorten tij, si viktimë e ndjeshme në këtë rast, ashtu që pas disa mosmarrëveshjeve që kishin në lidhje me vajzën e tyre, fillimisht ishin fjalosur mes vete, e më pas i pandehuri nën ndikimin e alkoolit me 1.39 promilë, e godet fizikisht të dëmtuarën me grushte në fytyrë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, mirëpo nga këto goditje e dëmtuara nuk pëson lëndime të dukshme në trup dhe nuk pranon që të merr tretman mjekësor

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtarja e procedurës, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi që hetimet në këtë çështje janë në fazën fillestare, si dhe duke marrë parasysh peshën e veprës penale, dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, ashtu që i pandehuri me dashje e sulmon të dëmtuarën, dhe përveç se e kishte goditur fizikisht i njëjti kishte vazhduar duke ushtruar dhunë psikologjike deri në ardhjen e Policisë në vendin e ngjarjes.

Nga të lartë cekurat, si dhe duke marrë parasysh karakteristikat personale të të pandehurit, sjelljet në shtëpi, abuzimi me alkool, të gjitha këto arsyetojnë masën e paraburgimit si të domosdoshme për sigurimin e prezencën së të pandehurit dhe të evitohet rreziku i përsëritjes së veprës penale.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-